Liverpooli “gjunjëzon” Man Cityn në Anfield

Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Manchester Cityt në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit anglez.

Që nga minuta e parë të besuarit e Arne Slot treguan më shumë përpjekje për të kaluar në avantazh duke ushtruar presion në tërë fushën.

Rasti i parë serioz në këtë takim shkoi për Dominik Szoboszlai i cili në minutën e 11-të bëri një gjuajtje të fuqishme e cila u prit nga Stefan Ortega.

Një tjetër rast shumë i mirë për gol erdhi vetëm një minutë më vonë, kur Virgil Van Dijk (12’) u ndal nga shtylla.

Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, më në fund puna e palodhshme e lojtarëve të Liverpoolit u shpërblye me gol.

Ishte Cody Gakpo ai i cili shënoi në minutën e 13-të në portën e boshatisur për rezultatin 1-0 pas asistimit të Mohamed Salah.

Dominimi i Liverpoolit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku ata arritën që eventualisht të shënojnë edhe golin e dytë.

Fillimisht Mohamed Salah pati dy raste shumë të mira shënimi në minutën e 56-të dhe në minutën e 64-të respektivisht, por nuk ia doli të shënojë.

Reprezentuesi egjiptian golin e gjeti në minutën e 78-të kur u tregua i saktë nga penalltia për rezultatin 2-0.

Kevin De Bruyne humbi në anën tjetër një mundësi të pastër shënimi në minutën e 82-të, pasi nuk arriti ta shfrytëzojë një gabim fatal të Virgil Van Dijk.

Me këtë fitore Liverpooli shkon në kuotën e 34 pikëve, 11 më shumë se Manchester City që tashmë gjendet në pozitën e pestë në tabelë me 23 sosh.