Ministrat serbë në Qeverinë e Isa Mustafës, Lubomir Mariq (Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal), Dalibor Jevtiq (Ministria për Kthim dhe Komunitete), Branimir Stojanoviq (zëvendëskryeministër i Kosovës) mund të dalin nga Qeveria për shkak të miratimit të Ligjit për “Trepçën”.
Dy ministrat serbë dhe zëvendëskryeministri Stojanoviq, si dhe deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës kanë marrë pjesë në konferencën në Beograd, të cilën e ka organizuar Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të shtunën, shkruan gazeta “Zëri”.
Derisa Gjuriq tha se Serbia të hënën do të kërkojë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, siç tha ai “për rrëmbimin e pasurisë serbe dhe për shkeljen e Rezolutës 1244 të OKB-së, mbi të cilën ndërtohet paqja dhe stabiliteti në rajon”, ministri i Administrimit të Pushteti Lokal në Qeverinë e Kosovës, Mariq, ka bërë të ditur se janë duke u bërë konsultime përbrenda Listës “Srpska” lidhur me vazhdimin apo jo të veprimit të përfaqësuesve serbë në Qeverinë e Kosovës.
“Është fakt se nga marrëveshja e koalicionit asgjë nuk është plotësuar, përveç të disa zgjidhjeve të kuadrove. Ky është problem i madh”, ka thënë Mariq në konferencën e organizuar në Beograd nga Gjuriq, i cili ka ripërsëritur se Ligji për “Trepçën” nuk ka asnjë vlerë për Beogradin.