Lista Serbe do të dërgojë ankesë në PZAP pas moscertifikimit nga KQZ

Vendimi i moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë, nuk ka bazë në ligj dhe pasqyron faktin se sa shumë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron t’i eliminoj serbët nga këto hapësira.

Kështu ka thënë sot Zllatan Elek, kryetar i Listës Serbe, gjatë një konference për media të mbajtur sot në selinë e kësaj partie në Mitrovicë të Veriut duke shtuar se kjo është dhunë institucionale dhe juridike ndaj popullit serb dhe Listës Serbe.

Sipas tij, kryeministri Kurti nuk e dëshiron Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës, por vetëm serbët e dëgjueshëm, ndërsa tha se kërcënimet e tilla nuk do ta pengojnë partinë që ai udhëheqë të luftoj me të gjitha mjetet demokratike për popullin serb këtu.

Ai paralajmëroi poashtu ankesë në adresë të PZAP-së, duke thënë se pret një përgjigje pozitive nga kjo e fundit.

“Mendoj se një gjë e tillë është bërë më urdhër të Albin Kurtit, në mënyrë që të përfitoj lehtë disa poena politikë. Do të jem i qartë kësaj radhe. Ky vendim nuk ka bazë në ligj dhe pasqyron faktin se sa shumë Kurti dëshiron t’i eliminoj serbët nga këto hapësira. Kjo është dhunë institucionale dhe juridike ndaj popullit serb dhe Listën Serbe sepse Kurti nuk dëshiron t’i shoh në Parlamentin e Kosovës, sepse dëshiron që aty t’i ketë serbët e dëgjueshëm siç është i ashtuquajturi ministër Nenad Rashiq…

Dua nga këtu të përsëris se kërcënime të tilla neve nuk na pengojnë që ne me të gjitha mjetet demokratike të luftojmë për popullin tonë. Prandaj gjatë ditës do t’i dërgojmë ankesë PZAP-së dhe nga ta pres një vendim të qartë i cili do ta hedh poshtë këtë vendim të Kurtit i cili është anti demokratik dhe anti serb. Njerëzve nga ambasada e SHBA-së dhe përfaqësuesve të BE-së për gjykimin e një vendimi të tillë”, ka thënë Elek.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 për shkak të “thirrjeve nacionaliste” të kryetarit të kësaj liste, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

Megjithatë, për këtë moscertifikim kanë reaguar ambasada e SHBA-së, ambasadori gjerman e ai britanik si dhe BE-ja duke kërkuar që ky vendim mos të politizohet.