Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka marrë vendim që ta gjobisë me 20 mijë euro Listën Serbe, për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore gjatë 29 nëntorit kur u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut.
Në vendimin e PZAP-it, thuhet se Lista Serbe obligohet që gjobën ta paguajë brenda 15 ditëve.
“PZAP-i më datën 02.12.2020 ka pranuar ankesë nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Mitrovicë të Veriut, e dorëzuar në Postën e Kosovës e cila pretendon se më datën 29.11.2020 në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, kryetari i Listës Serbe dhe njëkohësisht zëvendëskryeministri Goran Rakiq dhe deputeti Igor Simiq në një prononcim për media kanë bërë ndërhyrje në procesin zgjedhor duke bërë thirrje të votohet Lista Serbe, dhe duke thyer heshtjen zgjedhore e cila është e rregulluar me ligjet e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it, shkruan Telegrafi.
Më tej thuhet se Lista Serbe ka theksuar se pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë absolutisht të pabazuara, sepse sipas tyre më datën 29 nëntor 2020, Lista Serbe nuk ka organizuar asnjë konferencë për media në kohën e heshtjes zgjedhore dhe në asnjë mënyrë me aktivitetet e saja nuk ka bërë shkelje të heshtjes zgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar ankesë në PZAP më 30 nëntor, ndërsa PZAP e ka pranuar ankesën si të bazuar.
Në ditën e zgjedhjeve kryetari i kësaj partie dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq kishte bërë thirrje që qytetarët e Mitrovicës së Veriut që ta votonin kandidatin e kësaj partie për kryetar.
Madje për këtë deputeti i LVV-së, Liburn Aliu kishte kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti që nuk ka reaguar. Aliu kishte thënë se kryeministri Hoti ka qenë dashur të shkarkojë zëvendësin e tij Goran Rakiq.