LONDËR (AA) – Shoferja e cila me automjet përplasi disa muslimanë që ishin mbledhur me rastin e festës së Fitër Bajramit në Newcastle të Britanisë së Madhe, u lirua me kusht, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga policia e Northumbrisë, e cila ofron sigurinë e rajonit Newcastle në veri-lindje të shtetit, bëhet e ditur se në kuadër të hetimeve të vazhduara, shoferja 42 vjeçare është liruar me kusht.
Policia bën të ditur se prej 6 personave të plagosur, 4 të tyre po trajtohen nëpër spitale.
Dje në mëngjes në kuadër të programit të Fitër Bajramit të organizuar në Qendrën Sportive Westgage, një grua 42 vjeçare, e cila kishte marrë pjesë në këtë aktivitet së bashku me familjen e saj, humbi kontrollin kur ajo ishte duke nxjerrë automjetin nga parkingu.
Bëhet e ditur se shoferja ishte njëra prej atyre që kishte ardhur në këtë takim të Bajramit dhe se gjatë ngjarjes në automjet ndodhej edhe familja e saj. Policia bëri të ditur se ngjarja nuk ka lidhje me terrorizmin.