Ballina Lajmet Kosovë Lirohen nga paraburgimi tre të miturit për dhunimin e 11-vjeçares

Lirohen nga paraburgimi tre të miturit për dhunimin e 11-vjeçares

Tre të miturit e dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për dhunimin e 11-vjeçares me 25 vjet burgim së bashku, janë liruar nga paraburgimi.

Këtë vendim këtë të mërkurë e ka marrë Gjykata Supreme.

Sipas aktgjykimit të fundit nga Supremja, thuhet se të miturit G.R, G.J dhe Xh.S lirohen për t’u mbrojtur në liri.

“Me aprovimin e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të mitur: G.J, XH.S, e sipas detyrës zyrtare edhe për të miturin G.R, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, i datës 24.02.2023 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, i datës 27.03.2023, ashtu që të miturve, G.J, Xh.S, G.R, iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njejtëve pas dorëzimit të aktgjykimit lirohet për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës më të lartë të gjyqësorit.

Rrjedhimisht, deri në një aktgjykim të formës së prerë, tre të miturit do të mbrohen në liri, kjo sepse nga Supremja është pranuar “mbrojtja e ligjshmërisë”.

Vendimi i sotëm i Supremes nuk e afekton edhe të dënuarin tjetër në këtë rast, i cili nuk është i mitur e që është Ekrem Rexhepi, i cili u dënua me 15 vjet burgim.

Kurse tre të miturit tjerë të dyshuar për këtë rast ishin dënuar me 25 vjet burgim së bashku – G.R me 9 vjet burg, dhe G.J dhe Xh.S me nga 8 vjet burg secili.

Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kameri, mirëpo i njëjti është liruar në mungesë të provave për veprën penale “Shërbime Seksuale të viktimës së trafikimit”.

I akuzuari Ekrem Rexhepi është shpallur fajtor për veprën penale “Dhunimi” dhe ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vjetëve, në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Exit mobile version