Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti janë dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët që nga sonte janë të liruar nga paraburgimi.
I kontaktuar nga Indeksonline avokati mbrojtës Tomë Gashi ka konfirmuar se Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti janë liruar nga paraburgimi pasi Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e avokatëve mbrojtës kështu duke e zëvendësuar paraburgimin me arrest shtëpiak.
“Faktikisht që tani nuk kemi më asnjë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në paraburgim, të cilët pa kurrfarë të drejtë ishin të dyshuar nga Prokuroria si të involvuar në rastin e sulmit në drejtim të objektit të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Gashi ka ripërsërit së të gjithë ata ishin të dyshuar për vepër penale të terrorizimit ndërsa tani sipas tij dihet që prokurori nuk ka fakte për të fajësuar këta aktivistë të Vetëvendosjes, pasi ata nuk kanë qenë të implikuar fare në rastin e 4 gushtit.
“Gjithçka mund të përmirësohet edhe pse qëndrimi i tyre në paraburgim nga fundi i gushtit dhe masat e tjera ndaj aktivistëve kanë qenë të panevojshme dhe të paligjshme. Por humbja e jetës së Astrit Deharit është diçka që kurrë nuk do të përmirësohet”, ka shtuar Gashi.
Gashi ka theksuar gjithashtu se “Ai duhet të ishte gjallë dhe jo të vritej në qendrën e paraburgimit, pasi që pushteti është dashur që ta ruaj jetën e tij, e ai është vrarë në atë qendër të paraburgimit në Prizren , i cili pa kurrfarë të drejtë ligji apo prove është arrestuar bashkë me shokët e tij të Lëvizjes Vetëvendosje. Prokuroria e ka ditur që nga fillimi që nuk ka asnjë provë kredibile për të provuar fajësinë e tyre, mirëpo mëkati më i madh i Gjyqtarit është caktimi i paraburgimit për Atdhe Arfin, Egzon Halitin dhe arresti shtëpiak për Frashër Krasniqin, Adea Batushën dhe Petrit Ademin, që nga 30 gushti i këtij viti”.
Gjithashtu sipas avokatit Gashi, prokuroria po e humb këtë rast ndërsa është çështje tjetër se si mundet pushteti ta arsyetojë vrasjen e Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.