Ballina Artikuj Liria e besimit

Liria e besimit

Kapacitetet e kufizuara të njeriut që si i vetëm ta gjejë të vërtetën

Allahu, xh.sh., e veçoi njeriun prej krijesave të tjera duke ia dhuruar mendjen dhe veçoritë e tjera dalluese, përmes së cilave ia mundësoi edhe që ta arrijë atë që nuk kanë mundësi për të arritur krijesat e tjera, në raport me organizimin e jetës dhe përkushtimin në besim dhe adhurim të Zotit Një të Vetëm, Krijuesit të kësaj gjithësie.
Shumë herë kemi thënë se mendja e njeriut është e kufizuar, e për këtë arsye edhe njohuritë e tij janë të kufizuara. Edhe arritjet e njeriut, përkundër se janë të mëdha dhe mbresëlënëse, dhe të cilat gjithsesi se duhen vlerësuar e pasur në konsideratë, megjithatë janë të kufizuara. Po ashtu, edhe çdo gjë që e posedon njeriu në veten e tij është e kufizuar dhe ka nevojë për ndihmë në raport me qëllimin që njeriu synon ta arrijë.
Të gjitha veçoritë (cilësitë) e njeriut janë të kufizuara, siç janë: shikimi, dëgjimi, fuqia, dëshira, vullneti, jeta e kështu me radhë.
Mendja e njeriut, e cila edhe e veçon njeriun prej gjallesave të tjera, është për t’u respektuar për përpjekjet e vazhdueshme në zbulimin e fshehtësive të kësaj bote dhe shpikjet për lehtësimin e jetës së njeriut, pra që njeriu të jetojë sa më në rehati dhe sa më mirë. Megjithatë, horizonti i studimit është i kufizuar, edhe pse në sytë tanë njeriu në këtë kohë vetëm se e ka arritur atë që nuk e ka ëndërruar ta arrijë në të kaluarën e afërt. Sot jemi dëshmitarë të zbulimeve të njëpasnjëshme që bëjnë njerëzit, dëshmitarë të studimeve në hapësirë, përpjekje e rezultate që trokasin në rizgjimin e mëtutjeshëm të ndërgjegjes së njeriut në raport me Krijuesin, që patjetër të arrihet deri tek ajo që urdhëron Kurani. Dhe, kështu duhet të vazhdohet derisa mendja të lirohet nga iluzioni, nga epshi, nga humbja, e ta dijë atë për çfarë asnjëherë nuk ka pasur dije, dhe përmes saj të triumfojë ndaj të keqes, ndaj epsheve, ndaj çdo gjëje që njeriun e largon nga qëllimi i ardhjes së tij në këtë jetë.
Zoti, xh.sh., e udhëzoi dhe e begatoi babanë e njerëzimit, Ademin, a.s., kur atë e krijoi nga toka dhe i mundësoi ta organizojë jetën në Tokë, ta zbukurojë atë dhe të jetë në vazhdimësi me urdhrat dhe adhurimin ndaj Tij. Ai që nuk dëgjon dhe nuk i përfill këto urdhra të Allahut, xh.sh., këto shpallje të dërguara prej Tij, i tilli do të jetë në humbje.

Mohimi si reflektim i dobësimit shpirtëror, jo i fakteve


Pjesa më e madhe e njerëzve, të prirë nga egoja dhe të mishëruar me intrigat e shejtanit, megjithatë e refuzuan dhe nuk e besuan Tevratin, Inxhilin, Zeburin, dhe njësoj gjer më sot vazhdon historia edhe me Kuranin, si fjalë të Zotit, xh.sh. Allahu, xh.sh., thotë:
“Ata (mohuesit) nuk e njohën Allahun sa duhet njohur Atë kur thanë: “Allahu nuk i shpalli gjë asnjë njeriu.” Thuaj: “Kush e zbriti librin me të cilin erdhi Musai, e që ishte dritë e udhërrëfyes për njerëz, e të cilin ju e bëni të shpërndarë në letra, që disa i prezantoni kurse shumicën i fshihni?! Dhe u mësuat çka nuk e dinit ju e as prindërit tuaj?!” Thuaj: “Allahu (e zbriti).” Mandej lëri ata që luajnë në atë kotësinë e tyre!” (Enamë: 91)
S’ka dyshim se Kurani është begati për mbarë botën, ngase Allahu, xh.sh., na e bën me dije se Kurani dhe Muhamedi, a.s., ishin dërguar mëshirë për mbarë njerëzimin, përkundër asaj që mohuesit e Zotit Një e refuzojnë këtë qasje.
Me këtë ajet dhe të ngjashëm si ky Allahu, xh.sh., na e bën me dije se mohuesit nuk e njohën dhe nuk e besuan Zotin Një, sa dhe si duhet. Ata e mohuan edhe dërgimin e pejgamberëve dhe zbritjen e librave të shpallur, si dhe i thoshin Muhamedit, a.s., se Zoti nuk i ka zbritur njeriut asgjë nga librat e shpallur. Pra, ndodhte ashtu siç po ndodh edhe sot, kur shumica e njerëzve i refuzojnë mësimet e Kuranit. Mirëpo Allahu, xh.sh., po e urdhëron Muhamedin, a.s., që t’u thotë atyre mohuesve, e me këtë ngjan sikur na drejtohet edhe ne sot, t’u themi mohuesve se, kush është Ai që e zbriti Tevratin te Musai, shpjeguesin dhe udhëzuesin për popujt ku u dërgua, duke urdhëruar në të mirë dhe duke urdhëruar për largim nga e keqja?! Pra, librin për të cilin ju (çifutë) nuk treguat kurrfarë respekti, sepse e shpërndatë në fletë, duke i paraqitur disa e duke i fshehur disa, pastaj në atë që e lexonit duke paraqitur çka dëshironit vetë, pra, duke ndërhyrë dhe duke e devijuar dhe duke e fshehur atë që dëshironit ju nga fjala e Allahut, xh.sh.?!
Në fakt çifutët besuan dhe nuk e refuzuan Tevratin. Prandaj, tani me rastin e Kuranit, si është e mundshme që ata e refuzojnë Kuranin dhe të thonë se “Allahu nuk i shpalli gjë asnjë njeriu”, ndërsa e besuan shpalljen e Tevratit te Musai, a.s.?! Pra, si refuzojnë tash kur dihet se ata mësuan nga shpallja atë që nuk e dinin, as ata e as prindërit e tyre, për çështje të kësaj bote dhe për çështje që kanë të bëjnë me fenë?! Zoti, xh.sh., i thotë Muhamedit, a.s., që t’u drejtohet atyre e t’u thotë se “Allahu është Ai që e zbriti edhe Tevratin, edhe Kuranin.”(1)
Kurani, ky libër përplot me begati për universin mbarë, e në veçanti për njeriun, me të mira pa kufi, i zbriti Muhamedit, a.s., duke mos bërë kurrfarë dallimi në shpallje me atë që ka zbritur apo që është shpallur më herët, siç qenë librat e shenjtë: Tevrati, Inxhili, Zeburi, apo edhe fletushkat.
Për këtë kemi edhe ajetin kuranor nga sureja Nisa:
“Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse e patëm frymëzuar Nuhun dhe pejgamberët pas tij; e patëm frymëzuar Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit ia patëm dhënë Zeburin.” (Nisa: 163).
Zoti, xh.sh., ua bënë me dije ithtarëve të librave, përmes Muhamedit, a.s., pra në përgjithësi, se ata ishin që e bënë dallimin mes pejgamberëve, duke i besuar disa, dhe duke i mohuar disa. Kurani përshkruan qëndrimet e çifutëve, ngase ata, bazuar në mendjemadhësinë dhe zilinë e tyre të madhe, i thoshin Muhamedit, a.s., që t’ua zbresë përnjëherë një libër nga qielli në mesin e tyre, libër prej Zotit, xh.sh., në mënyrë që ata të binden në atë që thërriste Muhamedi, a.s. Zilia dhe mendjemadhësia e çifutëve nuk ishte diçka e re. Ata edhe më herët kishin pasur kërkesa dhe pyetje të tilla, të cilat i kishin bërë edhe para Musait, a.s. Ata bënë vepra të liga dhe e mohuan edhe Isain, a.s., të cilin, për më tepër edhe u munduan ta vrisnin.(2)
Muhamedit, a.s., iu shpall revelata sikurse edhe pejgamberëve të tjerë para tij. Allahu, xh.sh., në Kuran na bën me dije se e frymëzoi me shpallje edhe Muhamedin, a.s., si pejgamber i fundit. Në Kuran është përmbledhur çdo gjë. Kurani është libër që përfshin përmbajtjen në vija të trasha të tërë shpalljeve, nisur prej Ademit, a.s. Kjo sepse edhe ata që ishin para Muhamedit, a.s., u frymëzuan po nga i njëjti burim, përmes engjëllit Xhibril. Allahu, xh.sh., ashtu siç e frymëzoi Nuhun, Ibrahimin, Imailin, Is’hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain Ejubin, Junusin, Harunin, Sylejmanin, Davudin, të cilit edhe ia zbriti librin Zeburin, po ashtu e frymëzoi edhe Muhamedin, a.s. Allahu, xh.sh. thotë në Kuranin fisnik në shenjë të Isait, a.s.:
“Pastaj vazhduam pas tyre me të dërguarit Tanë, e pas tyre e dërguam Isain, të birin e Merjemes, dhe atij ia dhamë Inxhilin, e në zemrat e ithtarëve të tij dhuruam butësi e mëshirë, ndërsa murgërinë e shpikën ata vetë…” (Hadid: 27)
I zgjedhuri i fundit për pejgamber nga mesi i beni Israilëve ishte Isai, a.s., i cili lajmëroi edhe për ardhjen e Muhamedit, a.s., pas tij si pejgamber. Allahu, xh.sh., ia shpalli Inxhilin Isait, a.s., dhe në zemrat e ithtarëve të tij dhuroi butësi e mëshirë, e këta ishin havarijunët  apostujt, të cilët e kishin frikë Zotin, xh.sh., dhe ishin të mëshirshëm e me moral të lartë.(3)
As Musai, a.s., nuk ishte pejgamberi i fundit të cilit iu shpall libër prej Zotit, xh.sh., libër i shenjtë, siç pretendojnë hebrenjtë. Shpallja e Allahut, xh.sh., vazhdoi edhe pas tij, te pejgamberët e tjerë me radhë, ngase shumë popuj kishin devijuar nga ajo që kishte zbritur e urdhëronte Tevrati. Allahu, xh.sh., e dërgoi Isain, a.s., për pejgamber të parafundit, duke ia dhuruar (shpallur) edhe librin e shenjtë, Inxhilin, i cili kishte të njëjtin qëllim sikurse Tevrati: që njerëzit të largoheshin nga besimet e kota dhe ta besonin Zotin Një, duke u përkushtuar në tërë atë që Allahu, xh.sh., ka zbritur (shpallur) brenda librave të shenjtë. Për këtë na mëson edhe Kurani, përmes ajetit kuranor që e përmendëm më lart.
Isai, a.s., biri i Merjemes, u zgjodh pejgamber i parafundit, dhe atij iu shpall libër i shenjtë, iu shpall Inxhili, që kishte po të njëjtin qëllim që kishin edhe shpalljet e mëhershme te pejgamberët e mëparshëm: thirrjen e popullit beni Israil për besim në Zotin Një dhe adhurim të Tij, si dhe zbatimin në praktikë të tërë asaj që ishte shpallur në Inxhil. Mirëpo, shumica e popullit nuk e dëgjoi dhe nuk e besoi atë për të cilën u dërgua Isai, a.s., pra, nuk besuan në shpalljen e Allahut, xh.sh., me përjashtim të një numri të vogël besimtarësh.
Në Inxhil Allahu, xh.sh., kishte lajmëruar edhe për ardhjen e të dërguarit të fundit, Muhamedit, a.s. E tërë shoqëria njerëzore, përafërsisht për gjashtë shekuj, po priste momentin se kur do të vinte pejgamberi i premtuar prej Isait, a.s., dhe të merrnin fund edhe shumë padrejtësi. Allahu, xh.sh., thotë:
 “I Madhëruar qoftë Ai që ia shpalli Furkanin (Kuranin, dalluesin e të vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhamedit) që të bëhet pejgamber i botës (këshillues)!” (Furkan: 1) 


Kurani i vërteton shpalljet dhe librat e mëparshëm hyjnorë


Falënderimi gjithherë i takon Allahut, xh.sh. i Cili e zbriti Kuranin fisnik te njeriu më fisnik e më bujar, i cili jetoi dhe veproi me Kuran për sa ishte gjallë! Allahu, xh.sh., këtë libër ia shpalli pa asnjë të metë. Pra, në të nuk mund të ketë apo të gjendet ndonjëherë ndonjë mungesë, kontradiktë apo kundërthënie. Shpallja është e plotë dhe origjinaliteti i saj është ruajtur me saktësinë, vërtetësinë, qëndrueshmërinë dhe përhershmërinë më të madhe ashtu siç ka zbritur. Dhe pikërisht kjo e bën dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës, udhëzimit dhe humbjes, asaj që sot gjendet në librat e shpallur dikur dhe asaj që sot gjendet në Kuran. Këtë Kuran Allahu, xh.sh., ia shpalli, siç thotë Ai “Robit të Vet”, duke e cilësuar dhe duke e nderuar Muhamedin, a.s., me këtë atribut, se ai ishte adhurues i Allahut, xh.sh., dhe i zgjedhur i Tij i veçantë.
Allahu, xh.sh., e shpalli Kuranin si dallues i së mirës e i së vërtetës nga e pavërteta e gënjeshtra. Ai këtë ia shpalli robit të vet, Muhamedit, a.s., dhe e delegoi si shpallje për botën mbarë, pa dallim vendi, race apo gjuhe. Dhe, më e rëndësishmja, me këtë shpallje merr fund dërgimi i pejgamberëve, si dhe mbyllet dera e shpalljeve dhe e pejgamberisë. Allahu, xh.sh., thotë:
“Ai ta ka shpallur ty Librin me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai e ka zbritur Tevratin dhe Inxhilin, udhërrëfim për njerëz; e zbriti edhe Furkanin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). Ata që i mohojnë argumentet e Allahut s’ka dyshim se i pret ndëshkim i rreptë. Allahut është Ngadhënjyes, Shpagimtar!” (Ali Imran: 34).
Kurani me saktësinë e zbritjes vërteton çdo gjë që ka ndodhur më herët. Ai e vërteton edhe zbritjen e Tevratit dhe të Inxhilit, po edhe shpalljet e tjera.
Furkani (Kurani) është dalluesi i së mirës nga e keqja, i së vërtetës nga gënjeshtra e devijimi, si dhe udhëzuesi i vetëm i drejtë për besim në Zotin Një dhe adhurim të Tij. Të gjithë ata që në një apo mënyrën tjetër nuk e besojnë atë që i Madhi Zot, xh.sh., e ka zbritur (shpallur) te pejgamberët e tij, të tillët (jobesimtarët) do të ndëshkohen me ndëshkim të rëndë, kur në Ditën e Gjykimit do të dalin para Allahut, xh.sh., ngase ata i mohuan argumentet e zbritura prej Allahut, xh.sh. Allahu, xh.sh., thotë në Kuranin fisnik:
“Thuaj: “Kush është armik i Xhibrilit (është armik i Allahut), e ai me urdhrin e Allahut e zbriti Kuranin në zemrën tënde, që është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe udhërrëfyes e përgëzues për besimtarët.” (Bekare: 97) Çifutët thonë se Xhibrili është engjëlli që është armik i tyre, ngase ai ka zbritur urdhër për shkatërrim, çarje e plasaritje në mesin e tyre. Në fakt Xhibrili e ka zbritur të vërtetën te Muhamedi, a.s., e vërtetë e cila fakton të vërtetën e shpalljes apo zbritjes së fjalës së Allahut, xh.sh., edhe te Musai, a.s. Asgjë nuk shpallet, apo asgjë nuk mund të vijë pa urdhrin e Allahut, xh.sh., dhe çdo gjë e zbritur si nga urdhri, ashtu edhe nga përmbajtja, ka për qëllim udhëzimin e shoqërisë njerëzore për besim të drejtë dhe udhëzim për kryerjen e veprave të mira.


Besimi apo mohimi i pjesshëm si formë e mosbesimit


Nuk mund dhe nuk është e drejtë, madje është edhe e papranueshme në çdo kohë dhe çfarëdo rrethane, që Kurani, shpallja e Allahut, xh.sh., të besohet pjesërisht, apo të mohohet pjesërisht. Nëse vetëm një fjalë nga Kurani e mohojmë, duke thënë se nuk është prej Allahut, xh.sh., apo se është e gabuar, atëherë mohuesi konsiderohet jobesimtar. Pra, kush është armik i Xhibrilit, është armik edhe i Allahut, xh.sh. Apo, me një gjuhë tjetër, kush nuk e beson Xhibrilin se është engjëll i shpalljes, ai nuk e ka besuar as Allahun për Krijues të kësaj gjithësie, dhe i tilli ka bërë kufër  ka mohuar, prandaj i tilli edhe është jobesimtar.
Duhet ditur se Kurani është vërtetuesi i vetëm i shpalljeve të mëhershme, dhe se askush nuk mund të dijë rreth tyre më shumë sesa ajo që sjell Kurani. Zoti, xh.sh., thotë:
“Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit (ai është jobesimtar). Allahu pa dyshim se është armik i jobesimtarëve.” (Bekare: 98) 
Ata që ishin armiq të Xhibrilit dhe të asaj që ai solli, ata janë edhe armiq të Allahut, xh.sh. E, ata që janë armiq të Allahut, xh.sh., janë edhe armiq të engjëjve, të pejgamberëve, të Xhibrilit e Mikailit. Duhet ditur se Allahu është armik i atyre që mohojnë në atë që thërret Allahu, xh.sh., për t’u besuar dhe për t’u adhuruar, e Ai është Allahu Një i Vetëm. Allahu, xh.sh., thotë në Kuran:
“Ai ta ka shpallur ty Librin me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai e ka zbritur Tevratin dhe Inxhilin.” (Ali Imran: 3)
Pra, Zoti, xh.sh., është Ai që e zbriti Kuranin te Muhamedi, a.s., drejtuar njerëzimit mbarë, si dhe e zbriti Tevratin e Inxhilin dhe tërë shpalljet e tjera hyjnore, dhe Allahu, xh.sh., ka dashur që këto shpallje (libra të shpallur) prej Tij të jenë në mesin e brezave të shumtë, në mesin e popujve të caktuar dhe vende të caktuara. Këto shpallje e fletushka janë ruajtur e mësuar prej pjesëtarëve të shumtë në popujt ku ishin shpallur. Megjithatë, prapë vërehet se, bazuar në gjendjen dhe rrethanat e krijuara nëpër ato kohë të hershme, po edhe në problemet e shumta në mesin e shoqërive njerëzore, këto shpallje, me përjashtim të Kuranit, e humbën origjinalitetin e zbritjes.
Besimi i disa pjesëve nga libri i Allahut, xh.sh., dhe mohimi i disa pjesëve të tjera jo vetëm që e nxjerr njeriun nga besimi, por ai njeri është edhe i kërcënuar se në botën tjetër do ta ketë një dënim të ashpër, ndërsa në këtë botë do të ketë nënçmim dhe poshtërim. Këto vepra i bënë izraelitët, e që  Allahu, xh.sh., i kërcënoi. Mirëpo edhe besimtarët, nëse besimi i tyre në Kuran është i pjesshëm, do të vlerësohen njësoj.
“…A besoni në një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni?! Ç’mund të jetë ndëshkimi ndaj atij mes jush që punon ashtu përveçse poshtërim në këtë jetë, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni.” (Bekare: 85)
Madje, disa njerëz devijojnë duke thënë se edhe të tjerët janë besimtarë. Sidomos kur flasin për hebrenjtë dhe të krishterët, duke arsyetuar se edhe ata i besojnë pejgamberët siç i besojnë myslimanët, si Musain, a.s. (Moisiun) apo Isain, a.s. (Jezusin)! Mirëpo, duhet ditur se besimi i tyre nuk është i kompletuar edhe ndaj pejgamberëve të tjerë të Allahut, xh.sh., sepse ata i besojnë disa pejgamberë, e disa jo. Çifutët i besojnë pejgamberët deri te Musai, a.s., ndërsa nuk e besojnë Isain, a.s., e as Muhamedin a.s., si pejgamberë të Zotit, xh.sh., ndërsa të krishterët i besojnë pejgamberët deri tek Isai, a.s., ndërkaq e mohojnë pejgamberin e fundit, Muhamedin, a.s. Pra, dëshirojnë të bëjnë dallime ndërmjet pejgamberëve, duke i besuar disa, dhe duke i mohuar disa të tjerë. Dhe kështu besimi i tyre i pjesshëm rezulton jo i plotë, përkatësisht mbeten jobesimtarë. Allahu, xh.sh., këtyre dhe të ngjashmëve u thotë: 
“S’ka dyshim se ata që nuk e besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dëshirojnë të bëjnë dallim mes Allahut dhe të dërguarve të Tij, dhe thonë: “Ne i besojmë disa, e nuk i besojmë disa të tjerë.” E mes këtij duam të marrin një rrugë. Të tillët janë jobesimtarë të vërtetë, e Ne kemi përgatitur dënim të fortë e nënçmues për jobesimtarët.” (Nisa: 150-151).
Mosbesimi i njërit prej pejgamberëve të Allahut që është përmendur në Kuran, për besimtarin mysliman konsiderohet gabim, pra, ai bëhet jobesimtar, siç edhe u pa nga ajeti i lartpërmendur.
Kurani, si libri i fundit i shpallur prej Allahut, xh.sh., na lajmëroi edhe për shumë gjëra të zbritura në librat e mëparshëm, të cilat ose i larguan, ose i zëvendësuan me mendime e propozime prej tyre. Kështu vjen deri te përzierja e shprehjes hyjnore me mendimet e njerëzve të ndryshëm dhe librat e mëparshëm, siç na lajmëron Kurani, dhe e humbin origjinalitetin e zbritjes. Prandaj edhe sot ato shpallje që gjenden te besimtarët e besimeve të tjera, te pasuesit e librave, pavarësisht se cilës fe i takojnë, nuk mund të besohen prej myslimanëve si libra të shenjtë, ngase njerëzit kanë futur mendimet e tyre brenda atyre librave, e kanë devijuar fjalën e Allahut, xh.sh., dhe çfarë nuk u ka pëlqyer ata e kanë larguar nga libri, duke mos e ruajtur në formën origjinale të zbritjes. 
Nëse pyetemi për librat e shenjtë, duhet të përgjigjemi në këtë mënyrë: Myslimani beson në librat dhe fletushkat e shpallura dhe të zbritura prej Allahut, xh.sh., pa kurrfarë dallimi në mes tyre. Pra, myslimani beson në librat që kanë zbritur, e jo në librat që sot konsiderohen të shenjtë (zbritur) dhe që gjenden në duart e të krishterëve dhe në duart e çifutëve, e që sipas tyre konsiderohen se janë ruajtur. Besimi në librat e shenjtë është një nga kushtet e besimit në fenë islame. Allahu, xh.sh., thotë:
“O ithtarë të librit, te ju erdhi i dërguari Ynë, që jua sqaron shumë nga ato që fshihni nga libri, e për shumë nuk ju jep sqarime. Te ju erdhi dritë dhe libër i qartë prej Allahut.” (Maide: 15)
Pra, Allahu, xh.sh., sikur thotë: O ju ithtarë të librave të mëparshëm, ju ithtarë të Tevratit e të Inxhilit, hebrenj e të krishterë, te ju ka ardhur i Dërguari Ynë i fundit, Muhamedi, a.s., i cili jua shpjegon shumë nga ato që i keni fshehur e devijuar nga librat e mëhershëm e të shpallur prej Allahu, xh.sh.! Te ju, prej Allahut, xh.sh., erdhi drita, e ajo dritë është Kurani, është Islami, është Muhamedi, a.s., që para jush e ndriçojnë rrugën e drejtë e të vërtetë, rrugën e udhëzimit e të ardhmërisë së sigurt. Prandaj, besoni në atë që porosit Allahu, xh.sh., dhe largohuni nga besimet e kota, ngase besimi apo mohimi i pjesshëm në Islam, i fjalës së Zotit, xh.sh., konsiderohet mosbesim!

1. Ebu Fadl Shihabudin Sejjid Mahmud el Alusi el Bagdadi, Ruhul Meani, (Dar El Fikr: p.v.b.), 4/218.
2. Muhamed Mahmud Hixhazi, Et tefsir el vadih, (Kajro; Universiteti i Az’-harit, b. 9, 1978), f. 87.
3. Tefsir El Kuranil adhim të Ibën Kethirit, botuar në Bejrut, 1969, f. 314.

Takvim 1445-1446
Kalendar 2024

Exit mobile version