Konteksti politik e shoqëror në Ballkanin Perëndimor përcakton në masë të madhe edhe qëndrimin politik karshi zhvillimeve në botë. Si shoqëri e shtete të dala nga lufta të përgjakshme dhe ende sot e kësaj dite të pakonsoliduara e me paqe të diskutueshme, shtetet ballkanike në përgjithësi ndoqën linjën e interesave vetanake karshi zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Blerim HALILI, Prishtinë
Specifikat dhe natyra e konfliktit
Konflikti Izrael-Palestinë, i cili u kthye në qendër të vëmendjes botërore muajve të fundit, ka një natyrë komplekse, zbërthimi i së cilës nuk është i lehtë për shumë arsye. Vrasja e një numri të madh të civilëve dhe rreziku potencial për zgjerimin e konfliktit në rajon ishin arsyet kryesore pse bota ndoqi me vëmendje zhvillimet që nga dita e parë. Megjithatë, reagimi diplomatik dhe hapat konkretë të fuqive vendimmarrëse në shërbim të ruajtjes së paqes dhe jetës së civilëve të pafajshëm lë shumë për të dëshiruar. Në thelb, ky konflikt përfshin në vete edhe elementin etnik, edhe atë fetar, por kjo nuk është e tëra. Krahas një ngjyrimi identitar e ideologjik, ky konflikt dhe qëndrimet e pjesës tjetër të botës ndaj tij përcaktohen në masë të madhe edhe nga një gamë e tërë e relacioneve ekonomike dhe interesave gjeostrategjike të fuqive botërore për prani dhe dominim në rajon. Tërë historia e formësimit politik dhe ekomomik të Lindjes së Mesme është e lidhur pashmangshëm edhe me qendrat e vendimmarrjes botërore, të cilat zbatojnë politikat në atë pjesë të botës sipas interesave dhe kalkulimeve vetanake. Mjafton të hedhësh një vështrim mbi historinë e kolonializmit në atë rajon që ta kuptosh se sa e thellë është prania dhe ndikimi i fuqive me histori koloniale në atë rajon. Çdo konflikt në botë i ka specifikat e veta, që lindin nga rrethanat shoqërore, historike e ekonomike, të cilat e karakterizojnë atë rajon. Edhe konflikti Izrael-Palestinë i ka disa specifika që e bëjnë të dallueshëm. Ani pse në secilin konflikt jetët e humbura janë të shenjta dhe vlera e jetës njerëzore në parim është e barabartë, mënyra se si manifestohet dhe si përjetohet konflikti nga palët e treta nuk është e njëjtë për të gjitha rastet. Këtë, në masë të madhe, e determinon historia, zgjatimi në traditën dhe gjurmët historike i popujve të përfshirë, më pas gjeografia, konteksti gjeopolitik i kontinentit, mbase edhe vendbanimit të popujve, momentumi aktual botëror e faktorë të tjerë. Në rastin në fjalë të dy popujt ose aparatet politiko-ushtarake të dala nga të dy popujt e përfshirë në konflikt u përkasin dy feve të mëdha botërore, Islamit dhe Judaizmit. Kjo, në mënyrën e përjetimit të konfliktit në suaza tejkontinentale, e implikon patjetër elementin fetar, vëllazërinë fetare dhe sentimentin emocional të besimtarëve, mbase edhe të përkatësisë qytetërimore. Konteksti gjeografik është po ashtu specifik. Ai u përket tokave të shenjta, ku janë shfaqur profetët e feve të mëdha dhe kanë vënë themelet e besimit monoteist. Për myslimanët, xhamia “Al-Aksa” në qytetin e vjetër të Jerusalemit (Kudsit) është xhamia e tretë e shenjtë në botë. Kjo ndjesi përcakton lidhjen shpirtërore me traditën fetare, e cila besimtarët nuk i lë të qetë në ndërgjegje teksa shohin krimet që bëhen në tokën e shenjtë mbi njerëz të pafajshëm, fëmijë, gra e pleq. Ndërsa momentumi botëror është fatkeqësia për çështjen palestineze, ngase është evident një relativizim i konfliktit dhe një reagim i ftohtë nga shumica dërrmuese e botës vendimmarrëse. Ky reagim i ftohtë dhe mungesa e dënimit të qartë të dhunës, që ushtrohet nga të dyja palët, bëri që të ngrihen shumë kritika e reagime publike, madje edhe në mesin e qytetarëve në vendet, qeveritë e të cilave ishin të njëanshme ose indiferente ndaj tragjedisë që po ndodhë.
Reagimi perëndimor dhe ai arab
Duket se reagimi diplomatik i bllokut perëndimor, me përjashtime, nuk është në linjë me principet humane që promovon ai. Kjo ishte kritika kryesore drejtuar vendeve perëndimore për heshtjen dhe njëanshmërinë e shfaqur ndaj këtij konflikti. Ka një relativizim të qartë ndaj viktimave në anën palestineze. Në këtë pikë shfaqet kontradikta ndërmjet botës epistemologjike dhe kornizës filozofike perëndimore, pra principeve human(ist)e e liberale që promovon civilizimi perëndimor, nga njëra anë, dhe arsyetimit ose heshtjes karshi vrasjes së civilëve dhe fëmijëve, nga ana tjetër. Dhe, ky hendek problematik dhe i pariparueshëm ndërmjet opusit ontologjik e epistemologjik që shtrihet nga filozofia, letërsia, arti dhe mendimi politik, nga njëra anë, dhe godinës politike e aparatit shtetëror, nga ana tjetër, pa dyshim që shqetëson ndërgjegjen e një bote që vërtet beson në liri, drejtësi dhe barazi. E drejta për vetëmbrojtje dhe e drejta për të jetuar nuk definohen qartë në diskursin e gjykimeve politike, diplomatike e publike për Palestinën, ndonëse e para nuk do të mund ta shkelte të dytën, për sa kohë që të dyja janë të shenjta. Pjesa më e errët e këtij konflikti është vrasja e civilëve të pafajshëm, Prandaj në thelb të gjykimeve politike e publike mbi këto zhvillimet do të duhej të merrej referencë principi human, liria, e drejta e jetës, e drejta ndërkombëtare.
Mundësia për zgjerim të konfliktit përcaktohet nga qëndrimi i shteteve fqinje. Reagimi për mbrojtjen e jetës së civilëve nuk do të duhej të nënkuptonte veprime radikale, që do të shkaktonin eskalimin e konfliktit, por masa të tjera diplomatike e ekonomike për ta kushtëzuar paqen. Bota arabe, me disa përjashtime, ka dështuar të jetë faktor ndikues në ruajtjen e paqes në atë rajon. Ajo nuk e kontrollon as vetveten, aq më pak situatën në Palestinë. Elita të komprometuara e të zhytura në korrupsion politik dhe ekonomik nuk mund të jenë bartëse e mbrojtëse të lirisë dhe paqes. Palestina jo që është e vetme, pra pa botën arabe në mbijetesën e saj, por edhe është viktimë e grupeve luftuese, e “grupeve të rezistencës”, përshirë të dy krahët e mëdhenj politikë e politiko-ushtarakë që e kontrollojnë pjesën më të madhe të territoreve palestineze, që me hapa absurdë e me taktika të papranueshme e komprometojnë dhe delegjitimojnë edhe çështjen palestineze.
Reagimi ballkanik
Konteksti politik e shoqëror në Ballkanin Perëndimor përcakton në masë të madhe edhe qëndrimin politik karshi zhvillimeve në botë. Si shoqëri e shtete të dala nga lufta të përgjakshme dhe ende sot e kësaj dite të pakonsoliduara e me paqe të diskutueshme, shtetet ballkanike në përgjithësi ndoqën linjën e interesave vetanake karshi zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të reduktohen në dhe nuk i përmbahen tablosë strikte të raporteve klasike identitare në sensin fetar e qytetërimor. Ka një mbivendosje identitetesh, ku interesi politik e strategjik vendoset si kriter për gjykimin e një zhvillimi në botë. Dhe, pikërisht në këtë moment del në pah antagonizmi ose përplasja ndërmjet gjykimit moral e human, në njërën anë, dhe atij politik e strategjik, në anën tjetër. Projekti politik për shtetin është primar në diplomaci, ndonëse nuk do të duhej t’i kalonte limitet e përcaktuara ndërkombëtarisht mbi të drejtën e jetës, lirinë dhe paqen. Është e kuptueshme se impakti konkret ballkanik në atë konflikt është zero. Prandaj orientimi dhe gjykimi mbi ato zhvillime më shumë ndikon në vetë fatin dhe rreshtimin politik të popujve ballkanikë sesa në vetë konfliktin si të tillë. Aq më tepër në rastın e botës shqiptare, e cila po konsolidohet si e tillë falë aleancës së fortë me bllokun euro-atlantik, rreshtimi në krahun e aleatëve është krucial për konsolidimin e mëtejmë, sigurinë, mbrojtjen dhe zhvillimin. Kjo nuk është zgjedhje, dëshirë, por nevojë jetike për projektin politik dhe ekzistencën tonë kombëtare. Nga ana tjetër, më e pakta që do të mund të bënte bota ballkanike dhe ajo shqiptare në veçanti, pa dëmtuar aleancën dhe rreshtimin me botën perëndimore, krahas zbërthimit me dy fjalë më shumë përtej shabllonit “e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje”, do të ishte një lloj gjykimi human kundër vrasjes së civilëve të pafajshëm, për ndërprerjen e konfliktit dhe në plan afatgjatë deklarimi për përkrahjen e një zgjidhjeje me dy shtete në atë rajon. /revistashenja