Lindita Nikolla u zgjodh si kryetare e Kuvendit, me 79 vota, që nënkupton një rrjedhje votash përtej mazhorancës.
Ndërkohë që në Kuvend po votohej në mënyrë të fshehtë propozimi i Nikollës si kryetare të atij institucioni, nuk munguan disa sinjale interesante edhe tek vendimi për të votuar ose për ta djegur atë të drejtë.
Deputetët e Partisë Demokratike kanë zgjedhur të grisin fletën e votimit, ndërkohë që një qëndrim i tillë nuk pasqyrohet tek disa nga aleatët opozitarë.
Kreu i PBDNJ Vangjel Dule ka zgjedhur të ushtrojë të drejtën e votës, duke deklaruar se votoi kundër, ndërkohë që diçka e tillë u vu re edhe nga Monika Kryemadhi dhe Flamur Çela të LSI-së, të cilët po ashtu deklaruan më pas se votuan kundër.
Ndërkohë, lideri i mazhorancës Edi Rama gjatë votimit të tij me një akt demonstrativ ka zgjedhur të mbledhë votat e grisura nga opozita, duke ia dorëzuar deputetit të PD-së Belind Këlliçi.
Menjëherë pas shpalljes së Nikollës si kryetare e Kuvendit, opozita ka zgjedhur të braktisë sallën e Parlamentit, duke mos qenë të pranishëm gjatë fjalës së kreut tëri të atij institucioni.