Ligjvënësit francezë pritet ta rrëzojnë sot qeverinë e Barnier

Michel Barnier

Ligjvënësit francezë janë të sigurt se do të rrëzojnë qeverinë me një mocion mosbesimi të mërkurën, duke e zhytur fuqinë e dytë më të madhe ekonomike të eurozonës më thellë në trazira politike.

Qeveria e kryeministrit Michel Barnier pritet të jetë e para në Francë që do të detyrohet të largohet nga një votë mosbesimi në më shumë se 60 vjet, dhe në një kohë kur vendi po përpiqet të zbusë një deficit masiv buxhetor, raporton Reuters.

Rrëzimi i qeverisë në Francë parashihet të shkaktojë probleme në Bashkimin Evropian në një kohë kur edhe Gjermania është gjithashtu e dobësuar dhe shumë pranë zgjedhjeve dhe po ashtu kur presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.  

Votimi i mocionit nga ligjvënësit francezë pritet të ndodhë rreth tri orë pas nisjes së seancës, e cila është paraparë të fillojë punimet të mërkurën në ora 16:00.

Në një intervistë televizive të martën, Barnier ka thënë se ai ende beson se qeveria e tij mund t’i mbijetojë votimit.

Por kryetari i partisë së ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” Jordan Bardella konfirmoi të mërkurën se partia e tij do të votojë për të rrëzuar Barnier së bashku me partitë e krahut të majtë.

Ai ka shtuar se optimizmi i Barnier tregon se qeveria është “plotësisht jashtë kontaktit me atë që po ndodh në vend”.

“Kjo qeveri është e rrezikshme për vendin tim”, ka thënë ai për radion France Inter. 

“Ne do të votojmë mocionin e mosbesimit”, ka shtuar Bardella. 

Presidenti Emmanuel Macron, i cili fitoi një mandat të dytë në vitin 2022, përshpejtoi krizën duke thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor.

Mandati i tij si president zgjat deri në mesin e vitit 2027 dhe ai nuk mund të detyrohet të largohet nga parlamenti, por “Tubimi Kombëtar” dhe e majta e fortë tashmë kanë thënë se ai duhet të japë dorëheqjen pasi ai përballet me krizën e tij më të madhe që nga trazirat popullore të Jelekëve të Verdhë të periudhës 2018-2019.