Ligji për liritë fetare u neglizhua qëllimisht nga institucionet shtetërore

Ligji për liritë fetare, sipas Ambasadës Amerikane dhe shteteve të Quintit është një prej obligimeve që duhej ta përmbyllte Kuvendi i Kosovës para se të përfundonte këtë legjislaturë.

Mirëpo, me rrëzimin e Qeverisë dhe shpërndarjen e Kuvendit, ky Projektligj do t’i mbetet legjislaturës së ardhshme.

Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se lajmi se Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për liritë fetare është një lajm i favorshëm për të gjitha bashkësitë fetare, pasi si tha, ato që nga paslufta nuk e kanë të njohur personin juridik, shkrun Arbresh.info.

“Lajmi se Qeveria e Kosovës pati miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr.-2/L-31 për liritë fetare, ishte lajm i favorshëm, pasi që një gjë e tillë është pritur një kohë të gjatë nga të gjitha bashkësitë fetare dhe është kërkuar me ngulmë, pasi ato që nga paslufta nuk kanë pasur të njohur personin juridik në Republikën e Kosovës”, është shprehur Koliqi.

Ai ka thënë se ky ligj ka pasur variante më të mira por prapë e kanë mbështetur variantit aktual pasi që sipas tij është e domosdoshme për funksionimin e ligjshëm të bashkësive fetare në një vend demokratik.

“Edhe pse për Kishën Katolike ky Projektligj ishte një variant jo më i miri i mundshëm, sepse gjatë këtyre viteve të punës së komisionit për përpilimin e ligjit, ka pasur disa variante më reale dhe më përmbajtjesore, por sido që të jetë, ne në parim e kemi mbështetur, pasi kemi konstatuar se një kornizë ligjore, edhe pse me mangësi, është e domosdoshme për funksionimin e ligjshëm të bashkësive fetare në një shtet demokratik modern”, ka shtuar ai.

Koliqi më tutje ka thënë se mos miratimi i këtij Projekligji në Kuvend është si pasojë e mungesës së përgjegjësisë legjislaturës së fundit.

“Mosmiratimi në Parlament ka treguar mungesë përgjegjësie dhe vizioni të deputetëve për të kryer me ndërgjegje punën e tyre. Për fat të keq, ishte një dështim i ripërsëritur në Parlamentin tonë si pasojë e pranisë së personave që ju mungon një kulturë edhe religjioze”, ka shtuar Koliqi.

Ndërsa profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti ka thënë për Arbresh.info se faktori kryesor për mospërpilimin dhe vonimin e aprovimit të këtij Ligjit për Liritë Fetare është neglizhenca nga institucionet e Kosovës dhe përgjegjësitë e saj.

“Faktorët kryesor të vonesës së përpilimit dhe aprovimit të Ligjit mbi Pozitën Juridike të Bashkësive Fetare në Kosovë janë institucionet dhe përgjegjësit e saj, gjegjësisht neglizhenca dhe moskujdesi i duhur i tyre në këtë drejtim. Është e pa justifikueshme lënia kaq e gjatë e kësaj zbrazësie juridike për komunitetet fetare aktive në Kosovë”, është shprehur Hamiti.

I pyetur për rëndësinë e këtij ligji ai ka thënë se është i rëndësishëm për komunitetet fetare të cilat ‘de-fakto’ ekzistojnë, ndërsa ‘de-juro’ ende nuk kanë një status të qartë juridik.

“Në rend të parë është i rëndësishëm për vet komunitetet fetare, të cilat ‘de-fakto’ ekzistojnë ndërsa ‘de-juro’ ende nuk kanë një status të qartë juridik në kuadër të institucioneve të reja demokratike të vendit. Ndërsa për Kosovë nuk është një plotësim i legjislaturës së saj të përgjithshme funksionale, duke normëzuar punën e çdo institucioni brenda kornizave ligjore”, ka përfunduar ai.

Arbresh.info ka tentuar të kontaktojë edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës, por ata vazhdimisht kanë shtyer kohën e kthimit të një përgjigje rreth Ligjit për lirtië fetare.