Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ligji i Macron për vaksinat e detyruara/ Makina të djegura në protestat...

Ligji i Macron për vaksinat e detyruara/ Makina të djegura në protestat masive në Paris

Protestuesit në Paris u sulmuan me gaz lotsjellës gjatë demonstratave të dhunshme kundër ligjit të ri që bën të detyrueshme vaksinat e Covid-19 për punonjësit e shëndetësisë, dhe kërkon pasaporta vaksine për të hyrë në bare e restorante.

Qindra pronarë kafesh, prindër e punonjës shëndetësie që thërrisnin “Liri! Liri!’, dolën në rrugë në Ditën e Bastijës kundër planeve të kontestuara të presidentit Macron, të prezantuara kësaj jave.

Turmat e mëdha u konfrontuan me policinë me veshje të rënda, e cila lëshoi gaz lotsjellës për të ndalur grupet.

Disa nga protestuesit dogjën një ekskavator dhe përmbysën kazanët e mbeturinave.

Presidenti Macron kishte premtuar në prill se pasaportat e vaksinave ‘nuk do të përdoren kurrë për të përçarë francezët’. Por tani kryeministri i tij kërkon që sallat e koncerteve, baret e restorantet të kërkojnë provë vaksinimi ose test negativ PCR, me qëllim rritjen e interesit për vaksinimet në vend.

Sipas raportimeve kufizimet do të zgjerohen në gusht me kërkesa të ngjashme për transportin publik, shtëpitë e kujdesit, baret e restorantet.

Nga 15 shtatori në Francë kërkohet që të gjithë punonjësit e shëndetësisë të jenë të vaksinuar.

Macron thotë se për masat e tij ka marrë nxitje nga këshillat e vetë doktorëve për kufizimin e përhapjes së virusit.

Duke folur kësaj jave, Macron tha: “Nëse nuk veprojmë sot, numri i rasteve do të vazhdojë të rritet”.

Por kritikët dënojnë presidentin për zhveshjen e një pjesë të popullatës nga të drejtat e saj, dhe se po diskriminon ndaj atyre që nuk kanë bërë vaksinën. /tch

Exit mobile version