Ballina Autorë Opinione Ligjësitë e mëvetësishme të letërsisë

Ligjësitë e mëvetësishme të letërsisë

Bardhyl Zaimi

Aspektet teorike mbi natyrën e letërsisë dhe mbi atë se çfarë përfaqëson letërsia, si kudo në botë në rrafshin letrar, janë prodhuar nga polemikat mes autorëve të caktuar. Në letrat shqipe, si shembull më tipik se çfarë përfaqëson letërsia, poezia, është polemika mes Mitrush Kutelit dhe Krist Malokit, e zhvilluar në revistën “Përpjekja” të drejtuar nga Branko Merxhani. Vitet e 30-ta njohin realisht një dinamikë të jashtëzakonshme të teorizimit mbi letërsinë, duke sjellë qasje të reja, paradigma të reja mbi qenësinë e shkrimtarisë, të alternuara nga qasjet më moderne të asaj kohe në nivel botëror. Fatkeqësisht, kjo traditë prodhimtare e debatit mbi letërsinë që zhvillohej në një peizazh të pasur gazetash dhe revistash do të shembej keq me ardhjen e komunizmit në Shqipëri.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Në përpjekjen për të definuar teorikisht vlerësimin mbi letërsinë të kuptuar si strukturë gjuhësore në funksion të vetë letërsisë, siç realisht mund të vërehet në të gjitha paradigmat moderne, përvijohen koncepte më të hershme mbi qenësinë e letërsisë, mbi atë se çfarë përfaqëson letërsia dhe si mund të interpretohet ajo.

Kjo lakore e përpjekjes për ta definuar atë se çfarë përfaqëson letërsia nis që me “Poetikën” e Aristotelit, duke u përvijuar në konceptet klasiciste mbi letërsinë, mbi perceptimin dhe interpretimin sipas koncepteve estetike dhe të poetikave të veçanta të periudhave të ndryshme kohore, për të vazhduar tek teoritë më moderne.

Pikërisht në këtë drejtim ne njohim edhe veprën e parë teorike letrare të Aristotelit “Poetika”, e cila është një lloj diskutimi, dialogu dhe polemike me konceptin që kishte Platoni mbi krijuesit dhe letërsinë që më tepër shtrihej në rrafshin filozofik, ndërkohë që koncepti teorik i Aristotelit ishte më praktik.

“Poetika” e Aristotelit, gjegjësisht mimezisi i tij në kundrimin e veprës letrare, që nënkupton imitimin e realitetit nga ana e krijuesit, në fakt paraqet veprën e parë teorike mbi letërsinë që shqyrton anën praktike të veprës, ndërkohë që Platoni përfaqëson linjën tjetër të receptimit të letërsisë që ndërlidhet me konceptin filozofik, gjegjësisht më atë që më pas do zhvillohet si estetikë.

Këto shtresëzime teorike paraprake vijnë deri në shekullin XX, atëherë kur realisht edhe fillojnë të formësohen teoritë moderne letrare, duke filluar nga formalizmi rus, strukturalizimi, poststrukturalizimi, Kritika e Re, qasje psikanalitike në letërsi dhe shumë qasje tjera që shënojnë fundin e poetikës dhe estetikës si koncepte teorike letrare në radhë të parë, por edhe të qasjes pozitiviste që letërsinë e ndërlidhte me shfaqje tjera jashtëletrare. E parë në këtë vijë, poetika dhe estetika do të nëpërduken gjatë tërë kohës, por tashmë të rimarra nga teoritë moderne dhe të zhvilluara në thellësi të tjera studimi.

Teorizimet mbi letërsinë gjithnjë janë përcjellë me polemika të shumta. Polemika mbetet një dukuri teoriko-letrare, e cila në momente të caktuara, në periudha të dhënë të historisë së letërsisë ka prodhuar qasje kundërvënëse argumentimesh teorike që kanë përkufizuar një definim tjetër në lëmin e dijes mbi letërsinë.

Gjatë tërë kohës, shkrimtarë të periudhave të ndryshme do të parashtrojnë konceptet e tyre teorike-estetike të receptimit të letërsisë, të cilat do të vijnë në formë kundërshtimesh argumentuese. Jo gjithmonë, tonet e polemikës do të jenë të atillë siç jemi mësuar ne t’i njohim për problematika të caktuara. Polemika në letërsi shfaqet herë-herë si një kundërvënie argumentuese e konceptuale e qetë, duke ndjekur një procedim logjik dhe një origjinalitetit në të kuptuarit e letërsisë.

Përgjithësisht, edhe letrat shqipe, mendimi publik shqiptar, gjatë gjithë ekzistencës së tyre, do të njohin fenomenin e shkrimtarit kritik, shkrimtarit-mendimtar, shkrimtarit vlerësues të letërsisë. Ky fenomen nis që me shkrimet e para shqipe, vazhdon përgjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, ndërsa fuqizohet gjatë periudhës 1912-1945.

Fenomeni i shkrimtarit kritik në letrat shqipe njeh vazhdimësi dhe në të njëjtën kohë njeh një shpërthim sidomos gjatë viteve të 30-ta.

Sigurisht, ky fenomen nuk është tipik shqiptar. Përkundrazi, rrënjët e këtij fenomeni janë në krijimtarinë e përbotshme letrare, duke filluar nga antika e këndej. Secila periudhë letrare, secili komb, e ka njohur fenomenin e shkrimtarit kritik, shkrimtarit vlerësues të letërsisë. Në të gjitha epokat, shkrimtarët, pos me krijimtari, janë marrë edhe me aspektin teorik të letërsisë, gjegjësisht me vlerësimin e letërsisë.

Trajektorja e mendimit teorik mbi letërsinë

Dhe, ky mendim teorik mbi letërsinë nis që nga antika, me Homerin, i cili në një pjesë të tij “Këngëtari i frymëzuar nga perëndia” jep vlerësimet e para mbi statusin e krijuesit.

“Muza i flet këngëtarit që t’i këndojë lavdisë së heronjve

Ato këngë që mbërrijnë në qiell me lavdinë e tyre

Se si Odiseu flet me Akilin”

Mendimi teorike mbi letërsinë do të gjejmë edhe te Aristofani në pjesën “Mosmarrëveshjet e Eskilit dhe Euripidit”, ku nëpërmjet një dialogu jepen qëndrimet e dy autorëve grekë mbi artin e fjalës.

Edhe mesjeta e Dante Aligerit nuk është pa mendimin teorik për letërsinë. Pikërisht Danteja, në shkrimin “Katër kuptimet e fjalës”, flet për nivelet e përdorimit të fjalëve, që mund të jenë tekstuale, alegorike, morale dhe anagoge. Danteja e definon kësisoj poezinë: “Ajo nuk është asgjë tjetër, përveçse fiksion retorik i bartur në muzikë” .

Edhe shkrimtarët e renesancës do të merren me aspektin teorik të artit. Petrarka do të flasë për stilin, ndërsa Bokaço do të dalë në “mbrojtje të poezisë”. Janë mendime teorike të krijuesve, të cilat sigurisht përveçse mbajnë vulën e kohës, gjithashtu hapin edhe horizonte tjera receptimi që përvijohen nga një periudhë kohore në tjetrën.

Gjatë periudhës së romantizmit, mendimi i shkrimtarëve do të jetë më i pranishëm. Për artin e poezisë dhe letërsinë, përgjithësisht, do të flasin Shileri, Novalisi, Gëte, Hygo etj.

Shkrimtarët e kësaj periudhe letrare do të flasin për krijimtarinë letrare në kohën kur në rrafshin e diskutimeve teorike tashmë po lulëzonin qasje të konsoliduara estetike dhe poetike. I kësaj kohe është edhe Sent Bevi.

Në historinë e mendimit letrar mbetet i pashmangshëm Edgar Alan Poe, me esenë “Filozofia e kompozicionit” (1846), nëpërmjet së cilës ai e shpjegon origjinën e frymëzimit dhe të shtëllisjes poetike të “Korbit” të tij të famshëm. Paraprakisht, ky autor amerikan vendosi kritere të tjera në konceptimin e krijimtarisë letrare.

Edgar Alan Po ishte shkrimtari i parë i madh amerikan që në mënyrë eksplicite u vu në mbrojtje të autonomisë së poezisë, çlirimin e poezisë nga detyrimet morale, arsimore ose intelektuale. Strategjia e tij themelore për perceptimin e një autonomie të tillë ishte ta shihte poezinë jo si një objekt, por si një seri efektesh.

Edhe në Francë, një brez krijuesish, të mbledhur rreth Manifestit të simbolistëve të shkruar nga Jean Moreas, po promovonin një qasje tjetër, një perceptim tjetër mbi poezinë, e cila njëkohësisht refuzonte romantizmin, por edhe realizmin si paradigma letrare. Realisht, në këtë periudhë fillon debati i madh mbi atë se çfarë përfaqëson gjuha poetike, çfarë është raporti i saj me botën, me realitetin.

Malarmeja e hodhi poshtë idenë mbi të cilën u krijua realizmi, idenë se gjuha ishte referenciale dhe që fjalët ishin disi shenjat e një realiteti të dhënë. Realiteti është një interpretim nga një perspektivë e veçantë dhe për Mallarmenë një poezi është pjesë e realitetit dhe në të vërtetë ndihmon për të krijuar realitet.

Tradita e mendimit teorik shqiptar mbi letërsinë

Pa diskutim mendime mbi atë se çfarë përfaqëson letërsia dhe cili është roli i saj do të gjejmë edhe te shumë autorë shqiptarë të traditës, ndërkohë që në vitet e 30-ta ky mendim fillon të konsolidohet si suazë teoriko-letrare, me emra eminentë, duke filluar me Konicën, si një themelvënës i kritikës letrare, e duke vazhduar me Kutelin, Krist Malokun, Branko Merxhanin, Vangjel Koçën dhe shumë të tjerë. Pikërisht gjatë kësaj kohe do të shfaqet edhe një raport tjetër mes lexuesit shqiptar dhe letërsisë. Ky raport kishte njohur më parë një lexim tjetër të letërsisë që ndërlidhej me funksionalitetin e letërsisë.

Këtë problematikë e shtjellon studiuesja Dhuara Shehu, e cila në shkrimin “Rileximi i letërsisë shqipe” vë në dukje se “letërsia shqipe kishte karakteristikë themelore funksionalitetin, pasi kjo lidhet me qëllimësinë e dërguesve (shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare). Marrësit (lexuesit e letërsisë shqipe të asaj periudhe), në fillim të pavetëdijshëm për këtë funksionalitet, filluan të bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm se vlera e letërsisë qëndron pikërisht te funksionaliteti i saj”. Sipas saj, teksti letrar si shprehje e subjektivitetit të ndërtuesit për t‘u dekodifikuar përmes një subjekti tjetër ishte reduktuar në maksimum.

Sipas saj, situata e marrëdhënies së lexuesit shqiptar me letërsinë fillon të ndryshojë në vitet e 20-30-ta të shekullit të njëzetë. “Vetëdija kritike merr rolin e emancipueses së lexuesit pikërisht në këto vite. Shkrimet e famshme të Konicës, Kutelit, Malokit, Pipës, Vangjel Korçës, etj., janë dëshmi për këtë prirje”, thekson Shehu.

Probleme teorike të artit letrar do të parashtrojë edhe humanisti shqiptar Marlin Barleti, i cili në parathënien e veprës “Rrethimi i Shkodrës” do ta rikujtojë Horacin, duke teorizuar brenda kohës mbi poetikën e tij. Barleti do të teorizojë mbi të dobishmen dhe të këndshmen: dolce et utile:

“Ai përpiqet që veprat e tij të zgjojnë ndjenjën e kënaqësisë sa i përket artit të shkrimit dhe që kjo, njëherësh të jetë e dobishme në kuptimin historik, pra ta ngrisë vetëdijen për ato ngjarje të mëdha e personalitete që i përshkruan”, shkruan Ibrahim Rugova në veprën “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare, 1504-1983”.

Gati të gjithë autorët e letërsisë shqipe, përkrah krijimtarisë letrare, brenda kohës kanë teorizuar edhe mbi të kuptuarit e letërsisë. Sikurse edhe te popujt tjerë, deri në shekullin XIX, vlerësimet mbi letërsinë dhe mbi funksionalitetin e saj janë bërë nga vetë krijuesit.

Gjithsesi, aspektet teorike mbi natyrën e letërsisë dhe mbi atë se çfarë përfaqëson letërsia, si kudo në botë në rrafshin letrar janë prodhuar nga polemikat mes autorëve të caktuar. Në letrat shqipe, si shembull më tipik se çfarë përfaqëson letërsia është polemika mes Mitrush Kutelit dhe Krist Malokut, e zhvilluar në revistën “Përpjekja” të drejtuar nga Branko Merxhani. Realisht, janë dy qasje kundërshtuese, që me eksplorime të shumta teorike dhe me njohje të thella krijojnë një horizont tjetër kuptimesh mbi qenësinë e letërsisë, në fakt poezisë, sepse polemika zhvillohet mbi poezinë e Lasgush Poradecit. Kuteli përfaqëson qasjen imanente, gjuhësore, stilistike, ndërkohë që Maloku anon nga koncepti kombëtarist gjermanik, që nënkupton krijuesin si bard kombëtar dhe që realisht ishte sublimuar dhe tejkaluar tashmë nga konceptet letrare të Rilindjes Kombëtare.

Vitet e 30-ta njohin realisht një dinamikë të jashtëzakonshme të teorizimit mbi letërsinë, duke sjellë qasje të reja, paradigma të reja mbi qenësinë e shkrimtarisë, të alternuara nga qasjet më moderne të asaj kohe në nivel botëror.

Fatkeqësisht, kjo traditë prodhimtare e debatit mbi letërsinë që zhvillohej në një peizazh të pasur gazetash dhe revistash, do të shembej keq me ardhjen e komunizmit në Shqipëri, ku për pesëdhjetë vite do të dominojë realizimi socialist, një koncept morbid mbi letërsinë si pasqyrim i realitetit, ndërsa shkrimtari do të projektohej si “partizan” i ndryshimeve shoqërore socialiste të diktuara nga nëna parti. Ky do të jetë eklipsi gati gjysmë shekullor i një zhdanovizimi të pashoq, që do ta atrofojë ndjeshmërinë krijuese në një letërsi pamflet, në britma partiake, sigurisht me disa përjashtime.

Konceptet moderne mbi letërsinë

Me kalimin e kohës edhe në nivel botëror do të shfaqen qasje teorike që gjithnjë e më tepër do ta zgjerojnë kuptimin e letërsisë, gjegjësisht të tekstit letrar. Duhej që thelbësisht të ndryshojë raporti ndaj vetë natyrës komunikuese të letërsisë që jeta e një vepre letrare në receptimin e lexuesit të shndërrohet në objekt interesimesh të vetëdijes kritike. Shkolla e qasjes së brendshme nuk i ka kushtuar edhe aq kujdes lexuesit, ndërkohë që vetëm në dekadat më të fundit të shekullit XX shfaqet interesimi edhe për lexuesin si entitet i pandashëm i komunikimit letrar.

Paralajmërimi i parë mbi shfaqjen e lexuesit si entitet i pashmangshëm në ekzistencën dhe komunikimin e një vepre letrare vjen nga Rolan Bart, i cili paradoksalisht pohon se “shfaqja e lexuesit nënkupton vdekjen e autorit”. Pikërisht Barti e shfaqi idenë që teksti letrar patjetër të nxirret nga kontrolli i autorit, në mënyrë që t’i mundësohet lexuesve një lojë e pakufizuar interpretimi.

Pa dyshim edhe shumë shkolla teorike të dekadave të para të shekullit XX i dhanë lexuesit një peshë të veçantë, por statusi i tij merr vëmendje të veçantë vetëm pas shfaqjes së teorive më të reja letrare, të cilat e vendosin atë në epiqendër të interesimeve dhe interpretimeve teorike.

Me teorinë e estetikës së receptimit, lexuesi zë vendin e duhur në trekëndëshin autor-vepër-lexues. Estetika e receptimit fillimisht trajtohet nga studiuesi Hans Robert Jauss, i cili nëpërmjet lexuesit i jep letërsisë një dimension tjetër dialogu.

Antoine Compagnon-i, në librin e tij “Demoni i teorisë”, sqaron se vepra letrare ka dy pole, polin artistik dhe estetik. Sipas tij, artistikja është pol i autorit, ndërsa estetikja pol i lexuesit.

Sigurisht, në gjithë evolutën për të kuptuar natyrën dhe funksionalitetin e letërsisë, ligjësitë e veçanta dhe autonome të saj edhe autorë modernë, kryesisht shkrimtarë, por edhe kritikë letrarë do të shfaqin pikëpamjet e tyre.

Kundera, te “Arti romanit”, thekson se romani nuk e shqyrton realitetin, por ekzistencën. “Dhe ekzistenca nuk është ajo që ndodhi, ekzistenca është fusha e mundësive njerëzore, gjithçka që njeriu mund të bëhet, gjithçka që ai është i aftë”. Sipas tij, si personazhi, ashtu edhe bota e tij, duhen kuptuar si mundësi. “Gjithçka është e qartë me Kafkën: bota e Kafkës nuk i ngjan asnjë realiteti të njohur, është mundësia përfundimtare dhe e parealizuar e botës njerëzore”, thekson Kundera. Ai vë në dukje se fryma e romanit është fryma e kompleksitetit. Çdo roman i thotë lexuesit: “Gjërat janë më të ndërlikuara nga sa mendoni”. Kjo është e vërteta e përjetshme e romanit, shkruan Kundera, por që dëgjohet gjithnjë e më pak në zhurmën e përgjigjeve të thjeshta e të shpejta që i paraprijnë pyetjes dhe e përjashtojnë atë.

Borhesi ka një pikëpamje tjetër: “Çdo shkrimtar krijon pararendësit e vet”. Me këtë paradoks unikat Borhesi përpiqet ta shpjegojë artin e tij, të krijuar shpeshherë në formë mbiteksti, në formë fragmentesh të shkëputura nga shkrimtarë të harruar, nga pjesë pavërejtshme tekstesh, të cilave ai më pas u jep dorën e tij mjeshtërore dhe shpirtin e tij, që gjakon të pavdekshmen, hapësirat e verdha të kujtesës – “lulen që mesdita e lëvar”.

Dhe, në hullinë për të “krijuar pararendësit”, për të krijuar këtë paradoks letrar, domosdo duhet të kuptojmë se “shkrimi është i lidhur me një hapësirë ku koha vazhdërisht rikthehet”. Në këtë pikë ne biem ndesh me kohën historike dhe kohën kozmike, ashtu siç i shpjegon këto dy kohëra filozofi Nikolaj Berzhajev. Të krijosh pararendësit do të thotë të rikthesh kohën, jo si kohë historike, por si kohë ekzistenciale, ngase krijimi njeh vetëm këtë kohë, e cila mund të jetë e kaluar, e tashmë dhe e ardhshme.

Pikërisht në raport me atë që nënkupton progres shoqëror, që nënkupton mbrothësi, ne mund ta shpërfaqim këtu një mendim të G.G. Markezit nga një dialog me shkrimtarin M.V.Llosa. Unë besoj, thotë Markezi, se çdo letërsi e mirë është pashmangërisht progresive. “Ta zëmë, Borhesi, është shkrimtar me një mënyrë thellësisht konservatore të menduari, thellësisht reaksionare, por, si shkrimtar, ai nuk është aspak konservator dhe as reaksionar. Unë nuk shoh në veprat e Borhesit (nëse nuk vëmë në llogari manifestet absurde, që nënshkruan) asgjë, që të mund të përmbante konceptin reaksionar të shoqërisë apo të historisë, vështrimin statik mbi botën, lavde fashizmit apo të ndonjë tjetër gjëje, që ai e adhuron aq shumë, për shembull, imperializmit”, thotë ai.

Ernesto Sabato, shkrimtari me gjak shqiptar, autori i romaneve të famshme “Tuneli” dhe “Mbi heronjtë dhe varret”, thotë se romani ka përparësinë e shprehjes së realitetit total të njeriut. Sipas tij, romani sjell ide, ëndrra, simbole, mite. Dhe bashkon mendimin logjik dhe mendimin magjik.

Më i hapur ndaj një funksinonaliteti mbetet M.V. Llosa. Ka edhe një tjetër arsye për t’i dhënë letërsinë një vend të rëndësishëm në jetën e kombeve, thotë ai. Sipas tij, pa letërsinë, mendja kritike, e cila është motor i ndryshimeve politike dhe kampioni më i mirë i lirisë që kemi, do të kishte pasoja të pakthyeshme. “Sepse letërsia e mirë ngre pyetje thelbësore për botën ku jetojmë. Çdo tekst i rëndësishëm letrar, shpesh pa qëllimin e shkrimtarit, priret drejt rebelimit. Letërsia s’ka asgjë për t’u thënë atyre njerëzve që janë të kënaqur me fatin e tyre, janë të kënaqur me jetën ashtu siç është. Letërsia ofron ushqim për shpirtrat rebelë dhe jo-konformist si dhe një strehë për ata që kanë tepër ose mungesa në jetë, shmang palumturinë dhe çdo ndjenjë të mungesës ose asaj që do”, thekson Llosa.

Harold Bloom-i, në esenë “Si dhe përse të lexojmë”, thekson se leximi na trand së brendshmi, duke na dhënë ndjesi të atilla kënaqësie të cilat shpjegojnë deri diku se përse vlerat estetike janë nënvlerësuar nga moralistët socialë, qysh prej Platonit e deri tek kampi i sotshëm i puritanëve. “Kënaqësitë leximore janë në të vërtetë egoiste më shumë se sociale. Nuk është se përmirësohet drejtpërdrejt jeta e ndokujt nëse leximi është më i mirë e më i thellë. Mbetem mosbesues ndaj shpresës tradicionale sociale se kujdesi ndaj të tjerëve mund të nxitet prej gjallërimit të imagjinatës vetjake, sikurse jam i tejnginjur me argumentat e gjertanishme që përqasin ëndjet e leximit vetmitar me të mirën publike”, thekson Bloom-i.

Një horizont i ri i receptimeve

Horizonti i receptimeve moderne po flak tej diskursin e njëtrajtshëm mbi nocionin kulturë dhe letërsi, përmes të cilit vite me radhë është stimuluar moslëvizja. Parmenda e receptimeve moderne ngeshëm dhe me gërhama të dhimbshme mëton të lëvrojë në “tokën e shkretë”, në të cilën kërkon të mbjellë farën e eksplorimeve të reja kulturore dhe të procedimeve krijuese. Tashmë janë tejkaluar sinorët e entuziazmit, të amatorizmit dhe të gjedhave “pioniere” që pretendonin të disperzojnë kulturën dhe krijimtarinë në një shkallë të gjerë të pagëzuar si “masë popullore”. Ky kapërcim ka ndryshuar qasjet dhe interpretimet dhe njëherësh ka ndryshuar edhe përmbajtjet dhe format e organizimit, të cilat sipërfaqësisht kanë luajtur me nivelin profan të publikut.

Duket se prirjet e reja kulturore dhe krijimtare kanë zhvendosur suazën konceptuale dhe kërkuese nga këneta ideologjike, nga inercioni i së kaluarës në hapësirën dinamike të trendeve moderne. Trashëgimia kulturore dhe krijuese ka filluar të shpërfaqet hovshëm në ambientin e tanishëm kulturor, duke krijuar në këtë mënyrë sistemin e munguar të referencave dhe të sinjaleve. Kjo suazë e korrigjuar konceptuale pretendon që të sjellë një hapësirë të re kuptimi, në të cilën çdo sensibilitet krijues do të gjente shansin e vet për t’u realizuar. Nga mediume të caktuara kulturore dhe letrare në të gjitha areat shqiptare me ngulm kërkohet që të kultivohet sensi i pluralitetit dhe i diversitetit kulturor dhe letrar si një vetëdije e re brenda shtresëzimeve identitare.

Kjo hapje konceptuale kërkon të zgjerojë kufijtë e praktikave kulturore dhe letrare. Kjo aspiratë e fisme lëviz në dy drejtime. Në njërën anë kemi një hapje sublime ndaj traditës letrare dhe në anën tjetër kemi një absorbim të letërsisë së përbotshme. Këto dy akse praktikash dhe referencash kanë krijuar një sinergji të frytshme, përmes së cilës po mbruhet kreativiteti i shumë individualiteteve krijuese. Dhe, në këtë pikëkthesë përplasen ornamentet e dikurshme letrare që kërkojnë të metamorfizohen dhe sensibilitetet e reja krijuese, të cilat kërkojnë ta konsolidojnë zërin e tyre.

Ndryshimet kulturore rrokin përmasa shumë më të thella dhe gati është e pamundshme që të alternohen në jetën njerëzore me shpejtësinë e alternimeve të tjera, të sistemeve të tjera në të cilat gjallon qenia njerëzore. Është thënë që ndryshimet politike mund të bëhen brenda gjashtë muajve, ato ekonomike brenda gjashtë viteve, ndërsa ndryshimet kulturore zakonisht bëhen për një periudhë shumë më të gjatë. Së këndejmi, bartësit e këtij “misioni” mbeten të padukshëm, ngase ata nuk e kanë shkëlqimin e politikanëve dhe as “vitalitetin” e biznesmenëve. Ndikimi i tyre, mbi të gjitha, nuk i nënshtrohet karizmës, glamurit dhe fetisheve të tjera që krijojnë tek njerëzit mobilizim të përnjëhershëm, vrull dhe entuziazëm. Ndikimi i tyre mbetet frymë që depërton ngadalë në poret e jetës njerëzore, që prek lehtësisht dhe pa mendjemadhësi shikimet e atyre që kërkojnë një dritare tjetër për veten dhe të tjerët.

Exit mobile version