Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, po e kalon një sezon fantastik në fanellën e Lillet. Ai, tashmë ka hyrë në mendjen dhe zemrat e tifozëve të këtij klubi dhe atyre francezë në përgjithësi.
Faqja zyrtare e Ligue 1 e ka bërë një shkrim për “Messin e Kosovës”, duke treguar historinë dhe rrugëtimin e tij të suksesshëm. Së fundmi, Zhegrova i realizoi dy gola duke ia mundësuar fitoren Lillet 2:1 në derbin kundër Lensit. 25-vjeçari mori edhe çmimin “Lojtari i ndeshjes” për paraqitjen fantastike që e pati.
Ai deri më tani, ka realizuar 5 gola dhe i ka bërë 5 asistime në 26 paraqitje në kampionat. Zhegrova, u lind në Gjermani, vend në të cilin prindërit e tij kishin shkuar për t’iu shmangur luftës në Kosovë në vitin 2018. Më pas, ata ishin kthyer në në Kosovë kur Edoni ishte dy vjeç, ndërsa në vendlindjen e prindërve të tij, ai kishte filluar të merrej me futboll.
“Ishin rrugët e Prishtinës, ku Edoni kishte nisur të shfaqte talentin e tij të pashtershëm, ndërsa shpejt iu bashkua klubit lokal, ku do t’i shënonte rregullisht nga 5-6 gola për ndeshje. Njerëzit filluan ta vinin re menjëherë. Talentin e tij e zbuloi edhe gjiganti italian, AC Milan”, shkruan “ligue1.com”.
Zhegrova ka folur për rrugëtimin e tij me nostalgji.
“Një ditë në vitin 2012, AC Milan e organizoi një kamp të madh trajnimi në Kosovë. Për një javë, 200 djelmosha të rinj ishin ftuar të bëheshin pjesë e këtyre provave. Unë mora vesh për këtë kamp vetëm në minutat e fundit”, thotë ish-futbollisti i Baselit. “Trajneri im më dërgoi atje me shpejtësi. Më duhej të vishesha me nxitim ndërsa fëmijët tjerë ishin tashmë në fushë. Është për të qeshur sepse isha regjistruar i fundit në listë, por në fund përfundova i pari përpara krejt pjesëmarrësve. Dhe, këtu ndryshoi gjithçka për mua”.
Në moshën 15-vjeçare, sulmuesi i krahut mori rrugën drejt Belgjikës për t’iu bashkuar Standard Lieget, e më pas Saint-Trond, tek ekipet e të rinjve. Fati i tij do të ndryshonte kur skautët e Genkut e panë talentin e tij, ndërsa Zhegrova nënshkroi kontratë profesionale me klubin belg kur i mbushi 18 vjet.
I inkuadruar në ekipin e parë, ylli kosovar zhvilloi 24 ndeshje para se të nënshkruante me Baselin. Pas tri vjetëve në Superligën e Zvicrës, Zhegrova iu bashkua Lillet në janar të vitit 2022.