Liga Arabe do të mblidhet në takim të jashtëzakonshëm për vendimin e Iz’raelit ndaj UNRWA-së

Liga Arabe njoftoi se sot do të mblidhet në nivel të delegatëve të përhershëm në Kajro të Egjiptit për të dhënë përgjigje ndaj vendimit të Parlamentit izraelit për t’i dhënë fund aktiviteteve të Agjencisë së OKB-së për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në territoret palestineze që ndodhen nën pushtim, transmeton Anadolu.

Në deklaratën me shkrim nga Liga Arabe lidhur me këtë temë thuhet se me kërkesë të Jordanisë u vendos që sot nën kryesimin e Jemenit të mbahet një takim i jashtëzakonshëm në nivel të delegatëve të përhershëm në selinë e Ligës Arabe në Kajro, për të diskutuar “reagimin ndaj ndalesës së Izraelit për aktivitetet e UNRWA-së”.

Më 29 tetor Jordania ftoi Ligën Arabe në një takim urgjent pasi Parlamenti izraelit miratoi projektligjin që përcakton përfundimin e aktiviteteve të Agjencisë së OKB-së për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

Parlamenti izraelit miratoi projektligjin për t’i dhënë fund aktiviteteve të UNRWA-së në territoret e pushtuara palestineze.

– UNRWA e cila ofron ndihmë për miliona palestinezë, është në shënjestër të Izraelit

Qeveria izraelite filloi fushatë njollosëse kundër UNRWA-së njëkohësisht me fillimin e sulmeve të saj në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023 dhe mbrojti idenë se Agjencia e OKB-së duhet të mbyllet, duke pretenduar se 14 punonjës të UNRWA-së e cila ka 12 mijë punonjës vetëm në Gaza “kanë marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit”.

Qeveria e Tel Avivit vazhdon fushatën për mbylljen dhe diskreditimin e UNRWA-së e cila mbështet refugjatët palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, Kudsin Lindor, si dhe në Liban dhe Jordani dhe e cila ka 30 mijë punonjës, kryesisht palestinezë në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale.