Liderët e Ligës Arabe dje në Jordani kanë mbajtur samitin e rregullt vjetor i cili mbrëmë vonë përfundoi me deklaratën e përbashkët të pjesëmarrësve në të cilën theksi vihet në bashkëpunimin për zgjidhjen e krizës siriane dhe luftën kundër terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në samitin në brigjet e Detit të Vdekur në Jordani ishin pjesëmarrës 18 liderë arabë, ndërsa mbreti maroken Mohamed VI nuk u paraqit, as nuk sqaroi mosardhjen.
Deklarata e përbashkët e pjesëmarrësve të samitit përmban 15 pika, në mesin e të cilëve është edhe vendimi për vazhdimin e bashkëpunimit të vendeve arabe në procesin e zgjidhjes së krizës siriane dhe mbështetjes së vendeve që strehojnë refugjatë nga Siria.
Edhe kriza në Irak ka qenë një nga temat e samitit të djeshëm, ndërsa liderët në deklaratë theksuan se qëllimi i vendeve arabe është që të ruhet sovraniteti dhe tërësia territorial e vendit.
Po ashtu, është paralajmëruar vazhdimi i mbështetjes së forcave të përbashkëta irakiane në luftën kundër terrorizimit dhe çlirimin e Mosulit nga DEASH-i.
Në deklaratën e përbashkët theksohet se vendet arabe do të vazhdojnë mbështetjen e procesit të rivendosjes së negociatave të paqes mes Palestinës dhe Izraelit dhe idesë së zgjidhjes së këtij konflikti në bazë të dy shteteve në kufijtë e vitit 1967.
Ideja e shpërnguljes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem për liderët e vendeve arabe është e papranueshme.
Samiti në Jordani është mbajtur pasi Jemeni nuk kishte mundësi për pritjen e liderëve të Ligës Arabe për shkak të konfliktit. Liderët arabë porositën se kriza në Jemen dhe Libi doemos duhet të zgjidhet përmes rrugëve paqësore.