Në Tiranë është mbajtur takimi rajonal me temë “Dialogu social në vendet e Ballkanit Perëndimor”, me fokus çështjet mbi mundësitë në tregjet e punës dhe politikat sociale të rajonit, raporton Anadolu.
Në hapje të takimit folën përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të Bashkimit Evropian (BE) dhe të institucioneve të tjera, të cilët u fokusuan në perspektivën evropiane të vendeve të rajonit, promovimin e dialogut social dhe çështje të tjera.
Ministrja e shtetit në Qeverinë e Shqipërisë dhe kryenegociatorja për negociatat me BE-në, Majlinda Dhuka, u shpreh se lidhjet mes BE-së, Shqipërisë dhe rajonit po fuqizohen gjithnjë e më shumë.
“Kjo është edhe dëshmi e perspektivës që ka gjithë rajoni për t’u bërë pjesë e BE-së. Janë institucionet e BE-së që kanë një interes të posaçëm që ne të bëhemi pjesë e BE-së, por dhe të na përgatisin që të bëhemi pjesë e BE-së. Në veçanti kur bëhet fjalë për dialogun social dhe për tregun e punës, ne jemi më pranë BE-së se në fusha të tjera”, tha Dhuka.
Ajo u shpreh se Shqipëria po ecën përpara gradualisht në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
“E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku secili prej nesh po ecim përpara me aspiratën për t’u bërë shtet anëtar në BE”, tha ajo.
Ajo shtoi ndër të tjera se Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i BE-së dhe kjo sipas saj do të sjellë shumë mundësi, por edhe sfida.
Olta Manjani, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë, në fjalën e saj tha se ky takim është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe paraqitjes së agjendave kombëtare të reformave.
“Jemi krenarë që presim këtë dialog me ndikim, i cili bashkon partnerët kryesorë nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian, Eurofound, Fondacioni Evropian i Trajnimeve, Delegacioni i BE-së, Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe kolegët tanë të çmuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Manjani.
Pjesë e aktivitetit ishin edhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), Fondacioni Evropian i Trajnimeve (ETF) dhe Eurofound.