Lidhja Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka dënuar ndërhyrjen e forcave izraelite ndaj anijes Zajtouna të “Flotës së Lirisë” në ujërat ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëssekretari, përgjegjës për rajonet arabe nën pushtimin izraelit, Said Ebu Ali në një deklaratë me shkrim ka thënë se sulmet e përsëritura tregojnë vendosmërinë e Izraelit për dhunën ndaj popullit palestinez në Gazën e cila ndodhet bllokadë.
Duke iu bërë thirrje të gjithë institucioneve ndërkombëtare dhe në veçanti Këshillit të Sigurimit pranë OKB-së për heqjen e bllokadës ndaj Gazës, Ebu Ali i ka bërë thirrje Izraelit të lirojë personat e arrestuar të cilët ndodheshin në anijen e “Flotës së Lirisë”.
Nga ana tjetër edhe Sekretari i Përgjithshëm i OBI-së, Ijad Medeni, duke bërë thirrje për rëndësinë e heqjes së bllokadës në Gaza ka ftuar opinionin ndërkombëtar të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e ligjeve ndërkombëtare.
Ai i ka bërë thirrje gjithashtu Izraelit të lërë të lirë aktivistët që gjendeshin në anije dhe të cilët janë arrestuar nga forcat e sigurisë së Izraelit.
Në anijen e cila u nis më 14 shtator nga Spanja për të thyer bllokadën në Gaza ndodheshin vetëm gra. Koalicioni i “Flotës së Lirisë” që ka kaluar në veprim duke marrë mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të botës si Turqia, Kanadaja, Meksika, Spanja, Norvegjia, SHBA-ja dhe Australia, këtë herë synonte që të mbërrinte në Gaza me “forcën e grave” duke tejkaluar ushtarët izraelitë që kanë penguar edhe herë të tjera iniciativa të ngjashme.