Liderja ‘de fakto’ e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, e cila ka mbetur e heshtur ndaj masakrave kundrejt muslimanëve në Arakan, ka pohuar se që nga 5 shtatori nuk është duke u ndërmarrë operacion në Arakan dhe se gjendja në Arakan nuk është aq e keqe, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Jashtme e Mianmarit dhe Ministrja e Presidencës Suu Kyi, e cila ka qenë shënjestër e kritikave të ashpra për injorimin e masakrave ndaj muslimanëve të Arakanit, në një fjalim drejtuar diplomatëve të huaj në kryeqytetin Nepxhidou që u transmetua drejtpërdrejt në televizion dhe median sociale, theksoi se fjalimin e mban pasi nuk do të mund të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të dijë se çfarë ka bërë qeveria e Mianmarit lidhur me çështjen e Arakanit.
Ajo tha se është e vetëdijshme se bota ka kthyer fokusin kah gjendja në Arakan, duke shtuar se “Mianmari nuk frikohet nga hetimet ndërkombëtare”.
Suu Kyi ka pretenduar se gjysma e fshatrave muslimane nuk janë prekur nga dhuna dhe u bëri thirrje diplomatëve të huaj t’i vizitojnë së bashku fshatrat e paprekur nga dhuna.
Suu Kyi nuk dha asnjë deklaratë lidhur me përgjegjësinë e ushtrisë së Mianmarit për masakrat ndaj muslimanëve, ndërsa tha se “Që nga 5 shtatori, nuk ka asnjë konflikt të armatosur ose operacion spastrimi”.
Duke iu përgjigjur kritikave të komunitetit ndërkombëtar dhe monitoruesve ndaj saj, Suu Kyi tha se shumica e muslimanëve të Arakanit kanë vendosur të qëndrojnë në Arakan dhe kjo, sipas saj, është tregues se “gjendja në rajon nuk është aq e keqe”.
“Ka akuza të ndërsjella. Ne duhet t’i dëgjojmë të gjitha. Para se të veprojmë, duhet të jemi të sigurtë se këto akuza kanë bazament të shëndoshë”, tha ajo, duke shtuar se dëshiron të flasë me muslimanët e Arakanit të mbetur në rajon dhe ato të ikur në Bangladesh për t’i nxjerrë në pah rrënjët e krizës.
“Ne e denoncojmë krizën joligjore dhe shkeljet e të gjitha të drejtave të njeriut. Zotohemi për rivendosjen e paqes, stabilitetit dhe sundimit të ligjit në tërë vendin”, theksoi Suu Kyi.
Ajo tha se kushtet jetësore të muslimanëve në Arakan janë përmirësuar viteve të fundit, pasi atyre u janë mundësuar shërbime shëndetësore, arsim dhe infrastrukturë. Sipas saj, muslimanët e ikur në Bangladesh mund të kthehen në vendin e tyre pas aktiviteteve të identifikimit të tyre.
Megjithatë, muslimanët e Arakanit llogariten si komunitet “pas shtet”, pasi humbën të drejtën e shtetësisë përmes një ligji të miratuar në vitin 1982 në Mianmar.
Muslimanët e Arakanit (Rohingya), të cilët qeveritë e Mianmarit i kanë konsideruar si migrantë të ardhur nga Bangladeshi, në dokumente zyrtare emërohen si “Bengali”.
Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut kanë publikuar shumë pamje satelitore të shumë fshatrave të muslimanëve të djegur në mënyrë sistematike.
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.
Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 200 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, Lumit Naf ose rrugëve detare.
Që nga 25 gushti, mbi 400 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh.