Lideri Suprem i Iranit merr dozën e parë të vaksinës kundër virusit COVID-19 të zhvilluar në vend

Ali Khamenei

Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka marrë dozën e parë të vaksinës që vendi i tij e ka zhvilluar kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Khamenei mori para kamerave dozën e parë pas miratimit për përdorim emergjent të vaksinës “COVIRAN Barakat”, e cila është zhvilluar nga shkencëtarët iranianë.

Duke folur në lidhje të drejtpërdrejtë pas vaksinimit, Khamenei tha se pavarësisht të gjitha insistimeve ai nuk ishte vaksinuar deri më tani. Ai shtoi se ka pritur vaksinën e prodhuar nga shkencëtarët iranianë.

Gjatë vaksinimit, ku i pranishëm ishte edhe ministri iranian i Shëndetësisë, Saeed Namaki, Khamenei kritikoi SHBA-në për shkak të kufizimeve dhe pengesave të zbatuara në sigurimin e vaksinave.

Më 29 dhjetor të vitit 2020, Irani për herë të parë njoftoi testimin në njerëz të vaksinës “COVIRAN Barakat” dhe marrjen e rezultateve të suksesshme. Ndërsa vullnetarja e parë mbi të cilën u provua vaksina ishte Tayyibe Muhbir, vajza e kreut të Këshillit Shkencor, Muhammed Muhbir.

Po ashtu edhe prova e parë mbi njerëzit e vaksinës së dytë vendase Razi Cov Pars, u krye me 28 shkurt, ku në fazën e parë vaksina u injektua tek 133 vullnetarë.

Ministri Namaki më 14 qershor njoftoi dhënien e lejes për përdorim emergjent për “COVIRAN Barakat”, vaksinën vendase kundër koronavirusit. /aa