Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lideri suprem i Iranit justifikon su’lmin ra’ketor ndaj Iz’raelit si “vetëmbrojtje”

Lideri suprem i Iranit justifikon su’lmin ra’ketor ndaj Iz’raelit si “vetëmbrojtje”

Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka deklaruar se sulmi raketor që vendi i tij nisi ndaj Izraelit më 1 tetor ishte në “vetëmbrojtje”, transmeton Anadolu.

Khamenei i bëri komentet gjatë një predikimi të xhumasë në Teheran, duke shënuar fjalimin e tij të parë publik në katër vjet.

Para namazit të xhumasë në Xhaminë e Madhe Imam Khomeini, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz dhe zyrtarë të lartë politik dhe ushtarak, u mbajt një ceremoni përkujtimore për sekretarin e përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut më 27 shtator.

Gjatë adresimit të tij, Khamenei theksoi se Irani nuk do të hezitojë të hakmerret kundër çdo kundërsulmi të ardhshëm izraelit, duke shtuar se përgjigja do të jetë e shpejtë.

Duke iu referuar operacionit Al-Aksa të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, Khamenei tha se sulmet palestineze ishin “plotësisht legjitime”.

Në hakmarrje për vrasjen e Nasrallah-it, shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh, si dhe masakrave në Gaza dhe Liban, mbrëmjen e të martës Irani lëshoi dhjetëra raketa drejt Izraelit.

Sulmi shkaktoi lëndime dhe dëme materiale, si dhe çoi në mbylljen e hapësirës ajrore të Izraelit derisa miliona u drejtuan nëpër bunkerë për t’u strehuar.

Izraeli vrau Nasrallah-in dhe disa të tjerë në një sulm ajror në periferi të Bejrutit më 27 shtator, ndërsa Haniyeh u vra në një sulm ndaj rezidencës së tij gjatë vizitës në Teheran në fund të muajit korrik.

Si bazë ligjore për sulmin hakmarrës, Irani përmendi nenin 51 të Kartës së OKB-së, i cili pohon “të drejtën e vendeve anëtare për të përdorur forcën në vetëmbrojtje nëse i nënshtrohen një sulmi të armatosur”.

Në përgjigje, udhëheqësit ushtarak dhe politik të Izraelit u zotuan për një hakmarrje ushtarake. Disa zyrtarë izraelitë kanë bërë thirrje për sulme ndaj objekteve bërthamore dhe atyre të naftës së Iranit.

Irani, nga ana tjetër, ka paralajmëruar se do të nisë një sulm “të gjerë dhe gjithëpërfshirës” ndaj infrastrukturës së Izraelit nëse provokohet më tej.

Exit mobile version