Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lideri i opozitës iz’raelite akuzon qeverinë për zgjatjen e lu’ftës për shkak...

Lideri i opozitës iz’raelite akuzon qeverinë për zgjatjen e lu’ftës për shkak të problemeve politike të Ne’tanyahu-t

Yair Lapid

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për zgjatjen e panevojshme të luftës në Gaza për shkak të problemeve politike të Netanyahu-t, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social X, Lapid tha se qeveria aktuale po e zgjat luftën pa arsye për shkak të problemeve politike me të cilat përballet Netanyahu, si dhe “iluzioneve të krahut të djathtë ekstrem për aneksimin dhe kthimin në Gaza”.

Lapid iu referua shmangies së Netanyahu-t për t’u paraqitur para gjykatës për shkak të përfshirjes së tij në një rast korrupsioni, duke përmendur luftën e vazhdueshme si arsye për mungesën e tij.

Ai theksoi se është koha për “një lëvizje politike, një sistem të ri rajonal”.

Më tej, lideri opozitar izraelit gjithashtu aludoi për ndikimin në rritje të fraksioneve politike të ekstremit të djathtë të Izraelit, të cilat po nxisin aneksimin e Bregut Perëndimor dhe pushtimin e Gazës, duke sugjeruar se këto qëllime politike kanë kontribuar në agresionin e vazhdueshëm ushtarak.

Më 11 nëntor, kreu i Partisë Fetare Sioniste të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, tha se ai ka udhëzuar Divizionin e Administratës Civile dhe Vendbanimeve të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit të bëjë gati plane infrastrukturore për të zbatuar sovranitetin izraelit mbi Bregun Perëndimor. Sipas të përditshmes ‘Yedioth Ahronoth’, ai tha se viti 2025 do të jetë viti i sovranitetit të Izraelit mbi rajonin.

Netanyahu gjithashtu ka lënë të kuptohet se çështja e sovranitetit izraelit mbi Bregun Perëndimor duhet të ngrihet përsëri me ndryshimin e ardhshëm në udhëheqjen e SHBA-së.

“Kur presidenti i sapo zgjedhur Donald Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ne duhet ta kthejmë në rendin e ditës çështjen e sovranitetit në Bregun Perëndimor”, citohet në një deklaratë nga mediat izraelite kryeministri Netanyahu.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 44 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104 mijë të tjerë.

Viti i dytë i gjenocidit në Gaza ka tërhequr një reagim ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.

Dje, Gjykata Ndërkombëtare Penale në një lëvizje historike njoftoi se lëshoi ​​urdhërarreste për Netanyahu-n dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën vdekjeprurëse në Gaza.

Exit mobile version