Lideri i Koresë së Veriut bën thirrje për gatishmëri të ar’senalit bë’rthamor

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un u ka kërkuar forcave bërthamore të vendit të qëndrojnë në gatishmëri të shtuar, transmeton Anadolu.

Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA), Kim e bëri thirrjen gjatë një vizite në bazat raketore strategjike të Koresë së Veriut, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë, përfshirë motrën e tij, Kim Yo Jong.

Gjatë inspektimit, thuhet në raport, Kim vlerësoi gatishmërinë e forcave të parandalimit strategjik të vendit. Ai ekzaminoi aftësitë operacionale dhe funksionet kryesore të objekteve të lidhura me lëshimin e raketave.

Forcën strategjike raketore, Kim e quajti një gurthemel të strategjisë së mbrojtjes kombëtare të Koresë së Veriut. Ai theksoi nevojën për modernizimin e kësaj force si pjesë e synimit më të gjerë për forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit.

Duke iu referuar pranisë në rritje të aseteve bërthamore strategjike të SHBA-së në rajon, Kim tha: “Në disa raste kohët e fundit, mjetet bërthamore strategjike të SHBA-së paraqesin kërcënime gjithnjë në rritje për mjedisin e sigurisë së Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK)”.

Ai shtoi se kërcënimet në zhvillim kërkojnë “një qëndrim të shtuar të parandalimit” të luftës dhe një “gatishmëri të rreptë” të forcave bërthamore të Koresë së Veriut.

Komentet e liderit koreano-verior pasojnë pretendimet e fundit nga Koreja e Jugut se Koreja e Veriut ka dërguar të paktën 1.500 ushtarë në Rusi, një lëvizje që thuhet se lidhet me luftën e vazhdueshme në Ukrainë. Dje, edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pretendoi se Koreja e Veriut po përgatit dy brigada ushtarake për të mbështetur Rusinë.

As Koreja e Veriut dhe as Rusia nuk i janë përgjigjur ende këtyre pretendimeve.