Lideri i Hezbollahut kërcënon Iz’raelin pas shpërthimeve në Liban

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua sot t’i kthejë veprimet e Izraelit në një “ferr” pasi grupi pësoi “goditje të rëndë” kur pajisjet e komunikimit u shpërthyen në fillim të kësaj jave në Liban.

Nasrallah i bëri këto komente gjatë një fjalimi televiziv për të adresuar shpërthimet që vranë 37 njerëz dhe plagosën mijëra.

“Ne e pranojmë se kemi marrë një goditje të rëndë e cila është e natyrshme pasi ne e pranojmë epërsinë teknologjike të Izraelit, të mbështetur nga ShBA-ja, NATO-ja dhe Perëndimi”, tha Nasrallah.

“Armiku izraelit u përpoq të vriste 5.000 njerëz brenda vetëm dy minutave, duke mos treguar asnjë respekt për asgjë”, shtoi ai.

“Numri i pajisjeve ‘pager’ të mbajtura nga anëtarët e Hezbollahut është 4.000, që nënkupton se Izraeli synoi të vriste 4.000 njerëz”, tha më tej Nasrallah.

Shpërthimet “do të përballen me një ndëshkim të drejtë, një llogari të ashpër, kohën, vendin, natyrën e të cilit ne do të përcaktojmë”, tha Nasrallah.

Ai paralajmëroi Izraelin se nëse vendos një rrip sigurie në territorin libanez, “ai do të kthehet në një kurth dhe ferr”.

Nasrallah shtoi se komisione të shumta hetimore u formuan për të shqyrtuar rrethanat e shpërthimeve dhe ata kanë arritur në një përfundim pothuajse përfundimtar, por grupi i rezistencës libaneze është në pritje të konfirmimit.

Ai vuri në dukje se ashpërsia e lëndimeve të syrit nga shpërthimet “ka vënë presion të konsiderueshëm mbi spitalet në Liban”.

Për më tepër, Nasrallah tha se shumë nga shpërthimet ndodhën në spitale, tregje, rrugë publike dhe shtëpi – zona të banuara kryesisht nga civilë, duke përfshirë fëmijë dhe gra.

Lideri i Hezbollahut tha se ajo që ndodhi në Liban të martën dhe të mërkurën mund të konsiderohet si “shpallje lufte”.