Lideri i He’zbollahut: Grupi nuk lu’fton për Iranin, por për të çliruar territorin libanez

Naim Qassem

Shefi i sapozgjedhur i Hezbollahut, Naim Qassem, ka deklaruar se grupi libanez nuk po lufton në emër të Iranit, por për të mbrojtur dhe çliruar territorin e Libanit, transmeton Anadolu.

“Ne në Liban nuk po luftojmë në emër të Iranit apo për të zbatuar projektin e tij, por luftojmë për të mbrojtur dhe çliruar tokën tonë. Për 11 muaj kemi thënë se nuk duam luftë, por jemi gati nëse na imponohet”, tha Qassem në një video-fjalim të regjistruar.

Qassem u zgjodh dje si shef i Hezbollahut, duke pasuar Hassan Nasrallah-in, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut muajin e kaluar.

“Programi im është të vazhdoj qasjen e Nasrallah-it për të qëndruar në rrugën e luftës bazuar në zhvillimet. Rezistenca ekziston për të çliruar tokën dhe për t’u përballur me pushtimin dhe synimin e tij ekspansioniste në rajon”, tha ai.

Lideri i Hezbollahut tha se mbështetja për Gazën është e nevojshme për të “përballuar rrezikun e paraqitur nga Izraeli për rajonin përmes Rripit të Gazës” dhe se “populli i Gazës ka një të drejtë humanitare, arabe, islamike dhe kombëtare që të gjithë ne t’i mbështesim ata”.

“Kjo luftë nuk është vetëm izraelite, ajo është gjithashtu amerikane, evropiane dhe globale, duke përfshirë të gjitha burimet për të çrrënjosur rezistencën dhe popujt e rajonit, duke përdorur çdo brutalitet, shfarosje dhe kriminalitet”, tha ai.

Muajin e kaluar, Izraeli nisi një fushatë masive ajrore në Liban kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut në një përshkallëzim nga një vit i plotë lufte ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Gaza.

Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, mbi 2.700 njerëz janë vrarë dhe rreth 12.500 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori i vitit të kaluar.

Izraeli e zgjeroi konfliktin më 1 tetor duke nisur një inkursion në Libanin jugor.