Lideri i Hamasit: Izraeli të zbatojë rezolutën e OKB-së

Gjatë një fjalimi të tij në eventin e organizuar nga asociacioni Yedi Hilal (Shtatë Hënat) në Stamboll, Mashal tha se palestinezët dëshirojnë që tokat e tyre “të jenë të çliruara nga okupatorët” raporton AA.

“Duam të marrim përsëri tokën tonë, dhe këtë ta bëjmë në atë mënyrë që kolonët të largohen dhe të hiqen vendbanimet. Dëshirojmë të kthehemi në një Palestinë në të cilën nuk do të ketë pushtues dhe as armiq”, tha shefi politik i Hamasit.

Fjalimi i tij në sallën e kongreseve në Halixh të Stambollit disa herë u ndërpre nga shkaku i duartrokitjeve të të pranishmëve të shoqëruara me slogane pro-palestineze. “Ne e përkrahim vendimin e drejtë të OKB-së për çka presim vendime të tilla edhe në të ardhmen”, tha mes tjerash Mashal.

Të premten Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë e cila i bën thirrje Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze.

Rezoluta u propozua në votim para KS të OKB-së nga ana e Zelandës së Re, Malajzisë, Venezuelës dhe Senegalit, të cilat dhanë mbështetje për rezolutën.

SHBA-të, të cilat që nga viti 2011 vendosin veto mbi projektrezolutën që dënon vendbanimet ilegale të Izraelit, për herë të parë abstenuan.

“Ky është përmirësim i njërit prej gabimeve të fundit të SHBA-ve dhe bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Palestinën”, tha lideri palestinez duke falënderuar qeveritë dhe institucionet të cilat kanë kundërshtuar politikat izraelite të zgjerimit të vendbanimeve.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu rezolutës së OKB-së i ka dhënë epitetin “anti-Izrael” dhe e “turpshme”.

Rreth liderit izraelit, kreu i Hamasit thotë: “Për shkak të këtij vendimi, Netanyahu është në gjendje të çmendurisë”.

Mashal i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe botës muslimane të marrin anën e “luftës së drejtë” sepse siç tha “pushtuesit janë duke përhapur pushtimin e tyre hap pas hapi në territorin tonë.”