Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë duke punuar krah për krah kundër terrorizmit dhe kanë filluar një fushatë të përbashkët për të luftuar radikalizimin në internet.
Kështu deklaruan kryeministreja britanike Theresa May dhe presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një takimi të përbashkët.
Dy liderët europian njoftuan se vendet e tyre do t’i udhëzojnë gjigantët e teknologjisë, si Facebook dhe Google, për të bërë më shumë dhe për të hequr materialet ekstremiste nga interneti.
Gjatë udhëtimit të saj të parë jashtë vendit që prej humbjes së shumicës së saj në parlament, May sugjeroi që kompanitë e mediave sociale të gjobiten, nëse nuk largojnë përmbajtjen që sugjeron gjuhë të urrejtjes dhe materiale që janë të lidhura me radikalizmin.
Edhe Macron e përkrahi nismën duke thënë se “po nisim një fushatë të përbashkët për të siguruar që interneti nuk mund të përdoret si një hapësirë e sigurt për terroristët dhe kriminelët, dhe se hapsira e internetit nuk mund të përdoret për të përhapur ideologjinë e radikalizimit që po shkakton kaq shumë dëm”. /MESAZHI/