Liderët botërorë do të rikthehen në Kombet e Bashkuara në Nju Jork javën që vjen, me fokus në përpjekjet për luftim të ndryshimeve klimatike dhe pandeminë e koronavirusit, e cila vitin e kaluar i ka shtyrë ata të dërgojnë video-deklarata në vend që të marrin pjesë me prezencë fizike.
Ndërkohë që koronavirusi vazhdon të përhapet, rreth një e treta e 193 shteteve anëtare janë duke planifikuar të dërgojnë sërish video, mirëpo presidentë, kryeministra dhe ministra të Jashtëm të vendeve tjera pritet të udhëtojnë në Kombet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Joe Biden do të marrë pjesë fizikisht në këtë organizim.
OKB-ja ka krijuar një sistem që u mundëson hyrjen personave që janë të vaksinuar kundër koronavirusit, ndonëse ata nuk duhet të tregojnë dëshmi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters se diskutimet rreth asaj se sa diplomatë janë imunizuar, ilustron “sa dramatike është pabarazia sot në lidhje me vaksinimin”.
Ai është duke shtyrë përpara planin për vaksinim të 70 për qind të botës, deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Nga 5.7 miliardë doza të vaksinave të administruara në gjithë botën kundër këtij virusi, vetëm 2 për qind prej tyre janë dhënë në Afrikë.
Për shkak të pandemisë, delegacionet e OKB-së kanë kufizuar numrin e ngjarjeve që do të organizohen.
Në mesin e temave tjera me rëndësi pritet të jenë edhe situata në Afganistan dhe Iran. /rel