Liderë të vendeve të ndryshme u mblodhën sot në Paris për një samit të “koalicionit të vullnetit” për të diskutuar mbështetjen ushtarake dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën, transmeton Anadolu.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri britanik Keir Starmer, nënpresidenti turk Cevdet Yılmaz, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri polak Donald Tusk ishin ndër liderët që mbërritën në samitin në Pallatin Elysee.
Në takim marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Takimi mbledh së bashku rreth 30 delegacione.
Bisedimet synojnë të forcojnë pozicionin e Ukrainës në negociatat me Rusinë dhe të sigurojnë që Evropa të ketë një zë në formësimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
“Objektivi është të lejojmë Ukrainën të mbajë situatën në terren dhe t’i rezistojë agresionit rus, duke ndërtuar elementë të besueshëm për një paqe të qëndrueshme”, tha presidenti francez Emmanuel Macron të mërkurën në mbrëmje gjatë një konference të përbashkët për media me Zelenskyyn.
“Ne presim disa vendime të reja dhe të forta. Duhet të ecim përpara në diskutimet për garancitë e sigurisë dhe praninë në Ukrainë të kontingjenteve partnere”, tha Zelenskyy.
Ky është samiti i tretë i tillë që kur administrata e re amerikane ndryshoi politikën ndaj Ukrainës dhe filloi negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë pa pjesëmarrjen evropiane.