“Lider i Guerilëve në luftën për pavarësi”, dorëheqja e Thaçit bën bujë në mediat ndërkombëtare

Dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës pas aktakuzës së konfirmuar nga Specialja ka shkaktuar bujë në mediat botërore.

 

Kryelajm i gati të gjitha mediave më të njohura ndërkombëtare ka qenë pikërisht ky zhvillim që sot tronditi skenën politike në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Presidenti i Kosovës jep dorëheqje për t’u ballafaquar me akuzat për krime lufte”, është titulli që i ka vendosur “Al Jazeera” raportimit për dorëheqjen e Thaçit.

Në të shkruhet se lideri i luftës për pavarësi, do të ballafaqohet me akuza për krime në luftën e fundit në Kosovë.

Për dorëheqjen ka raportuar edhe “Reuters”,  në artikullin e së cilës ceket se Thaçi ka dhënë dorëheqje menjëherë pas marrjes së lajmit për konfirmim të aktakuzës kundër tij.

Artikull për këtë zhvillim ka bërë edhe gazeta gjermane “Der Spiegel”, në të cilën po ashtu përmendet  aktakuza e ngritur nga Specialja kundër Thaçit.

“Një lider i guerilëve në luftën e Kosovës për pavarësi”, është nëntitulli i prestigjozes “New York Times”, në të cilën përmenden zhvillimet e fundit dhe dorëheqja e ish-komandatit suprem të Kosovës.

Për dorëheqjen e Thaçit kanë raportuar edhe media të tjera të njohura botërore, si “Deutche Welle”, “Washington Post”, si dhe media tjera të shteteve më të fuqishme.