Libri i edukatës fizike ua mëson fëmijëve birrën (Foto)

Nxënësit e klasave të dyta janë të detyruar që në librin e edukatës fizike të shohin edhe reklamën e një lloji të birrës që paraqitet në ndërresat e një demonstruesi të lëvizjeve. Kjo i ka shqetësuar tej mase mësuesit, të cilët deri tash nuk e kanë vërejtur një gjë të tillë, raporton Koha Ditore. Ata thonë se kjo ndikon negativisht për nxënësit, derisa autorët shprehen se pa vetëdije i kanë përzgjedhur ato foto.

Mësojnë dhe ushtrojnë se si të jenë sa më të shëndetshëm nga libri i edukatës fizike dhe sportive.

Por, nxënësit e klasave të dyta po aty mund të mësojnë edhe për një lloj birre që është e pranishme në tregun e Kosovës.

Në secilën foto, me anë të të cilave janë ilustruar lëvizjet që duhet praktikuar nxënësit, shihet edhe reklama dhe logoja e një pije alkoolike.

Këtë tashmë e kanë vërejtur edhe nxënësit, të cilët edhe pse në moshë të vogël, e kanë pasur këtë temë diskutimi shumë herë, përcjell koha.net.

Por, këtë deri tash nuk e kanë vërejtur edhe mësuesit.

Posa kanë parë fotot e njëjta në tërë librin, ku në veshjet sportive të një nxënësi shihet reklama e birrës, ata shprehën shqetësimin e tyre.

Thonë se një gjë e tillë është e patolerueshme, ngase në institucionet shkollore nuk është dashur të ekspozoheshin në asnjë mënyrë pijet alkoolike.

Madje, thotë se ky libër duhet të ndalohet menjëherë që të mos mësohet nëpër institucionet shkollore.

Tre autorët e përbashkët të këtij libri, në kohën kur e kanë bërë gati për botim atë, thonë se nuk ishin të vetëdijshëm për domethënien e këtij mbishkrimi.

Derisa mësuesit rekomandojnë që ky lloj libri të mos përdoret në shkollë, autori Gjinolli thotë se një reklamë e tillë nuk mund të ndikojë negativisht te nxënësit.

birra