Libi, sulme ajrore kundër militantëve të Haftarit në Sirte

Ushtria libiane njoftoi të shtunën se ka kryer pesë sulme ajrore në Sirte, menjëherë pas njoftimit të synimit për çlirimin e qytetit që ishte objektivi i tyre i radhës pas Tarhunas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Operacioni i qeverisë Burkan Al-Ghadab (Vullkani i tërbimit) tha se sulmet shënjestruan automjetet e blinduara të siguruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe milicitë besnike të gjeneralit renegat Khalifa Haftar.

Raportohet për ikje të milicive dhe mercenarëve në “një panik të madh” nga Sirte, që ka qenë nën okupim nga forcat e Haftarit. Banorët ofruan dorëzimin e qytetit në mënyrë paqësore forcave qeveritare, sipas një deklarate.

Pas çlirimit të Tripolit, ushtria të premten çliroi qytetin strategjik Tarhuna, fortesa e fundit e Haftarit në Libinë perëndimore.

Pas Tarhunas, ushtria njoftoi se qëllimi i saj është Sirte, Al-Jufra dhe fushat e naftës në jug.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë ka qenë nën sulm nga forcat e Haftar që nga prilli i vitit 2019, dhe më shumë se një mijë njerëz janë vrarë si pasojë e dhunës.

Qeveria nisi operacionin “Stuhia e Paqes” në mars për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin dhe së fundmi ka rifituar vendet strategjike, duke përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin Tarhuna, që vlerësohet si një goditje e rëndë për forcat e Haftarit.