Partia Liberale e Justin Trudeau fitoi zgjedhjet parlamentare në Kanada, por duket se do të humbasë shumicën absolute.
Partia në pushtet e kryeministrit fitoi rreth 156 vende, krahasuar me rreth 121 të fituara nga Partia Konservatore opozitare në zgjedhjet e së hënës, sipas parashikimeve të transmetuesit publik kanadez CBC bazuar në rezultatet paraprake të më shumë se 90% të votave të numëruara.
“Ju po na dërgoni përsëri për të punuar me një mandat të qartë për të kaluar Kanadanë përmes kësaj pandemie dhe në ditët më të ndritshme në të ardhmen”, theksoi Trudeau në fjalimin e tij të fitores.
Partisë së Trudeau do t’i duheshin 170 vende për një shumicë absolute, por rezultati deri më tani tregon pak ndryshime nga zgjedhjet e vitit 2019.
Kjo do të thotë që liberalët do të vazhdojnë të mbështeten në ndihmën e partive të tjera.
Demokratët e rinj të qendrës së majtë (NDP) dhe partia rajonale ”Blloku Quebecois” pritet të marrin përkatësisht 27 dhe 32 vende, ndërsa të gjelbrit vetëm dy vende.
Trudeau ka qeverisur vendin me gati 38 milionë banorë që nga viti 2015, por ka kryesuar një qeveri të pakicës gjatë dy viteve të fundit. /atsh