Kryeministri libanez Najib Mikati përsëriti angazhimin për zbatimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin, raporton Anadolu.
Armëpushimi hyri në fuqi sot për t’i dhënë fund luftimeve 14 mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit Hezbollah.
“Ne kemi pohuar angazhimin e qeverisë për të zbatuar Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në tërësi, për të rritur praninë e ushtrisë libaneze në jug dhe për të bashkëpunuar me Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL)”, tha Mikati në një fjalim.
Ai i bëri thirrje Izraelit që t’i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit, të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar në Libanin jugor dhe të zbatojë plotësisht rezolutën e OKB-së.
Kryeministri libanez u bëri thirrje gjithashtu vendeve të botës dhe organizatave ndërkombëtare që të “marrin përgjegjësi në këtë drejtim”.
Rezoluta 1701, e miratuar më 11 gusht 2006, bën thirrje për ndalimin e plotë të armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit dhe krijimin e një zone të demilitarizuar midis Linjës Blu dhe lumit Litani në Libanin jugor, me përjashtime për ushtrinë libaneze dhe forcave ndërkombëtare të UNIFIL-it.
“Sot nis rrugëtimi prej mijëra miljesh për të rindërtuar atë që u shkatërrua dhe për të vazhduar forcimin e rolit të institucioneve legjitime, me ushtrinë në ballë, në të cilën ne vendosim shpresat tona për të vendosur autoritetin e shtetit mbi çdo pëllëmbë të atdheut dhe për të rritur praninë e saj në jugun e plagosur”, tha Mikati.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të Linjës Blu në disa faza, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në Libanin jugor brenda një periudhe që nuk i kalon 60 ditë.
Marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se palët ishin pajtuar për një propozim për t’i dhënë fund konfliktit, mes shpresave se kjo do të ndalonte sulmet ajrore izraelite mbi qytetet libaneze dhe do t’i jepte fund luftimeve ndërkufitare njëvjeçare.
Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, mbi 3.800 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban dhe mbi një milion janë zhvendosur që nga tetori i kaluar.