Libani: Po zhvillohen kontakte diplomatike për të ndalur shkeljet e ar’mëpushimit nga Iz’raeli

Kryeministri libanez Najib Mikati tha sot se janë duke u zhvilluar kontakte diplomatike për të ndalur shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit dhe për të siguruar tërheqjen e Izraelit nga qytetet kufitare, transmeton Anadolu.

“Në këto kontakte, ne kemi theksuar prioritetin e stabilizimit të situatës për t’u mundësuar të zhvendosurve të kthehen në qytetet dhe fshatrat e tyre dhe të zgjerojmë rivendosjen e ushtrisë në jug”, tha Mikati në një deklaratë.

Sot herët, Ministria e Mbrojtjes e Libanit tha se po kërkonte rekrutë për t’iu bashkuar ushtrisë.

“Kjo lëvizje është pjesë e vendimit të kabinetit për të nxitur rivendosjen e ushtrisë në jug”, tha Mikati.

Të paktën dhjetë njerëz u vranë sot në sulmet ajrore izraelite gjatë natës në Liban, pavarësisht nga marrëveshja e armëpushimit midis Tel Avivit dhe Bejrutit.

Të mërkurën e kaluar, një marrëveshje armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi, duke synuar t’i jepte fund luftimeve 14-muajshe midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë në faza forcat e tij në jug të Linjës së Kaltër, kufirit “de fakto” midis vendeve, teksa ushtria libaneze vendos forcat e saj në Libanin jugor brenda një maksimumi prej 60 ditësh.

Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.

Gati 4.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 16.500 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.