Libani ka njoftuar planet për të paraqitur një ankesë kundër Izraelit në KS-OKB (Këshilli i Sigurimi i Kombeve të Bashkuara) për sulmet e përsëritura të Tel Avivit ndaj forcave të armatosura të vendit në rajonin e tij jugor, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Libanit tha se ka udhëzuar misionin e saj të përhershëm në OKB në New York që të paraqesë një ankesë zyrtare në KS-OKB duke dënuar sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj ushtrisë libaneze.
Dy ushtarë humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën, përfshirë një në gjendje kritike, pas një sulmi izraelit në një post ushtarak në qytetin Mari në rrethin Hasbaiyya, në Libanin jugor.
Me këtë incident të fundit, numri i përgjithshëm i ushtarëve të ushtrisë libanezse të vrarë nga sulmet izraelite që nga 8 tetori i vitit 2023 është rritur në të paktën 36.
Ministria libaneze theksoi se sulmet minojnë përpjekjet ndërkombëtare për të zbatuar Rezolutën 1701 të KS-OKB-së, e cila bën thirrje për një ndërprerje të plotë të armiqësive midis Libanit dhe Izraelit, si dhe për krijimin e një zone pa armë midis Linjës së Kaltër dhe lumit Litani në Libanin jugor.
Rezoluta lejon në zonë praninë e ushtrisë libaneze dhe Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).
Ministria libaneze theksoi se garantimi i sigurisë së ushtrisë libaneze dhe mbështetja e saj në kryerjen e detyrave të plota është thelbësore për forcimin e sigurisë përgjatë kufijve të Libanit.
Në fund të shtatorit, Izraeli nisi një fushatë ajrore në Liban kundër atyre që pretendon se janë objektiva të grupit Hezbollah, në një përshkallëzim nga një vit i luftës ndërkufitare mbi luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës.
Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, të paktën 3.500 njerëz janë vrarë, afër 15 mijë janë plagosur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur nga sulmet izraelite që nga tetori i kaluar.
Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor të këtij viti.