Libani dhe OKB-ja apelojnë për 371 milionë dollarë ndihmë urgjente humanitare

Saadeh Al-Shami

Libani dhe Kombet e Bashkuara (OKB) kanë nisur një apel urgjent financimi për 371.4 milionë dollarë për të ofruar ndihmë humanitare në tre muajt e ardhshëm për civilët e prekur nga lufta e fundit dhe kriza humanitare që ka kapluar vendin, transmeton Anadolu.

OKB-ja dhe qeveria libaneze njoftuan një zgjatje të apelit urgjent, i cili mbulon nevojat e qytetarëve libanezë, refugjatëve sirianë dhe palestinezë, si dhe të emigrantëve që banojnë në Liban.

Fondet e kërkuara do të mbështesin ndihmën ushqimore, furnizimet dimërore, riparimet urgjente, mbrojtjen civile dhe boshllëqet kritike në kujdesin shëndetësor, si dhe ujin dhe infrastrukturën arsimore.

Duke folur në zyrën qeveritare në Bejrut, zv/kryeministri libanez, Saadeh Al-Shami, theksoi fokusin në “adresimin e nevojave të menjëhershme humanitare në koordinim me përpjekjet e planifikimit të rimëkëmbjes pas luftës izraelite”.

“Shkalla dhe shtrirja e krizës tejkalojnë burimet e disponueshme, duke e bërë mbështetjen ndërkombëtare thelbësore për të mbështetur dhe zgjeruar përpjekjet e reagimit”, tha Al-Shami.

Nga ana tjetër, koordinatori humanitar i OKB-së në Liban, Imran Riza, theksoi urgjencën e fondeve shtesë, duke përmendur qëllimin e tij të dyfishtë për “të shpëtuar jetë dhe për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të një situate tashmë të rëndë”.

Riza theksoi se mbi 125 mijë njerëz mbeten të zhvendosur, me qindra mijëra të tjerë që përballen me sfida domethënëse në rindërtimin e jetës së tyre.

Një armëpushim delikat ka qenë në fuqi që nga 27 nëntori, duke i dhënë fund një serie sulmesh të ndërsjella midis Izraelit dhe Hezbollahut që filluan më 8 tetor të vitit 2023 dhe u përshkallëzuan në një luftë në shkallë të gjerë më 23 shtator të vitit të kaluar.

Dispozitat kryesore të marrëveshjes përfshijnë tërheqjen graduale të Izraelit brenda 60 ditëve në jug të Linjës së Kaltër, përkatësisht kufirit ‘de facto’, si dhe vendosjen e ushtrisë libaneze dhe forcave të sigurisë përgjatë kufirit, kalimeve dhe rajoneve jugore.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë e Libanit tregojnë se që nga fillimi i sulmit të Izraelit kundër Libanit në tetor të vitit 2023, të paktën 4.063 njerëz janë vrarë në vend, përfshirë gra, fëmijë dhe punonjës shëndetësor, si dhe 16.664 të tjerë janë plagosur.