Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Liban, të paktën 274 të vr’arë dhe qindra të plagosur nga su’lmet...

Liban, të paktën 274 të vr’arë dhe qindra të plagosur nga su’lmet e sotme ajrore të Iz’raelit

Të paktën 274 njerëz janë vrarë dhe mbi 1.024 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ajrore intensive të Izraelit që shënjestronin disa zona në Liban që nga mëngjesi i sotëm, raporton Anadolu.

Ministri e Shëndetësisë, Firas Abiad, gjatë një konferencë për media në Bejrut tha se rreth 21 fëmijë dhe disa gra ishin në mesin e të vrarëve në sulmet izraelite.

Ushtria izraelite tha se ka nisur më shumë se 300 sulme ajrore në Liban që herët në mëngjes, duke shënuar bombardimin më të rëndë që nga fillimi i armiqësive më 8 tetor të vitit të kaluar.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ‘NNA’, avionët luftarak izraelit goditën rajone dhe lugina midis qytezave Ansar dhe Zrariyeh në Nabatieh në Libanin jugor.

Sulmet shënjestruan disa zona të tjerë, duke përfshirë Wa’ba, Jibchit, Sharqia, Al-Namiriyeh, Kfar Tebnit, Nabatiyeh El Faouqa dhe Deir El Zahrani.

Po ashtu u goditën zonat përreth autostradës Kfar Roummane-Midneh, periferitë e qytezave Yohmor Al-Shaqif, Arnoun, Jabal Al-Tuffah, Jabal Al-Rihan, si dhe rrethina Sejoud dhe ish-pika e kalimit Kfar Tebnit.

Sulme të rënda ajrore u raportuan gjithashtu në zonat në lindje të qytetit Tyre dhe lumit Litani në Libanin jugor.

Sipas një korrespondenti të Anadolut, sulmet e sotme të Izraelit kanë detyruar qindra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në Tyre dhe zonat e tjera në Libanin jugor, duke u drejtuar drejt qytetit Sidon.

“Agresioni izraelit është një skemë që synon të shkatërrojë fshatrat, qytetet libaneze dhe të zhdukë të gjitha hapësirat e gjelbra”, tha kryeministri libanez në detyrë, Najib Mikati.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se ushtria mund të shënjestrojë fshatra të shumta libaneze të vendosura deri në 80 kilometra nga kufiri.

“Në orët e fundit, ne kemi identifikuar planet e Hezbollahut për të sulmuar qytetarët izraelitë. Në të ardhmen e afërt, ne do të godasim objektivat armiqësore në Liban për të eliminuar këtë kërcënim”, tha ai në një konferencë për media.

Ushtria izraelite paralajmëroi civilët në fshatrat në Libanin jugor që të largohen nga ndërtesat ku ruhen armët e Hezbollahut.

“Ne i këshillojmë civilët nga fshatrat libaneze të vendosura brenda dhe pranë ndërtesave dhe zonave të përdorura nga Hezbollahu për qëllime ushtarake, të tilla si ato të përdorura për ruajtjen e armëve, që menjëherë të largohen nga rreziku për sigurinë e tyre”, tha ushtria në një deklaratë.

Tensionet midis Hezbollahut dhe Izraelit janë rritur pas një sulmi ajror vdekjeprurës të premten e kaluar në periferinë jugore të kryeqytetit Bejrut, që vrau të paktën 45 persona, përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Hezbollahu konfirmoi se të paktën 16 anëtarë të tij, përfshirë udhëheqësin e lartë, Ibrahim Aqil dhe komandantin e lartë, Ahmed Wahbi, u vranë në sulmin izraelit.

Sulmi i të premtes erdhi dy ditë pasi të paktën 37 persona u vranë dhe mbi 3 mijë të tjerë u plagosën në dy valë shpërthimesh të njëkohshme të pajisjeve të komunikimit ‘pager’ anembanë Libanit. Derisa qeveria libaneze dhe Hezbollahu fajësojnë Izraelin për shpërthimet, Tel Avivi nuk e ka mohuar apo konfirmuar përfshirjen e tij.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Exit mobile version