Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në qendër të kryeqytetit Bejrut herët mëngjesin e sotëm, transmeton Anadolu.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile i Libanit njoftoi se trupat e të paktën 11 personave të vrarë në sulmin në lagjen Basta të Bejrutit janë nxjerrë nga nën rrënoja, ndërsa 24 persona të tjerë janë nxjerrë të gjallë.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve raportoi se një ndërtesë banimi në rrugën Al-Mamoun në zonë u shkatërrua plotësisht nga sulmi izraelit.
Ekipet e shpëtimit dhe ambulancat po punojnë për të tërhequr trupat dhe për të ofruar ndihmë për të mbijetuarit mes rrënojave. Disa nga të plagosurit janë dërguar në spitalet e afërta, ku disa janë në gjendje kritike për jetën.
Izraeli është përfshirë në një luftë ndërkufitare me Libanin dhe në muajin shtator nisi një fushatë ajrore kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut.
Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, të paktën 3.600 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, me më shumë se 15.300 të plagosur dhe mbi 1 milion të zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar.
Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor.