Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Liban, numri i të vd’ekurve nga su’lmet ajrore iz’raelite rritet në të...

Liban, numri i të vd’ekurve nga su’lmet ajrore iz’raelite rritet në të paktën 2.011

Numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Liban që nga 8 tetori i vitit 2023 është rritur në të paktën 2.011, ndërsa numri i të plagosurve në rreth 9.535, transmeton Anadolu.

Në një raport nga Njësia e Menaxhimit të Rrezikut të Fatkeqësive, zyrtarët thanë se rreth 153 sulme ajrore dhe granatime izraelite kanë shënjestruar zona të ndryshme në të gjithë Libanin vetëm gjatë ditës së sotme, duke u fokusuar kryesisht në rajonet jugore dhe periferitë jugore të Bejrutit.

Sulmet rezultuan në 37 të vdekur dhe 151 të plagosur në vetëm një ditë, duke shtuar viktimat në rritje që nga përshkallëzimi i konfliktit muajin e kaluar.

Numri i personave të zhvendosur, të regjistruar zyrtarisht që strehohen në qendrat qeveritare, po ashtu është rritur në 172.100, të shpërndarë në 931 objekte në mbarë vendin.

Megjithatë, sipas të dhënave të mëparshme të qeverisë libaneze, kur llogariten ata që kanë kërkuar strehim te të afërmit ose janë zhvendosur në mënyrë të pavarur, numri i përgjithshëm i personave të zhvendosur tejkalon 1.2 milionë.

Që nga 23 shtatori, Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore mbi ato që i quan objektiva të Hezbollahut në të gjithë Libanin, me Ministrinë e Shëndetësisë që raportoi më shumë se 1.100 vdekje nga këto sulme.

Bombardimet masive izraelite shënojnë një përshkallëzim në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hezbollahut, i shkaktuar nga ofensiva brutale e Tel Avivit në Gaza, e cila që nga tetori i vitit të kaluar ka marrë jetën e të paktën 41.800 palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë.

Zërat ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin se operacionet izraelite në Liban mund ta zgjerojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.

Exit mobile version