Leximi në namaz në gjuhë tjetër, e jo në arabisht

Pyetje: E kam përgatitur një banderole e cila do të vihet në xhami me qëllim që t’i afrojmë njerëzit në Islam. Në këtë banderolë shkruhet: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i dërguar i Allahut, Isai është i dërguar i Allahut, Musai është i dërguar i Allahut.” Këtë flamur e kam përgatitur me disa gjuhë, si dhe mund të përkthehet edhe në gjuhë të tjera, si ajo hinduse, kineze,etj. Më intereson të di nëse ky veprim është i lejuar fetarisht?

A lejohet që muslimani i ri, i cili sapo ka hyrë në fe, të lexojë në namaz në gjuhën e vet dhe jo në arabisht, derisa të mësojë të lexojë arabisht? Kjo me qëllim që t’i afrojmë njerëzit drejt Islamit e mos t’i lëmë që të largohen prej tij, sepse ka disa njerëz, të cilët sapo e marrin vesh se duhet të lexojnë arabisht gjatë namazit, ata menjëherë largohen.

Përgigja: Nuk ka pengesë që të vendosen banderola nëpër xhami, për qëllimin të cilin e ke përmendur në pyetje, me qëllim që njerëzit të ftohen në Islam. Do të kishte qenë mirë sikur pas fjalëve “Muhamedi është i dërguar i Allahut” të shtoje “Dhe vulë e të gjithë të dërguarve”, me idenë që mos të ketë ndonjë paqartësi kur përmendet Isai (a.s) dhe Musai (a.s) në të njëjtën fjali.

Sakaq, përsa i përket leximit në namaz në gjuhë tjetër dhe jo në arabisht, themi se shumica e juristëve e ndalojnë këtë gjë, sepse Kurani është shpallur në gjuhën arabe. Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe ai (Kurani) është shpallje e Zotit të botëve. Atë e shpalli shpirti besnik (Xhibrili). E solli në zemrën tënde, për të qenë prej atyre që tërheqin vërejtjen. Ta shpallëm ty në gjuhë të pastër (arabe).”[1] “Ne e zbritëm atë Kuran arabisht, që ta kuptoni.”[2] “S’ka dyshim se Ne e bëmë atë Kuran arabisht në mynyrë që ju ta kuptoni.”[3] Kështu që leximi i lejuar në namaz, me Kuran, bëhet duke e lexuar atë në gjuhën arabe, ashtu sikurse është shpallur. Nuk lejohet që të lexohet diçka në namaz, në ndonjë gjuhë tjetër, në vend të Kuranit, nëse është e mundur që të lexohet në arabisht.

Personi i cili nuk ka mundësi të lexojë Kuran në arabisht, ka mundësi që në namaz të përmendë Allahun e Madhëruar në vend që lexojë Kuran. Abdullah ibn Ebi Eufa (r.a) ka thënë: “Erdhi një njeri tek Profeti (a.s) dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Më mëso diçka që do të më pranohet në vend të sureve të Kuranit, sepse unë nuk di të lexoj. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: Thuaj: “Subhanallah, Elhamdu lil lah, La ilahe il lallah, uall llahu ekber, ue la haule ue la kuuet il la bil lah.”[4] Nëse personi nuk di ta përmendë Allahun në gjuhën arabe, nuk ka pengesë që ta bëjë në gjuhë të tjera, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Prandaj sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut.”[5] Kurse i dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur t’ju urdhëroj për diçka, kryejeni atë sa të keni mundësi.” Ky person e ka obligim që të mundohet të mësojë nga suret e Kuranit në arabisht, aq sa është e nevojshme për vlefshmërinë e namazit. Gjëja e parë – dhe kryesore – është mësimi i sures “Fatiha”.

Fetvadhënësi: Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime

[1] – Sure Shuara: 192 – 195.

[2] – Sure Jusuf: 2.

[3] – Sure Zuhruf: 3.

[4] – Eb Daudi, Nesaiu, etj.

[5] – Sure TegabunË 16.