Lewandowski mungon ndaj Realit dhe ndaj Interit

Sulmuesi polak, Robert Lewandowski, do t’i mungojë Barcelonës në ndeshje shumë të rëndësishme.

Lewandowski u lëndua të shtunën në fitoren dramatike të Barçës ndaj Celta Vigos me rezultatin 4:3.

Ai u detyrua të largohej në minutën e 78-të.

Mediumet spanjolle kanë raportuar se Lewa ka lëndim në kofshën e majtë dhe do të jetë jashtë fushës për të paktën tri javë.

Lewandowski me shumë gjasa nuk do të luajë në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit, më 26 prill.

Trajneri i gjigantit katalunas, Hansi Flick, nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e 36-vjeçarit as për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit, që zhvillohet më 30 prill.

Disa ditë më parë te Barça u lëndua edhe mbrojtësi i krahut, Alejandro Balde. Edhe ai do të mungojë në finalen e Kupës së Mbretit.