Shembulli i procesit të lustrimit në Maqedoni mund të shërbejë si mësim për Shqipërinë dhe Kosovën nëse duan edhe ato të kalojnë të njëjtës rrugë, përplot kontestime e dyshime për revanshizëm… Çështja kryesore është jo lustrimi i ish shërbimeve nga regjimi komunist, por i spiunëve të rekrutuar nga shërbimet e tashme…
Shkruan: Daut DAUTI, Shkup
Një ditë rastisa të shoh një fragment të intervistës së Fatmir Limajt te “Kojshia show”, ku ai shpalosi diçka tepër xigluese për publikun, pa mos shkuar tutje në detaje, por e nxiti kureshtjen, duke e lënë hapur debatin dhe supozimet. Ai e tregoi përvojën e tij nga qëndrimi në burgun e Sheveningenit, në kohën kur atje ka qenë hiq më pak, por Jovan Stanishiqi i famshëm, i përfolur për këtë ose atë shqiptar si bashkëpunëtorë të tij! Kishin kaluar shumë kohë bashkë, disa muaj, dhe një ditë Stanishiqi i kishte thënë Limajt se pse nuk interesohet diçka nga “fushëveprimi” i tij si njeri i parë i shërbimit serb, sepse është një pus i thellë. Dhe, Limaj e kishte pyetur më në fund, e ai i kishte treguar për shumë emra bashkëpunëtorësh nga Kosova, shumë emra “atraktivë”. Kur nga moderatori u pyet në shaka nëse është Batoni (Haxhiu) njëri prej tyre, të cilin Sali Berisha e quan Baton Stanishiqi, Limaj tha “jo”. Tha “jo”, por dhe tregoi se deri tash nuk ka përmendur fare emrat që i ka dëgjuar nga ish kryeudbashi serb dhe as që ka ndërmend ta bëjë!
Pa hyrë në motivet që e shtyjnë Limajn për të mos treguar emrat që ka dëgjuar nga Stanishiqi famëkeq, veprimi i tij (i Limajt) përmban një dozë të madhe kujdesi lidhur me informatat e një shërbimi armik ndaj Kosovës, për shkak se asnjëherë nuk dihet nëse janë të vërteta ose sajesa të qëllimta për të krijuar huti. Se ka pasur dhe se mund të ketë bashkëpunëtorë shërbimesh serbe dhe të huaja, për këtë nuk ka mëdyshje. Por, mëdyshja është pikërisht te dilema e shtruar në këto orientimet tematike që i caktoi redaksia e Shenjës për t’u marrë me këtë materie tejet të ndjeshme. Nga të gjitha shoqëritë, vetëm ajo në Maqedoni ka kaluar një përvojë, për shumëçka të hidhur dhe kontroverse, të hapjes së dosjeve përmes procesit të lustrimit, që u zhvillua nga viti 2011 deri më 2017, një proces tejet i politizuar, ndryshe nga shumë vende që këtë e bënë në mënyrë të rrufeshme sa ranë regjimet komuniste, kurse në Maqedoni me dy dekada vonesë.
Përvoja e Maqedonisë
Vendet që posa dolën nga komunizmi u ballafaquan me kameleonizmin e ish pushtetarëve, të cilën nga lëkura e ujkut, e veshën gëzofin e qengjave demokratë. Jorastësisht, fitoret e para në zgjedhjet pluraliste, te shumica e vendeve, i shënuan ish komunistët. Inercia e sjelljes së masave e bënte të veten, ndaj do të duhen zgjedhjet e dyta ose të treta, përmes dramave e krizave politike, që të mposhtej frika, që njerëzit të kuptojnë se Partia shkoi “kaput”. Për një shkëputje nga e kaluara jodemokratike, disa vende vepruan shpejt, duke i vënë nën kontroll arkivat e ish-shërbimeve, të cilat shërbyen ashtu që, përmes ligjeve që i sollën, ta pengojnë kthimin në jetën politike të ish sigurimsave dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Shembulli më i mirë për këtë është ish Republika Demokratike Gjermane, ku fill pas largimit të Honekerit, arkivat e Shtazit u hapën dhe me këtë u larguan nga jeta publike ata që kishin marrë në qafë mijëra e miliona njerëz.
Çështja e spiunëve të shërbimeve, më vonë, u bë dhe një lloj kushti që u vendos me një rezolutë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për vendet në tranzicion, që të bëjnë “pastrimin” e jetës (institucioneve) publike nga ish bashkëpunëtorët. Mirëpo, shumë shtete u vonuan dhe sot e kësaj dite ende hamenden a t’i hyjnë apo jo këtij procesi. Maqedonia as ishte nga vendet e para e as nga të fundit që e kreu një farë procesi të lustrimit, përplot kontestime. Mbetet fakt se me metodologjinë e punës së Komisionit për Verifikimin e Fakteve (kështu quhej komisioni që kreu lustrimin), që filloi në janar të vitit 2009, dhe përfundoi në fund të gushtit 2017, janë përfshirë mbi 30 mijë funksionarë publikë. Se si u zhvillua procesi i lustrimit në Maqedoni, në kujtesë kanë mbetur “dramat” mediale pas pothuajse çdo emri atraktiv që shpallej bashkëpunëtor, që për shkak të profileve të tyre (kishte akademikë, gjykatës dhe shkrimtarë madje, e për politikanë as të mos flasim), por më e keqja ishte se procesi u nis me konsensus, e përfundoi nën akuzën se është selektiv.
Gjatë më pak se 8 vjetësh proces të lustrimit pati dy ligje që e rregullonin këtë materie, njëherë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe, së dyti, pas largimit të Lidhjes Socialdemokrate nga Komisioni, u soll një ligj i ri, më gjithëpërfshirës, ku përveç bartësve aktualë të funksioneve publike, u përfshin edhe të vdekurit, për të pasur një pasqyrë më të plotë për funksionimin e shërbimeve sekrete të komunizmit dhe përndjekjes për çështje ideopolitike. Kjo krijoi shumë trauma shoqërore dhe individuale, sepse dolën në shesh shumë emra për të cilët publiku nuk ishte i gatshëm t’i pranojë si fakt. Por, aq më tepër, siç kam shkruar edhe herëve të tjera në këtë temë, një lloj devalvimi këtij procesi të lustrimit iu bë për shkak të përplasjeve politike midis dy partive më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, me akuzë nga kjo e dyta për lustrim selektiv dhe hakmarrje politike.
Në këtë pikë nuk mbetën pa u përfshirë edhe partitë shqiptare, duke nxjerrë në shesh dosje me origjinë të dyshimtë, të cilat Komisioni nga ekspertiza e vet i shpalli të falsifikuara. Disponimi i dosjeve nga persona privatë ishte një kapitull tjetër kontrovers i procesit të lustrimit në Maqedoni, sepse pati përpjekje që përmes tyre të komprometonin oponentët politikë.
Në të vërtetë, procesi i lustrimit edhe duhej të ishte hapje e dosjeve për kategorinë e njerëzve që kishin funksione publike rrugës institucionale, mirëpo nuk mbeti edhe pa raste disponimi në duart e paautorizuara, siç bënë disa përfaqësues politikë shqiptarë me dosje me origjinë të dyshimtë që “mbinin” nëpër oborre.
Fundi i procesit ishte Raporti i Pribesë dhe disa vërejtje ndaj procesit të lustrimit, si edhe vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias, por Kuvendi i Maqedonisë në vend se ta korrigjonte ligjin, bëri atë që iu duk më pak e dhembshme – solli ligj të ri, fare të shkurtër, më 2015-tën, për ndërprerjen e procesit të lustrimit, edhe deri më 31 gusht 2017 u la mandati i Komisionit që të merret me procedurat tashmë të filluara. Në këtë mënyrë u përmbyll kjo kaptinë interesante përplot kundërthënie, që pati për qëllim mënjanimin nga jeta publike e ish bashkëpunëtorëve të organeve të sigurimit dhe ish urdhërdhënësve që i kishin shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut…
Që ta përmbyll këtë kapitull, do të përkujtoj një segment tjetër të bashkëpunëtorëve të shërbimeve, e këta janë viktimat. Qëkur qe hapur debati për lustrimin, flitej se duhet të sillet edhe një ligj për rehabilitimin e viktimave të komunizmit. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi (dhe po të ndodhte çka se, kush ka mbetur gjallë nga viktimat!), por ndërkohë pati një përpjekje që për fat nuk u finalizua, për rehabilitimin e “viktimave” të lustrimit!
Shqipëria e Kosova, me një rrugëtim ndryshe
Nëse në Maqedoni, ndonëse pas dy dekadash nga rënia e komunizmit, së pari u bë lustrimi i urdhërdhënësve dhe bashkëpunëtorëve, e vetëm u paralajmërua e pastaj u harrua fare rehabilitimi i viktimave, në Kosovë dhe Shqipëri ndodhi e kundërta: së pari u rehabilituan dhe u zhdëmtuan viktimat e komunizmit, proces ky që në Kosovë ende vazhdon, ndërkaq assesi t’i hyhet procesit të lustrimit.
Të jem i sinqertë, jam i mendimit se nuk është as koha e përshtatshme e as qëllimi që mund të arrihet, nëse zhvillohet një proces lustrimi i vonuar tri dekada pas rënies së komunizmit. Cili do të ishte qëllimi i pastrimit të spiunëve ose bashkëpunëtorëve të shërbimeve të dikurshme, kur dihet se koha e ka bërë vetë “pastrimin”, duke e ditur se në skenën politike kanë mbetur shumë pak veteranë, janë ndërruar gjeneratat dhe, praktikisht, nuk ke kë të heqësh nga jeta publike në emër të bashkëpunimit me shërbimet e dikurshme. Duke u nisur nga përvoja e Maqedonisë dhe nga konstelacioni politik në Shqipëri dhe Kosovë, jam më se i bindur që një proces lustrimi nuk do të ishte i pastër, e me këtë as i drejtë e i dobishëm. Do të përsëriten situata të ngjashme ose dilema se çfarë kategorish duhet të përfshihen, siç pati debate edhe në Maqedoni, si p.sh. përveç ministrave, kryeministrave, deputetëve dhe bartësve të funksioneve publike, a duhet të lustrohen edhe gazetarët, kleri fetar, OJQ-të, vetëm rektorë, dekanë, drejtorë shkollash apo edhe profesorë? A do të duhet që pasi të zbulohet akëcili se ka qenë spiun, a do të hiqet nga funksioni drejtues e përfaqësues publik apo edhe do të detyrohet ta lë veprimtarinë e tij profesionale, siç ishte në Maqedoni, kur profesorë a gjykatës largoheshin nga puna?
Për mendimin tim, zgjidhja më e mirë do të kishte qenë që të lustruarit të mos kishin të drejtë për t’u zgjedhur ose emëruar në poste udhëheqëse në parlament, qeveri, ministri, ndërmarrje publike, institucione publike, por jo edhe t’u ndalohet veprimtaria publike, siç ishte me të gjitha versionet e ligjit te ne.
Këto ditë, kur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u vunë në rend dite ndryshimet e kushtetutës, kryeministri Dimitar Kovaçevski, për çudi, përmendi se në organin më të lartë ligjvënës, ka ende ish-pjesëtarë të UDB-ës. Çuditërisht, kjo temë nuk zvetënohet asnjëherë në skenat e nxehta politike, sepse të qenit ish-pjesëtar i shërbimeve të zbulimit e kundërzbulimit dhe bashkëpunëtor i tyre (spiun), nga këndvështrimi i sotëm patjetër që është diskreditues për çdo aktor të skenës politike dhe publike, që e bën të papërshtatshëm për të ushtruar çfarëdo posti të lartë drejtues. Aspekti ideologjik, ai që kishte të bëjë me diferencime e gjykime për shkak të bindjeve të veta, është njëri aspekt që ka të bëjë me lustrimin, por krahasimisht, deri diku, vlen për të gjitha vendet, edhe pse ai nuk është i vetëm. Sepse, te një pjesë e spiunëve që “po lëvrijnë” gjithandej e që po përmenden në Kosovë, e ka edhe dimensionin kombëtar dhe ky nuk është më i kufizuar në kornizën kohore të komunizmit, por vazhdon edhe pas. Kur Sali Berisha flet për “Baton Stanishiqin” (e përmendim këtë si një shembull eklatant çka nënkupton kjo e jo se ka ndonjë dëshmi për gazetarin e përmendur), nuk e përmend për ndonjë mëkat bashkëpunimi në kohën komunizmit, por pas, i cili s’është gjë tjetër, pos një tradhti kombëtare, sepse dikush ka bashkëpunuar me shërbimet serbe! Paradoksalisht, kjo kategori e njerëzve që ndoshta janë zbuluar se kanë bashkëpunuar me armikun e kanë pësuar në ndonjë farë mënyre, janë bërë objekt edhe i gjykimeve të Gjykatës Speciale, si dëshmitarë!!!
Nëse i kthehemi pak vetëpërmbajtjes së Fatmir Limajt edhe pasi ka dëgjuar shumë emra spiunësh kosovarë nga Jovan Stanishiqi për llogari të shërbimeve serbe, ai ka heshtur dhe nuk ka dalë publikisht me emra. Mendoj se ai ka shprehur atë lloj kujdesi për t’u ruajtur nga manipulimi, sepse një është të kenë shërbimet kosovare dëshmi për dikë, ndërsa krejtësisht tjetër është që këso “dëshmish” të t’i ofrojë shërbimi i shtetit armik! Nuk e ke të qartë nëse është fakt i vërtetë apo, përmes publikimit të ndonjë emri, shërbimet dëshirojnë ta komprometojnë. Në Maqedoni të Veriut një kohë ishte tepër “trendi” në emisionet e Vasko Eftovit “Në qendër”(“Vo centar”) të vinin ish-shefa të UDB-ës e të na flasin për të kaluarën. Një kohë, madje, disa parti mundoheshin t’i diskreditojnë oponentët e tyre pikërisht përmes “dosjesh” që ky Spasiqi flitej se i shet për para, por kush mund ta dinte nëse ishin të sajuara ose të vërteta. Sepse, ai përmendte emra të atyre që kishin qenë në ballë të lëvizjeve shqiptare për pavarësimin e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve. A mund t’i besonte dikush një Spasiqi kur ai flisë për “Zmijën” (Hashim Thaçin!) në kontekst bashkëpunimi? I bie që shërbimet serbe i paskan trajnuar veprimtarët shqiptarë si ta çlirojnë Kosovën!!!
Më sipër nuk ceka se një nga mangësitë e lustrimit në Maqedoni të Veriut dhe zbulimit të ish-bashkëpunëtorëve kanë qenë dosjet ose, më saktë, mungesa e tyre. Fakti pse shumë bashkëpunëtorë të supozuar nuk janë zbuluar qëndron në vertikalen e funksionimit të ish-shërbimit sekret, pasi ka pasur nivel republikan dhe federativ, madje ka pasur edhe shërbim të ish-armatës. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, arkivat federative kanë mbetur në Beograd, ato të armatës po ashtu janë marrë me vete pas largimit nga Maqedonia, ndaj edhe shumë dëshmi për bashkëpunëtorët janë në to. Pati një përpjekje për t’iu kthyer Maqedonisë dosjet që u përkasin qytetarëve të vet, por kjo nuk ndodhi në kohën kur zhvillohej procesi i lustrimit.
Paramendoni çfarë lustrimi mund të ketë në Kosovë, ku autoritetet serbe pjesën më të madhe të dosjeve kahmoti i kanë transferuar në Beograd ose i kanë zhdukur ose janë zhdukur edhe gjatë luftës në Kosovë. Pra, lustrim, në mënyrën siç është zhvilluar te shumica e vendeve në tranzicion, është krejtësisht i pamundur ose objektivisht i paplotë. Në vend të lustrimit, mund të bëhet deklasifikimi i dosjeve të disponueshme të arkivave kosovare, kjo për qëllime hulumtuese. Ndërkaq, për spiunët e kohës më të re, ato që mund të trajtohen nga këndvështrimi i rrezikimit të interesave shtetërore, duhet të jenë objekt trajtimi në gjykata, si në çdo vend normal të botës, ku tradhtia nuk falet. E njëjta gjë mund të bëhet edhe me dyshimet e viteve të fundit për futjen e parave të dyshimta nga Rusia ose edhe nga Serbia e Greqia, me të cilat janë paguar individë ose media për të mbrojtur kauza të huaja.
Për fund…
Dilemat që janë shtruar në Maqedoni vlejnë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën: a duhet lustrimi, a është i mundur pastrimi i sferës publike nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit dhe nga spiunët e shërbimeve armike më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit? Në Maqedoni u dëshmua se si shoqëri nuk ishim të përgatitur për zbulimin e së vërtetës për bashkëpunëtorët e ish organeve të sigurimit. Edhe vetë vonimi i procesit ishte një problem në vete për çka munguan rezultatet, sepse dy dekada pas fillimit të pluralizmit shumë bashkëpunëtorë ose urdhërdhënës nga regjimi komunist ishin pensionuar ose edhe kishin vdekur. Futja në ligj e kategorisë së ish-ave dhe madje edhe të vdekurve, solli te zbulime shokuese që u dha kah përplasjeve të rrymave historike brendamaqedonase, gjë që shkaktoi ndoshta më shumë dëm të qenies kombëtare sesa “pastrim” me të kaluarën!
Marrë në tërësi, procesi i lustrimit nuk mundi të përfundohet, pasi kapacitetet e Komisionit ishin të kufizuara (anëtarët e Komisionit vetë ishin hulumtues të dosjeve), për dallim nga disa vende (si në Bullgari…) ku janë angazhuar dhjetëfish më shumë njerëz. Megjithatë, fatkeqësia më e madhe është që në proces u futën ndasitë politike e ideologjike të partive, sidomos atyre maqedonase, me çka humbi besueshmëria.
Pikërisht besueshmëria e një procesi të tillë në Shqipëri e Kosovë, ku ka njësoj klimë të “favorshme” për manipulim me dosjet, mund të jetë hendikepi më i madh i një procesi eventual të pastrimit të skenës politike nga ish-bashkëpunëtorë të UDB-ës ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të tashme të vendeve jomike ndaj shqiptarëve. /revistashenja