“Lëvizja e Shpërdorimit të Fesë” publikohet në tetë gjuhë, përfshirë edhe në shqip

Raporti i titulluar “Lëvizja e Shpërdorimit të Fesë, FETO/PDY”, i përgatitur nga Drejtoria e Çështjeve Fetare (Dijanet) e Turqisë me qëllim për të shfaqur dëmet që organizata terroriste FETO i ka shkaktuar fesë islame, do të publikohet në tetë gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të siguruara nga AA, raporti është përkthyer në gjuhët shqipe, angleze, arabe, frënge, gjermane, ruse, kirgize dhe kazake.

Përmes përfaqësive të jashtme, raporti do të shpërndahet në shumë shtete, me në krye shtetet ku organizata terroriste është aktive.

Raporti shfaq në mënyrë të detajuar dëmet që FETO ia ka shkaktuar fesë islame dhe veprat e organizatës të kryera në këtë drejtim gjatë një periudhe prej 40 vitesh.

Sipas raportit, në një fjalim të mbajtur më 9 shtator të vitit 1977, Fetullah Gylen, kreu i organizatës terroriste FETO, predikon mosbindje ndaj babait, nënës dhe vëllezërve e motrave, nëse ata kundërshtojnë besimtarët, duke e shpërdoruar ajetin 22 të kaptinës Muxhadele nga Kurani, e cila shpërfaq qëndrimin që një besimtar duhet marrë ndaj nënës dhe babait të tij që nuk besojnë, dhe duke thënë: “Në emër të kësaj kauze, nuk do t’i dëgjoni as babain, as nënë dhe as svëllezërit e motrat”.

Raporti thekson se anëtarët e FETO-s kanë përdorur mashtrimin dhe rrugët e fshehta në mënyrë që të mos shfaqen, kurse janë motivuar duke i orientuar gjoja drejt “qëllimesh të larta”.

Në raport po ashtu thuhet se organizata ka përdorur “shpifje” dhe “komplote” ndaj personave që i kanë kundërshtuar interesat e tyre dhe nuk kanë shfaqur bindje të plotë brenda organizatës.

Raporti përfshin edhe pjesë ku thuhet se FETO/PDY kanë shpërdoruar edhe librin e shenjtë Kuranin, në mënyrë që ta legjitimojë veten në procesin e dialogut ndërfetar.

“Për të fituar legjitimitet në procesin e dialogut, është shpërdorur ajeti 64 i kaptinës Ali Imran, ndërsa është shfaqur në mënyrë të qëllimshme vetëm pjesën e parë të shehadetit. Kështu, në disa fjalime, Gylen është shprehur se i do ata që thonë ‘La ilahe illallah’, duke shkaktuar që anëtarët e tij të krijojnë perceptimin se shpëtimi është i mundur edhe pa pjesën ‘Muhamedun Resulullah’ të shehadetit”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër, edhe raporti “Shpërdorimi i fesë me retorikën e organizatës terroriste FETO”, që paraqet dëmet e Fetullah Gylenit ndaj fesë islame, i përgatitur nga Dijaneti pas analizës së 80 librave dhe dëgjimit të materialeve audio-vizuale për rreth 40 mijë minuta, në të njëjtën mënyrë do të publikohet në tetë gjuhë.