Lëvizja e lirë dhe kodi telefonik, temë e bisedimeve në Bruksel

Ministria për Dialog, ka bërë të ditur se sot dhe nesër në Bruksel do të vazhdojnë takimet e nivelit teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në agjendë të këtyre takimeve do të jenë çështja e lëvizjes së lirë dhe ajo për kodin shtetëror telefonik të Republikës së Kosovës.

Ministrja Edita Tahiri, njëherit udhëheqësja e dialogut teknik, deklaron se marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e veturave në mes të dy shteteve është arritur javën e kaluar, ndërsa në takimin e sotëm, takimi i grupit punues për lëvizjen e lirë do të fokusohet në heqjen e tabelave të mbetura ilegale që qarkullojnë aty-këtu në komunat veriore të Kosovës.