Lëvizja Besa: Zvërleski është protagonist për padrejtësitë ndaj shqiptarëve

Debati në Kuvendin Republikan për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm nga dita e djeshme është kryetema e opinionit të vendit. Në të vërtetë, sipas nesh, Prokurori Publik, Marko Zvërlevski, është shkarkuar shumë më herët, pra që me krijimin e Prokurorisë Speciale, kur siç e dimë deputetët e të gjitha grupeve parlamentare të përbërjes së kaluar votuan për krijimin e PSP-së dhe ashtu konstatuan përgjegjësinë e Prokurorisë së Përgjithshëm edhe prokurorit Zvërlevski. Prandaj kjo që ndodhë sot është vetëm çështje e moralit politik dhe profesional, njofton Lëvizja Besa për Telegrafi Maqedoni.

”Ajo që është irrituese dhe jo në nivel të një qeverie të përgjegjshme është arsyetimi që Qeveria e dha në Kuvendin Republikan për shkarkimin e kryeprokurorit Zvërlevski. Sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, për shkarkimin e Kryeprokurorit potencohen arsyet ligjore të përshkruara në Ligjin për Prokurorinë dhe disa raste ku vlerësohet se Prokurori i Përgjithshëm nuk ka vepruar ose ka vepruar në kundërshtim me ligjin ose për motive të tjera, siç është Banka Maqedonase, rasti AKVA, Masat e Posaçme Hetuese te kryeministri, ndjekja e kundërshtarëve politikë nga opozita e atëhershme, bisedat e përgjuara etj. Ndërkaq të gjithë e dimë se viteve të fundit në Maqedoni janë zhvilluar procedura gjyqësore, që shqiptarët i konsiderojnë të montuara, që kanë përfunduar me vendime skandaloze, ku viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët, siç janë SOPOTI e MONSTRA, ndërsa pikërisht Prokuroria e Përgjithshme ka qenë protagoniste e procedurave gjyqësore kundër shqiptarëve.

Megjithatë, asnjë nga këto nuk janë pjesë e arsyetimit të qeverise. Prandaj kjo vetvetiu e imponon pyetjen se a qëndron edhe kjo qeveri pas atyre vendimeve skandaloze të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj shqiptarëve? Sikur Ministria e Drejtësisë të kishte qenë e vëmendshme, do të kishte mundësi t’i përmendë edhe rastet ku Prokuroria nuk ka vepruar konform kompetencave ligjore, siç ishin rrahjet që u ndodhin nxënësve dhe të rinjve shqiptarë rrugëve të Shkupit, por jo vetëm, e as rastet kur shqiptarët për pjesëmarrje në protestë u dënuan me disa vite burg.

Meqë Qeverinë në Kuvend e përfaqësonte zëvendësministri i Drejtësisë, pra mungonte ministri, i cili është nga BDI-ja, ndërsa duke pasur parasysh se BDI-ja viteve të fundit ka udhëhequr me resorin e Drejtësisë, pra edhe kur kanë ndodhur rastet e montuara ndaj shqiptareve, atëherë parashtrohet pyetja se cili është roli i BDI-së në qeveri dhe çfarë roli kanë ministrat e Drejtësisë së BDI-së në qeveri? A mos ndoshta BDI-ja, ashtu si më 2013 kur e votoi emërimin e Zvërleskit, mes tjerash edhe ai që sot është Kryetar i Kuvendit të R. së Maqedonisë, edhe sot dëshiron të fshihet nga përgjegjësia? Në fakt, nëse ata janë penduar pse e kanë votuar Zvërleskin, si nuk ndodhi që së paku një herë të kërkojnë llogari nga ai dhe pse as në arsyetimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku ata udhëheqin, nuk përmendet qasja antishqiptare e Prokurorisë së Përgjithshme? A bëhet fjalë për anashkalim e mospërfillje, si në çdo qeverisje të tyre, apo mos janë pjesë e skenarëve të errëta, që tash nuk kanë guximin të deklarohen haptazi?

Lëvizja BESA do të votojë për shkarkimin e Zvërleskit para së gjithash për arsye se ai është protagonist i padrejtësisë ndaj shqiptarëve, por me këtë rast nuk mund të mos theksojmë se deri më tash as Prokuroria Speciale Publike nuk i ka përmbushur pritjet e shqiptarëve. Shqiptarët presin me të drejtë drejtësinë e vërtetë dhe zbardhjen e rasteve SOPOT, MONSTRA, por edhe zbardhjen e rastit të Kumanovës”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes.