“Letra e Trumpit për Iranin përcakton një afat 2-mujor për marrëveshjen e re bërthamore”

Letra e presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar liderit suprem iranian, Ali Khamenei, përfshinë një afat prej dy muajsh për të arritur një marrëveshje të re bërthamore, transmeton Anadolu.

Sipas një raporti nga ‘Axios’, një zyrtar amerikan dhe dy burime të informuara për letrën konfirmuan afatin kohor, edhe pse mbetet e paqartë nëse ora fillon nga dorëzimi i letrës apo nga fillimi i negociatave.

Letra iu dërgua liderit iranian për një zinxhiri diplomatik që përfshinte të dërguarin e presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Bin Zayed.

Witkoff ia dorëzoi letrën Bin Zayed-it gjatë një takimi në Abu Dhabi dhe më pa letra i është dërguar ministrit iranian të Punëve të Jashtme përmes të dërguarit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash.

Khamenei dënoi atë që ai e quajti “taktikë bullizmi” pas kërcënimeve të Trumpit. Në fillim të kësaj jave, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit tha se letra ende është në shqyrtim dhe një përgjigje është duke u hartuar.

Trump theksoi synimin e tij për të penguar Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

“Ne nuk mund t’i lejojmë ata të kenë një armë bërthamore. Diçka do të ndodhë shumë shpejt. Më mirë do të kisha një marrëveshje të paqes, sesa opsioni tjetër, por opsioni tjetër do ta zgjidhë problemin”, tha Trump më herët.

Në vitin 2018, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe rivendosi sanksionet ndaj Teheranit.

Pavarësisht pajtueshmërisë me marrëveshjen për më shumë se një vit pas tërheqjes së SHBA-së, Irani gradualisht reduktoi angazhimet nga marrëveshja, duke përmendur mbrojtjen e interesave të tij pas dështimit të nënshkruesve të tjerë të marrëveshjes.

Administrata e presidentit Trump ka sinjalizuar një kthim në strategjinë e saj të “presionit maksimal”, duke u fokusuar në sanksione të rrepta për të frenuar programet e raketave bërthamore dhe balistike të Iranit.

Më herët, Trump kërkoi që Irani të ndalojë menjëherë mbështetjen për Houthit e Jemenit, duke u zotuar se do të “shkatërrojë” grupin.