Letërsia shqiptare në shkollat shqipe në Maqedoni gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar

Qerim Lita

Për të parë më për së afërmi se sa në të vërtetë është përfshirë letërsia shqiptare në shkollat shqipe në RP të Maqedonisë gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, e pashë të arsyeshme që në këtë numër të revistës “SHENJA” ta botoj të plotë elaboratin e hartuar në shtator të vitit 1955 nga Komisioni për Pakicat Nacionale pranë Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Maqedonisë (LSPPM), i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Arkivit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, fondi 427.

Qerim LITA, Shkup

Vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar karakterizohen me një ngecje të skajshme të zhvillimit të arsimit e të kulturës shqiptare në RP të Maqedonisë. Komisioni për Pakicat Nacionale e informonte Këshillin Ekzekutiv të KQ të LKM-së se deri në vitin 1958 ishin botuar vetëm 20 vepra në gjuhën shqipe, prej tyre: “dy origjinale, 18 përkthime / 10 nga autorët jugosllavë, 5 nga autorët e huaj dhe 3 publikime me përmbajtje politike/.”. “Kjo pasqyrë”, thuhej në informatë “dëshmon se është botuar shumë pak, se gjatë botimeve ka munguar një plan dhe politikë e caktuar, se është botuar në mënyrë të paorganizuar, kur dhe si është paraqitur nevoja e domosdoshme, si edhe kur janë paraqitur veprat e përgatitura për botim…”.
Nisur nga ky fakt, Këshilli Ekzekutiv mori qëndrim që, bashkërisht me Kosovën, të rregullohet botimi për libra dhe beletristikë tjetër, pastaj t’i ofrohet ndihmë “Flakës së Vëllazërimit” që të përforcohet me kuadër dhe të dalë me më shumë faqe. Vëmendje të veçantë Këshilli Ekzekutiv i kushtoi edhe çështjes së gjuhës shqipe, ku u mor qëndrimi që “çështja e gjuhës shqipe të zgjidhet në mënyrë parimore”, përkatësisht që midis dilemës së gjuhës letrare shqipe dhe gjuhës që përdoret në Kosovë, u pranua varianti i parë, për shkak se Këshilli Ekzekutiv konsideronte që “nuk mund të shkohej në gjuhë tjetër, përveç gjuhës së shtetit amë”.
Përkundër disa përpjekjeve që asaj kohe u ndërmorën nga ana e organeve partiake e shtetërore për gjetjen e një rruge e cila do të mundësonte zhvillimin e veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe, një përpjekje e tillë nuk pati efekt, sepse pozita e veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe në RP të Maqedonisë ishte po ajo e para vitit 1950. Lidhur me këtë, Komisioni për Pakicat Nacionale pranë KQ të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, më 1 korrik 1958, i shkruante komisionit përkatës pranë KQ të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, se realizimi i politikës së caktuar të botimit të librave në gjuhën shqipe “pamundësohej për shkak situatës së pavolitshme” si: mungesa e mjeteve financiare për botimin e librave, tirazhi i vogël për shkak të “numrit të vogël të nxënësve”, mungesa e “profesionistëve”, përkatësisht pedagogëve për përgatitjen e librave etj. Arsyetimi i tillë, veçmas ky i fundit, ishte i paqëndrueshëm, aq më tepër kur dihej se një situatë e tillë gjatë viteve 1945-1950 mbretëronte edhe në shkollat me mësim në gjuhën maqedonase. Megjithatë, udhëheqja e atëhershme komuniste maqedonase këtë problematikë e zgjidhi menjëherë, përmes hapjes së shkollave të mesme, të larta e fakulteteve në gjuhën maqedonase, ndërsa nga viti 1948 edhe me hapjen e Universitetit në Shkup. Në anën tjetër, për zhvillimin e arsimit shqip nuk ndërmori asnjë hap për përmirësimin e asaj gjendje të mjerueshme, ku përveç Normales Shqipe në Shkup dhe paraleleve shqipe të gjimnazit të Tetovës, deri në vitin shkollor 1959/1960 nuk pati asnjë shkollë tjetër të mesme me mësim në gjuhën shqipe.
Për të parë më për së afërmi se sa në të vërtetë është përfshirë letërsia shqiptare në shkollat shqipe në RP të Maqedonisë gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, e pashë të arsyeshme që në këtë numër të revistës “SHENJA” ta botoj të plotë elaboratin e hartuar në shtator të vitit 1955 nga Komisioni për Pakicat Nacionale pranë Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Maqedonisë (LSPPM), i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Arkivit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, fondi 427.

* * *

“ÇËSHTJA E GJUHËS DHE LETËRSISË SHQIPE
Shkup, shtator, 1955

Nga librat për gjuhën shqipe i kemi:
A) Abetaren me Librin e leximit për klasë të parë të shkollave fillore /botimi i Prishtinës/; pastaj për klasën II e III /përkthim i librit të leximit nga shkollat në gjuhën maqedonase/, dhe për klasën IV, në të cilën në fund janë shtuar këngë popullore për Bajram Currin, Halit Gashin, Musë Tahirin, Shaqir Grishën, Shpend Zenunin, Halit Dugën dhe Aga Ymerin.
Abetarja nuk është e përshtatshme për shkollat shqiptare në RPM, për arsye se ka përmbajtje në mënyrë ekskluzive për nevojat e pakicës shqiptare në Kosmet (Kosovë e Metohi – Q.L.). Përdorimi i saj në shkollat e këtushme i shkel parimet pedagogjike /nga e afërta kah e largëta, nga e njohura kah e panjohura etj., në të cilin kuptim ajo përshtatet vetëm për fëmijët shqiptarë në Kosmet/. Aty ka tekste për kooperativat në Kosmet, për kolektivet punuese dhe për luftëtarët në Kosmet, për njohuritë gjeografike në Kosmet etj., e cila nuk përbën realitetin më të afërt për fëmijët e këtushëm. Për vëllazërim-bashkimin flitet në një vend, edhe atë përmes ilustrimit të serbit, shqiptarit e malazezit nën flamurin jugosllav, që është e pamjaftueshme, madje edhe për Kosmetin. Libri i leximit për klasën I të shkollave fillore, që është botuar së bashku me Abetaren, kryesisht i përmbush nevojat. /Vëllazërim bashkimi edhe këtu jepet ekskluzivisht përmes treshes serbi, shqiptari e malazezi – kënga “Ne jemi vëllazër”.
Libri i leximit për klasën II e III si përkthim i librit të leximit për shkollat maqedonase, pasi janë të tilla – të bartura në mënyrë të thjeshtë – detyrimisht se vuajnë nga mangësi të caktuara kur ballafaqohen me nevojat e shkollave shqipe. Nuk bëhet fjalë se për to në shkollat shqipe përpunohet programi më i vogël, por në atë se ky mësim duhet të zhvillohet me më shumë material për shqiptarët dhe nga këndvështrimi i edukimit të pakicës shqiptare, në frymën e bashkësisë jugosllave. Kjo, nga njëra anë, nënkupton se duhet të ofrohet më shumë material bazë për shqiptarët se sa mund të ofrojë një libër leximi për shkollat maqedonase /këngë popullore shqipe, proverba popullore, vjersha dhe poezi apo proza nga letërsia shqipe që i ka kjo pakicë e jonë, pastaj më shumë gjeografi, e cila paraqet vendin e merituar të kësaj pakice – në ato zona ku ajo jeton/, – ndërsa, nga ana tjetër, disa tekste duhet të zhvillohen sipas psikologjisë së fëmijëve shqiptarë. Nëse shkruhet për vëllazërim-bashkimin, për bashkësinë jugosllave – në Librin e leximit në gjuhën maqedonase, e njëjta është dhënë përmes prizmit të interesit maqedonas për t’u lidhur e zhvilluar si pjesë e kësaj bashkësie; politika e vëllazërimit argumentohet për rezultatet e saj për kombin maqedonas, përkatësisht edukimi i patriotizmit jugosllav nuk përbën frazën e përgjithësuar – por, niset nga psikologjia e maqedonasit, nga nevoja e tij, për lidhjet e tij për këtë bashkësi. Konsiderojmë se nevojitet që në këtë mënyrë të qaset edhe për edukimin e fëmijëve shqiptarë, por kjo nënkupton se këto libra të leximit duhet të plotësohen me tekste të tilla. Për këtë arsye librat e leximit për klasët II e III të shkollave fillore, si përkthime nga librat e leximit të shkollave maqedonase, për mendimin tonë, nuk mund t’i përmbushin nevojat për shkollat shqipe.
Në librin e leximit për klasën IV është bërë përpjekje që të plotësohet kjo zbrazëtirë. Mirëpo, kjo është bërë vetëm përmes këngëve popullore, të cilat janë dhënë në fund të librit e të cilat nuk janë përpunuar aq mirë. Të gjitha këto këngë kanë prejardhjen nga Kosmeti, ndërsa nuk ka asnjë e cila është kënduar nga shqiptarët e këtushëm dhe e afërt për këta fëmijë. Pastaj, janë marrë këngë të cilat, për shembull, flasin për heroin i cili ka luftuar në Shqipëri kundër Mbretit Zog/ thuajse nuk ka pasur mundësi të gjendet ndonjë luftëtar i cili ka luftuar këtu në Jugosllavi për barazinë e pakicës shqiptare kundër klikave pushtuese dhe për vëllazërim-bashkimin!/, për heronjtë të cilët veprojnë në linjën e gjakmarrjes ose të “besës” shqiptare /që nga pak duket edhe si glorifikim i traditës primitive/;
B) Nga librat e leximit për gjimnaz, përkatësisht për klasat e larta të shkollave fillore, këtu në RPM janë botuar – një për vitin I dhe II të gjimnazit, përkatësisht për klasat V e VI të tetëvjeçares dhe e dyta për vitin III të gjimnazit /për klasën VII të tetëvjeçares/.
Librat e leximit janë përpunuar sipas parimeve të zbatuara për librat tjerë të ngjashme.
Në librin e parë /për vitin I e II të paraleleve të gjimnazit/ ka 135 tekste, nga të cilat 75 tekste /këngë, tregime, fragmente/ nga shkrimtarë jugosllav /në mesin e të cilëve edhe maqedonas/ dhe shkrimtar botërorë; – 36 tekste nga shkrimtarë shqiptarë edhe atë 22 nga ata nga Shqipëria dhe 14 nga pjesëtarët e pakicës shqiptare nga Kosmeti e Maqedonia.
Libri i leximit për vitin III të gjimnazit /klasa VII e tetëvjeçares/ ka 74 tekste, prej të cilave 66 janë nga shkrimtarë të ndryshëm. Për 37 tekste nga 66 autorë janë shqiptarë, prej tyre 19 nga Shqipëria. Krahas teksteve të tyre, janë paraqitur të dhëna të shkurta për jetën dhe veprën e 7 shkrimtarëve nga Shqipëria, edhe atë për Naim Frashërin /1846-1900/, Aleksandër Stavër Drenova – Asdreni /1872-1949/, Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni /1909-1938/, Hilë Mosi /1885-1933/, Andon Zako – Çajupi /1866-1933/, Ndre Mjeda /1866-1927/ dhe Fan Noli /1880 – tash jeton në Amerikë/.
Në klasat e larta të gjimnazit dhe në Shkollën Normale nuk ka libra të tilla, për arsye se në to mësohet teoria dhe historia e letërsisë shqipe, sintaksa, gramatika etj. Në to shfrytëzohen tre libra: 1/ Gramatika nga Hasan Vokshi; 2/ Sintaksa nga Sali Kolgeci dhe 3/ Antologjia e letërsisë shqipe nga Vokshi, Nimani dhe Bashi /e fundit është përzgjedhje tekstesh – krijimtari origjinale e të përkthyera në gjuhën shqipe; është përfshirë letërsia shqipe nga mbarimi i shekullit XV deri në vitin 1941/.
Të tre librat janë botuar në vitin 1953 në Prishtinë.
Përmbajtja e këtyre librave të leximit si dhe të antologjisë flet për atë se /po qe se merret parasysh edhe programi mësimor për gjuhë dhe letërsi shqipe, të cilin e ka miratuar Këshilli për Arsim i RPM-së/ mësimi është vendosur më shumë për mësimin e letërsisë shqipe dhe zhvillimin e saj – me vështrim të veçantë për shkrimtarët botërorë e jugosllavë sesa e kundërta, edhe pse një pjesë /më e madhe/ e arsimtarëve shqiptarë “protestojnë”, përkatësisht pohojnë se mësohet letërsia botërore e ajo jugosllave me një vështrim për atë shqiptare. Siç mund të shihet, këtu imponohen disa pyetje:
Në radhë të parë, cilët dallime gjuhësore janë midis botimeve të botuara në Kosmet dhe shqiptarëve të RPM dhe në cilën bazë duhet ndërtuar politikën e afrimit të kësaj gjuhe, përkatësisht unifikimit të saj? Kjo pyetje është pjesë e problemeve të përgjithshme të gjuhës shqipe të mësimit dhe literaturës së pakicës nacionale – pyetje për unifikimin gjuhësor në mësim dhe në letërsi për mbarë shqiptarët në RFPJ dhe raporti i asaj gjuhe ndaj asaj që krijohet si gjuhë letrare e popullit shqiptar.
– Më tej, ka mundësi që abetarja, librat e leximit për shkollat fillore, por edhe më tej për tetëvjeçaret e gjimnazet të jenë të unifikuara për fëmijët shqiptarë në Kosmet e në Maqedoni, duke i pasur parasysh rrethanat pedagogjike e të tjera?
– Në cilat përmasa dhe çfarë qasje duhet pasur nga të dy anët ndaj atyre librave, të cilat botohen ndaras edhe në Prishtinë, edhe në Shkup – përfaqësuesit e literaturës, e cila zhvillohet në pjesët e pakicave nacionale edhe në Kosmet edhe në Maqedoni?
– Çfarë kriteri duhet marrë në përzgjedhjen e teksteve nga letërsia, e cila zhvillohet në kuadër të pakicës nacionale në Kosmet e në RPM, si dhe nga krijimtaria popullore /këngë popullore, përralla, proverba etj./?
– Çfarë programi mësimor duhet të merret parasysh ndaj letërsisë shqiptare /në Shqipëri/?
Të gjitha këto pyetje kërkojnë zgjidhje mbi bazën parimore, aq më tepër se shumë libra paraqesin tendenca të ndryshme të karakterit politik. Ne, në lidhje me çështjen nacionale, jemi të obliguar të qëndrojmë mbi pozitat marksiste, ndërsa kjo nënkupton se jo vetëm që po e realizojmë zhvillimin e lirë nacional të pakicës shqiptare, por duhet ta çojmë në mënyrë sa më të natyrshme zhvillimin si pjesë e bashkësisë socialiste jugosllave. Kjo do të thotë se duhet shmangur tërë atë që e ofendon ndjenjën pozitive të shqiptarëve, e cila në një mënyrë a tjetër nënkupton përkufizimin e të drejtave të tyre, ndjenjës dhe zhvillimit të plotë nacional të saj, por njëkohësisht luftë edhe kundër tërë asaj, e cila në një mënyrë a tjetër e ndan nga qëllimet jugosllave, e cila e dobëson e nuk e forcon këtë lidhje, e cila është në kundërshtim me patriotizmin socialist e jugosllav.
Ekzistojnë dukuri irredentiste, shoviniste, të cilat në vetvete nxjerrin në pah shprehjen e tejdukshme të përkatësisë së tyre, si pjesë e pandashme e kombit shqiptar në Shqipëri, e cila vjen si rezistencë e një “përpjekjeje” – siç mendojnë disa intelektualë-shovinistë – që pakica shqiptare të shkëputet nga kombi i saj edhe gjuhësisht, edhe historikisht, krahas kufijve shtetërorë të cilët e ndajnë, që të shkrihet në qëllimet sllave. Thelbi i këtij ‘sentimentalitet’ në planin përfundimtar, është në kërkesat irredentiste të pashpallura e të fshehura. Në këtë linjë, disa shqiptarë ‘me nismën e tyre’ për shpëtimin e shqiptarisë – përpiqen të zhvillojnë kontakte sa më të shumta me Kosmetin në të gjitha drejtimet, për t’u manifestuar si një tërësi e vetme dhe e pandashme në RFPJ /sikur dikush po i penguaka për ato ndjenja!/, ashtu siç qëndron para nacionaliteteve tjera – uniteti. /Te ne, madje, pati përpjekje që të ndërpritet së botuari edhe fletushka e pionierëve për pakicën shqiptare dhe fletushka e pionierëve kosovarë të jetë e vetmja, përkatësisht edhe për fëmijët shqiptarë në RPM, kjo për shkaqe financiare. Pati dukuri që disa shqiptarë gjatë regjistrimit të fundit të deklarohen si turq, për ta shfrytëzuar mundësinë e shpërnguljes në Turqi. Kundër kësaj, një pjesë e mësuesve me orientim nacionalist e kështu me radhe, zhvilluan ‘fushatë’ nën parullën – të qëndrohet këtu, të përforcohet kompaktësia shqiptare, në atë mënyrë që ta ruajnë territorin shqiptar etj. Edhe në këtë ‘aksion’ ndjenjat ishin irredentiste, gjë që flet edhe për shtrembërimin e qëllimshëm të realitetit të shpërnguljes së turqve, ashtu siç është objektivisht/.
Vërejtjet e arsimtarëve shqiptarë se në shkollë mësohet letërsia botërore e jugosllave me vështrim ndaj asaj shqiptare dhe tendencat e tyre që kjo duhet të jetë e kundërta, se e njëjta duhet të jetë edhe me historinë etj. – gjithashtu niset nga ndjenjat nacionaliste e irredentiste.
Për shkak të tërë kësaj, këtu bëhet fjalë për një çështje parimore, vërtetë serioze për gjetjen e një mase të drejtë ndaj këtyre marrëdhënieve të pakicës, ndaj kombit të tij në përgjithësi nga njëra anë dhe ndaj bashkësisë socialiste jugosllave nga ana tjetër. Edhe atë, konkretisht për secilin rast. Çështjet duhet të jenë të vendosura në atë mënyrë, saqë edhe një sjellje e lirë dhe e matur e pakicës ndaj kombit të tij, të kontribuojë në forcimin e lidhjes së saj, e njëjta të jetë, si pjesë e zhvillimit të socializmit jugosllav.
Të gjendet masa e drejtë parimore, e arsyeshme dhe zbatueshmëria konsekuente ndaj tërë atyre çështjeve, që përbën bazën më të sigurt për pengimin e dukurive të ndryshme shoviniste dhe për luftë të suksesshme kundër të njëjtave.
Pjesa më e madhe e mësuesve nëpër shkolla i edukojnë fëmijët në frymën nacionaliste – kryhet presion që jashtë shkolle të mos flasin maqedonisht, u mësojnë këngë nacionaliste, zhvillojnë marrëdhënie ndaj Shqipërisë, sikur ndaj atdheut të tyre që duhet synuar, shfrytëzohet rasti për të folur për shkrimtarët shqiptarë në çdo moment, madje edhe atëherë kur ligjërohet për ndonjë shkrimtar jugosllav, drejtimet letrare ilustrohen me veprat e shkrimtarëve shqiptarë etj.. Krejt kjo është në linjën e edukimit se në Jugosllavi shqiptarët janë përkohësisht, se ata me fytyrë duhet të jenë të kthyer kah vendi amë, kombi, shteti i tyre, atdheu i tyre – Shqipëria.
Tërë kjo në një formë më të fuqishme ose më të dobët i ka edhe qëllimet e veta te shovinistët e përbetuar dhe te një pjesë e mësuesve tjerë. Ekziston edhe diçka si ‘sentimentalitet’, zhvillimin e ëndërrimit për lashtësinë e shqiptarëve dhe për prejardhjen ‘ilire’, se nuk janë popull ardhacak e kështu me radhë – që te disa edhe nuk është e ngjyrosur me shovinizëm e as që ka orientim antijugosllav.
Çështja shtrohet se mbi cilat baza ta udhëheqim luftën kundër tendencave të më larta. Disa njerëzve tanë u pengon, madje edhe ky sentimentalitet i pashmangshëm natyror, shprehja e shqiptarësisë etj., e cila jo çdo herë mund të jetë negative, ndërsa disa herë është rrjedhojë e zhvillimit të lirë nacional, e hovit të kulturës nacionale. Disave u pengon edhe ajo se shqiptarët në përgjithësi e shijojnë ekzistimin e shtetit shqiptar, që nuk janë indiferent ndaj tij e të orientohet tërësisht ndaj jugosllavizmit, se ndaj Shqipërisë /madje, edhe ndaj Kosmetit/ ndjehen si një komb. Ata dëshirojnë që ndjenjat e kësaj natyre t’i pastrojnë tërësisht, që shqiptarët menjëherë dhe në tërësi në radhë të parë të ndjehen si jugosllav, duke harruar se edhe patriotizmi jugosllav lidhjen e tij me bashkësinë socialiste e realizon në një proces gjithnjë e më të gjerë të ndërtimit të vet, asaj bashkësie si në pikëpamjen materiale ashtu edhe në atë kulturore, përmes ndërtimit dhe aktivitetit politik ideologjik, gjatë së cilës gjithashtu nënkuptohet edhe liria dhe zhvillim nacional, gjithnjë e më i plotë i vetë asaj pakice si e tillë.
Moskuptimi i këtij procesi, vështirësitë e tij, mund të na çojnë në rrugë të gabueshme për këtë çështje delikate, përkatësisht që përmes veprimit për kufizimin e caktuar të të drejtave ose të ndjenjave nacionale /të cilat nuk mund të ndryshohen përmes masave administrative/. Për shembull, tendenca që ndoshta të pamundësohet tërësisht përfshirja e letërsisë dhe e historisë shqiptare në mësimin tonë, të shkohet në linjën e miratimit të gjuhës lokale në mësim, shtyp, duke e injoruar zhvillimin e letërsisë nacionale në gjuhën shqipe, në këto shkolla të forcohet gjuha maqedonase, përmes një kufiri të arsyeshëm etj. Kjo përbën linjën objektive të dobësimit të lidhjes shpirtërore të pakicës ma atë që e përbën kombin e saj – si rrugë e orientimit të saj kah uniteti shpirtëror me bashkësinë jugosllave.
Parashtrohet pyetja – a thua lufta kundër dukurive nacionaliste, kundër irredentizmit – edhe pse ai irredentizëm e keqpërdor pikërisht atë ndjenjë nacionale – si mjet të tij efikas i kërkon mjetet e përkufizimit të vetë asaj ndjenje nacionale? Ne nuk mund ta trajtojmë pakicën si pakicë nacionale të lirë nëse anëtarët e saj mund të ndihen vetëm si pjesëtarë të pakicës nacionale shqiptare-jugosllave, sepse gjithçka që është tepër asaj – e shfrytëzon irredentizmi, ndërsa “politikisht” bëhet oportune“. Mirëpo, ndjenja nacionale që në këtë fazë të zhvillimit të plotë detyrimisht se i përfshin ndjenjat e kombit të vet, përkatësisë kombëtare si tërësi, por edhe një marrëdhënie të caktuar ndaj historisë dhe letërsisë së vet. Ajo nuk mund të zhvishet nga ndjenjat e veta të përjetuara, nëse nuk zhvillohet vetëdija socialiste, ndjenja e përkatësisë së bashkësisë socialiste. Jugosllavizmi nuk mund të përfitohet me përkufizimin e ndjenjave nacionale, por me ndjenjën e lirisë së vet, me zhvillimin e plotë nacional. Lufta kundër irredentizmit, shovinizmit duhet udhëhequr si kundër keqpërdorimit të ndjenjave nacionale, si kundër rrezikut ndaj interesave themelore, ndërsa kjo nënkupton në radhë të parë interesat socialiste e nacionale të vetë pakicës.
Vlerësojmë se ndaj të gjitha çështjeve të lartpërmendura më e drejta është të veprohet duke e marrë parasysh këtë situatë. Sentimentaliteti nacional i shqiptarëve ndaj kombit, historisë dhe letërsisë, gjuhës së vet etj., vetvetiu nuk paraqet rrezik, dëm e as që është negative. Ajo nuk do ta largojë e ta ndajë pakicën shqiptare nga bashkësia jugosllave, nëse tërë zhvillimi ynë socialist e formon si në pikëpamjen materiale, po ashtu edhe në atë politike-shoqërore e kulturore, si pjesë e pandashme me bashkësinë socialiste jugosllave, nëse e lidh me interesat e saja jetësore.
Në fakt, një bashkësi kësisoj e gjerë mund të formojë lidhje të forta, unitet të pandashëm, patriotizmin e vet të përgjithshëm – te nacionalitetet e ndryshme para së gjithash përmes kombeve, përmes trajtimit të tij të barabartë në suazat e asaj bashkësie dhe ky është momenti i rëndësishëm së paku derisa në plan të parë te masat nuk mbisundon vetëdija që edhe vetë ndjenjat nacionale në momentet kontestuese, të bëjnë gjithçka për të.
Nëse çështjet e shtruara më lart i shohim nga ky prizëm, në lidhje me librat dhe mësimin në shkollat shqiptare, na duket se si më të drejta do të ishin qëndrimet që vijojnë më poshtë:
Programi i mësimit për disa lëndë në shkollat shqiptare nuk mund të dallohen për nga qasja, volumi dhe trajtimi i materies së programit me shkollat tona të tjera. Ajo, megjithatë, do të nënkuptonte thyerjen e unitetit të mësimit shkollor në shkollat tona. Te ne, të gjitha shkollat, pavarësisht se cilës kombësi i ‘takojnë’, në radhë të parë janë jugosllavë, i takojnë sistemit shkollor të RFPJ-së, të cilat nisen nga bazat dhe parimet e vetme dhe ato në mësimin dhe programin e tyre nuk munden në çfarëdolloj mënyre të jenë eksterritoriale. Për këtë arsye, nuk paraqet kurrfarë përkufizimi nacional nëse në shkollat tona, përfshirë këtu edhe ato shqiptare, nëse mësohet letërsia botërore dhe jugosllave /duke e përfshirë në të edhe letërsinë e pakicës shqiptare – si shkrimtarë jugosllavë/. Programet do të ishin gabimisht të vendosura nëse në to kryesisht, përkatësisht, nëse mësimi kryesor do të ishte letërsia shqipe me vështrim ndaj letërsisë botërore e jugosllave. Në këtë drejtim, kërkesa e arsimtarëve shqiptarë objektivisht ka karakter irredentist.
Letërsinë që këtu e zhvillon pakica – është shqiptare, në kuptimin nacional është pjesë e letërsisë shqiptare, mirëpo ajo në radhë të parë është pjesë e letërsisë socialiste jugosllave dhe mësohet si ‘kryesorja’ nëse tashmë bëhet fjalë për të, nga vetë fakti se në program është futur si mësimi kryesor i letërsisë jugosllave. Kërkesat e plota nacionale dhe kuptimi i marrëdhënieve ndaj kulturës nacionale janë mundësuar me vetë faktin e futjes së kësaj letërsie të pakicës brenda indit jugosllav, në suazat e kushteve jugosllave dhe duke i shprehur ato kushte – është përfshirë në mënyrë të barabartë si letërsi socialiste jugosllave, e cila mësohet jo vetëm në shkollat shqiptare, por edhe në shkollat tona të tjera /edhe pse shumë më gjerësisht në shkollat shqiptare/. Ta ndash këtë letërsi nga suazat jugosllave dhe ta mësosh si letërsi shqiptare me theksin e letërsisë në Shqipëri, kjo përbën cenimin e tërësisë jugosllave në kuptimin politik, shkollor, si dhe të gjitha kuptimet tjera. Ndërsa ta mësosh letërsinë shqiptare si kryesoren, e atë jugosllave si sporadike dhe në suazat e saja – edhe letërsinë e pakicës, do të thoshte se këtë të fundit ta trajtosh si letërsi provinciale e të pazhvilluar, si diçka e cila megjithatë, në kuptimin nacional, nuk i takon letërsisë së përgjithshme nacionale shqiptare.
Letërsia shqiptare nuk mundet dhe nuk duhet shmangur nga mësimi i letërsisë botërore në shkollat shqiptare. Para së gjithash do të ishte shumë e padrejtë nëse gjatë mësimit të letërsisë shqiptare injoroheshin ata, të cilët me veprat e tyre letrare e kanë krijuar atë gjuhë. Mirëpo, ky mësim duhet të jetë në suazat e historisë së letërsisë botërore, edhe atë jo e fryrë për arsye të ndjenjave nacionale, por me përzgjedhjen serioze të shkrimtarëve, të cilët vërtet vlejnë e të cilët kanë qenë të rëndësishëm për zhvillimin e gjuhës shqipe.
Për teorinë e letërsisë konsiderojmë se duhet të merret përmes ilustrimeve në disa drejtime të letërsisë, duke mos e marrë për nga peshorja nacionale, por duke i marrë përfaqësuesit më të shquar të atyre drejtimeve nga letërsia botërore e jugosllave.
Është krejtësisht e qartë se në suazat e letërsisë jugosllave mësimi i zhvillimit të letërsisë së pakicës shqiptare te ne e ka të domosdoshme të përfshijë edhe atë me një kriter më të butë /sepse kjo letërsi është në krijim e sipër/, jo vetëm ata shkrimtarë, të cilët janë nga kjo pjesë e pakicës shqiptare në RPM, por edhe ata nga Kosmeti. T’i injorosh shkrimtarët nga Kosmeti, do të thotë të lejojmë një qëndrim të papërballueshëm që te ne, në RFPJ, të krijohen dy letërsi të ndara të pakicës shqiptare.
Kuptohet se kjo çështje i ngelet një komisioni që me gjakftohtësi ta përcaktojë nivelin e këtij kriteri e të bëjë përzgjedhjen e shkrimtarëve të pakicës shqiptare, të cilët do të përfshiheshin në mësim dhe në cilat përmasa, përkatësisht në libra.
Sa i përket botimit të librave të përbashkët, për këtë tashmë folëm diçka. Mirëpo, konsiderojmë se abetaret dhe librat e leximit duhet botuar ndaras, kryesisht për arsye të pastra pedagogjike, përveç se ndonjë libër leximi për gjimnaz dhe klasat e larta të tetëvjeçares që nuk e përpunojnë, në atë mënyrë që do t’i plotësonte nevojat e fëmijëve edhe të Kosmetit, edhe të RPM-së.
Në lidhje me krijimtarinë popullore /këngë, vjersha, poezi, tregime, barsoleta, përralla etj./, përzgjedhja duhet të jetë përmes kritereve parimore – përkatësisht të mënjanohet tërë ajo e cila e përforcon irredentizmin, shovinizmin, primitivizmin /gjakmarrjen, ‘besën’/ e kështu me radhë.
Duke e pasur parasysh atë që u tha lart për nevojën e ndarjes së botimit të abetares e librave të leximit /sidomos për klasat e ulëta/ për Kosmet dhe RPM, në radhë të parë për arsyet pedagogjike, sepse me këtë shumë vështirë u përshtaten realitetit më të afërt të këtushëm, përkatësisht fëmijëve shqiptarë të atjeshëm, është e qartë se këta libra aq më pak mund të merren si përkthime nga gjuha maqedonase. Ata detyrimisht duhet të kenë përbërje të veçantë, duke i marrë parasysh tërë ato rrethana e parime të shtruara më lart.
Mendojmë se nuk është me vend që si doracak për historinë e gjuhës e letërsisë shqipe të futet Antologjia e letërsisë shqipe. Një antologji e tillë mund të shfrytëzohet si literaturë, si doracak plotësues dhe si një pasqyrë e plotë e zhvillimit të përgjithshëm të gjuhës e të kulturës nacionale të shqiptarëve /sepse do të përfshijë edhe letërsinë nacionale të pakicës te ne/. Mirëpo, një antologji të tillë nuk duhet futur në shkollë si doracak të ‘domosdoshëm’, si doracak i cili ngrihet nga programi i mësimit të gjuhës, letërsisë dhe teorisë së letërsisë. Antologjia në këtë drejtim duhet të jetë më e gjerë me përfaqësues të shkrimtarëve jugosllav, e disa përfaqësuesve të letërsisë botërore, sepse mësimi i gjuhës shqipe nuk paraqet mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare /në raport me letërsinë ajo është vetëm pjesërisht/ – por të gjuhës dhe historisë e teorisë së letërsisë. Gjatë mësimit të gjuhës kërkohet letërsia nacionale, por si pjesë përbërëse jugosllave, edhe atë në një përmasë e cila nuk është në dëmin as nacional e as të letërsisë së përgjithshme jugosllave. Në atë mënyrë është vendosur mësimi i gjuhës maqedonase në shkollat maqedonase ose gjuha serbe në shkollat serbe. Prandaj nuk e shohim të arsyeshme se përse këto parime t’i ndryshojmë kur bëhet fjalë për shkollat shqiptare. Prandaj mendojmë se Antologjia si doracak në shkollë, e cila si e tillë botohet me lejen e Këshillit për Arsim, duhet të jetë në përputhje me këto parime, që nuk nënkupton se shtëpitë botuese tonat nuk mund të botojnë edhe antologji të veçantë për letërsinë shqiptare, si letërsi dedikuar qytetarëve në përgjithësi, përfshi këtu edhe nxënësve.
Specifike dhe e një rëndësie të jashtëzakonshme përbën çështja e gjuhës – si ajo mësohet si letërsi dhe kujt i dedikohet tërë mësimi në shkollat shqiptare. Obligimi themelor i barazisë nacionale gjithsesi se është mësimi në gjuhën amtare. Mirëpo, bëhet fjalë për gjuhën letrare. Në nacionalitet krijon një gjuhë e letërsi të unifikuar. Kjo përbën procesin historik. Specifika e kësaj çështje për gjuhën shqipe përbën luftën e përhershme e të gjatë në atë se cilit dialekt /toskë apo gegë – Shqipërisë Jugore apo Veriore, në kohë të fundit flitet edhe në Kosmet, por edhe në RPM/ t’i jepet bazë për ndërtimin e gjuhës letrare shqipe. Ky proces sikur nuk ka përfunduar thelbësisht. Është krijuar letërsi edhe në dialektin toskë, ndërsa krijohet edhe në dialektin gegë /ky i fundit te ne – përdoret në Kosmet, këtu te ne në RPM/. Çështja qëndron në atë se a thua mësimin te ne duhet përpiluar në dialektin e kuptueshëm gegë, a thua pakica këtë dialekt duhet ta formojë e ndërtojë si gjuhë të veten letrare kombëtare, pa marrë parasysh atë se dialekti toskë në Shqipëri po formohet dhe konsiderohet si gjuhë letrare e kombit. Gjithsesi se, si i tillë, në radhë të parë, ky është problem i vet kombit shqiptar, çështje për të cilën vetë shqiptarët janë kompetentë për ta zgjidhur gjuhën e tyre letrare. Mirëpo, me siguri se sërish ekziston një drejtim të cilin historia tashmë vetëm se e ka përcaktuar. Mësimi në shkollë ndoshta duhet t’i ndihmojë këtij procesi historik, ta përshpejtojë, të afrohen gjithnjë e më fuqishëm në atë që përbën rezultatin e zhvillimit nacional në përgjithësi – në pikëpamjen gjuhësore, e jo në mënyrë artificiale të tërhiqen prapa për shkak dialekteve gjuhësore. Për mendimin tonë, çështja nuk është në atë se përmes ndonjë qëndrimi nga anash shqiptarëve në RFPJ, t’ua përcaktojnë se cilin dialekt ata do ta mbështesin etj., por të deklarohen në mënyrë parimore ndaj këtij problemi, që komunistët tanë të mos vijnë në pozita antihistorike, e me këtë edhe antinacionale në këndvështrimin e zhvillimit natyror të gjuhës letrare shqipe. Rreth gjuhës vazhdimisht gjatë procesit të formimit të tij ka ekzistuar lufta te secila kombësi: shtrohet pyetja, a thua tashmë ka rënë përzgjedhja historike në këndvështrimin e gjuhës letrare shqipe, a thua tashmë janë vendosur konturat e saj, a thua duhet shkuar në afrimin, unifikimin e saj, shkrirjen në këtë gjuhë, e cila po formohet, që do të thotë brengë për zhvillimin e saj të mëtutjeshëm sa në këtë drejtim mund të ndihmojë pakica ose ajo përzgjedhje ende nuk është vendosur, prandaj pakica te ne mund të luftojë për fitoren e këtij dialekti?! Kjo është një çështje të cilën duhet parë qartë: do të ishte ndonjë befasi nëse këtu paraqitet tendenca që të forcohet paralelisht krijimi i një gjuhe tjetër letrare, krahas asaj që zhvillohet në Shqipëri. Ky është një problem, i cili kërkon debat serioz e parimor, në radhë të parë te komunistët shqiptarë e te përfaqësuesit e kulturës nacionale shqiptare.
C) Historia. Për historinë ekziston program i unifikuar për të gjitha shkollat në Republikën tonë Popullore. Nuk ka as libra të veçanta shqiptare, as për historinë e përgjithshme e as për atë jugosllave. Librat janë të njëjtë, ndërsa janë të përkthyera në gjuhën shqipe. Konsiderojmë se kjo është e drejtë dhe parimore. Është qesharake që në shkollat jugosllave të kësaj apo asaj pakice të mësohet si lëndë e veçantë jo historia jugosllave, por historia e një shteti nacional fqinj të cilit nacionalitet i takon ajo pakicë.
Mirëpo, programi mësimor i lëndës së historisë gjithsesi se duhet parë e diskutuar – sa e përfshin dhe përpunon luftën e asaj pakice në kuadër të luftës së popujve tanë për barazinë e përgjithshme e të vetë nacionale, për një bashkësi të re e të lirë socialiste për të gjithë nacionalitetet. Aty duhet dhënë komentimin objektiv historik të mbarë këtyre proceseve e të ngjarjeve zhvillimore, të cilat pakicën e kanë sjell deri te ndarja me kombin e vet amë dhe deri te përfshirja në luftën e përbashkët me kombet jugosllave dhe ajo të bëhet pjesë e popujve jugosllavë.
Gjithsesi se me një seriozitet të duhur të përpunohen dhe t’u jepet vendi i drejtë lëvizjeve të ndryshme me karakter irredentiste mbi bazat monarkiste, fashiste e antisocialiste – të sqarohet realiteti tradhtar antipopullor e antinacional, bartësit, aleatët, qëllimet dhe metodat e tyre të luftës me pasojat për kombin e pakicën shqiptare. Injorimi i tyre i përforcon pozitat e irredentistëve, të cilët agjenturat e huaja të ndryshme i shpallin heronj kombëtarë, me çka e përfshijnë rininë.
Historia e Shqipërisë duhet të përfshihet sikurse historia e popujve e shteteve fqinje në mësimin e historisë së përgjithshme, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash.
Ç) Gjeografia. Me njohjen e vendit të vet fillon edukimi i parë patriotik i fëmijëve nga vitet më të hershme. Mësimi dhe librat e gjeografisë e kanë të domosdoshme ta zhvillojnë vetëdijen për tërësinë jugosllave, për kufijtë jugosllavë dhe për atdheun jugosllav. Termet gjeografike në radhë të parë duhet trajtuar si jugosllave e jo si nacionale maqedonase, shqiptare etj. Konsiderojmë se kjo, megjithatë, nuk nënkupton se fëmijëve duhet ligjëruar vetëm emërtimet e miratuara zyrtare /të themi ato maqedonase/ për lumenjtë, malet etj. Nëse te pakica ekzistojnë edhe emërtime shqiptare lokale, ata duhet dhënë krahas atyre të cilat i ka miratuar harta zyrtare e Jugosllavisë”.

Fund

/revistashenja