Ballina Autorë Opinione Letër e hapur opinionit publik

Letër e hapur opinionit publik

Prof. Adnan Simnica

Në Republikën e Kosovës ka filluar zyrtarisht regjistrimi i popullsisë nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, prandaj është obligim dhe detyrë ndaj atdheut regjistrimi i mirëfilltë dhe përgjigja e duhur.
Secili ka të drejtë, madje e ka obligim të deklarojë dhe publikojë përkatësinë e vet kombëtare, madje edhe atë fetare, meqë përkatësinë kombëtare na e zgjodhi Krijuesi Fuqiplotë, kurse besimin islam, të parët tanë e zgjodhën vetë me vullnet e bindje. Si rrjedhojë, ne krenohemi me të dyja, meqë kështu dëshmojmë krenarinë dhe dinjitetit tonë, si dhe faktin që jemi i vetmi popull autokton me shumicë dërrmuese myslimane në Europë.
Kur dëshmojmë se jemi shqiptarë, se gjuha jonë amtare është gjuha shqipe, dhe dëshmojmë përkatësinë tonë islame, atëherë çojmë në vend Amanetin e Zotit të Madhëruar, si dhe sakrificën dhe Amanetin e të parëve tanë.
Ne respektojmë maksimalisht përkatësinë katolike të bashkëkombasve tanë shqiptarë, prandaj edhe ata me plotë të drejtë duhet të deklarojnë përkatësinë e tyre pa asnjë presion dhe pa u cënuar asgjë.
Regjistrohu dhe publiko përkatësinë tënde kombëtaro-fetare, sepse ashtu siç është identitet i yti përkatësia etnike shqiptare, ashtu është edhe Islami, të cilat për ne janë bashkë si trupi e shpirti. Dije se konfirmimi i tillë nuk është turp, por krenari, sepse ta ruan identitetit dhe dinjitetin, kurse mohimi i tyre është mohim dhe përçmim i vetvetes, të kaluarës dhe i të ardhmes.
Përgjigju Amanetit të Krijuesit Fuqiplotë, sakrificës të të parëve tanë, thirrjes së Bashkësisë Islame dhe identitetit tënd!
#DEKLAROHU #SHQIPTAR #ISLAM #REGJISTRIM
Faleminderit!

Prof. Adnan Simnica

 

Exit mobile version